Kërko

 Kardinali Pizzaballa Kardinali Pizzaballa  (REUTERS)

Kardinali Pizzaballa: lutja dhe agjërimi për paqe në Tokën Shenjte, shenjë bashkimi

Në prag të 17 tetorit, ditës në të cilën ftohemi të lutemi për paqen e izraelitëve me palestinezët, Patriarku Latin i Jerusalemit njoftoi mediat mbi situatën në Gaza dhe në Bregun Perëndimor dhe deklaroi "se është absolutisht gati" për t'u shkëmbyer me fëmijët peng të Hamasit. Shpreh, kështu, gjithë shqetësimin për zgjerimin rajonal të konfliktit dhe për krizën serioze humanitare, që do ta shkaktonte një sulm tokësor në Rrip.

R. SH. - Vatikan

“Një shenjë shumë e bukur e unitetit të gjithë bashkësisë së krishterë”: kështu e konsideron Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, Ditën e Lutjes dhe Agjërimit për Paqe në Tokën e Shenjtë, që do të mbahet nesër, 17 tetor. Në atmosferën e një takimi online të organizuar me gazetarët nga shoqata Iscom, kardinali ndihet i ngushëlluar nga mbështetja, që nisma ka pasur në mbarë botën.

Barbaria e Hamasit është e pajustifikueshme dhe e papranueshme

“Nuk mungojnë kontaktet me udhëheqës të tjerë fetarë, ndonëse nuk është koha për të marrë nisma së bashku”- pranon kardinali. - "Ne flasim me njëri-tjetrin, përpiqemi të mbështesim njëri-tjetrin, të kuptojmë arsyet e njëri-tjetrit. Sepse është e rëndësishme, në një çast ngurtësie të madhe shpirti, të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin. Këtë po përpiqem të bëj. Në këtë çast, e jo pa mundim”. Duke e dënuar "barbarizmin e kryer të shtunën e kaluar nga Hamasi", Patriarku i Jerusalemit përshkruan situatën në Gaza, shpreh frikën e tij për një sulm të mundshëm tokësor nga Izraeli në Rrip e jo më pak edhe shqetësimin për një konflikt që mund të përhapet dhe të bëhet "rajonal"

Nuk ka viktima në bashkësinë e Gazës, të strehuar në kisha

Duke përsëritur qartë se ajo që bëri Hamasi më 7 tetor është "e pajustifikueshme, e pakuptueshme dhe e papranueshme", kardinali Pizzaballa ndalohet në atë, që mund të ndodhë në Gaza, me "dy milionë njerëz të mbyllur brenda" dhe bën të ditur se komuniteti, me rreth një mijë njerëz, është mbledhur tërësisht në komplekset e kishës: 500 janë në kishën latine, 400 të tjerë kanë gjetur strehë në kishën ortodokse greke. Rreth 300, të krishterë dhe myslimanë, janë të mirëpritur në organizatën ekumenike të krishterë YMCA, e angazhuar për të mbështetur në veçanti të rinjtë. Ata janë të gjithë në pjesën veriore të Rripit, prej nga duhet të largohen, sipas udhëzimeve të ushtrisë izraelite. “Ne u kemi lënë lirinë e plotë për të vendosur çfarë duan të bëjnë: të lëvizin, apo të qëndrojnë”, saktëson kardinali. "Është një zgjedhje, që u takon atyre. Praktikisht të gjithë kanë vendosur të qëndrojnë sepse ndjehen më të sigurt; diku tjetër situata është edhe më e rëndë. Në fund të fundit, ata nuk dinë ku të shkojnë. Edhe lëvizja është e rrezikshme. Kufiri me Rafahun është i mbyllur".

Dhimbje dhe frikë e madhe nga përhapja e konfliktit

Fjala e Kardinalit Pizzaballa është e thatë dhe e hidhur. Ushqimi ka nisur të mbarojë. “Ne po mundohemi të marrim sa më shumë material përmes kontakteve tona: ushqim, ilaçe, ujë, naftë për gjeneratorët. Po shohim me shoqatat e ndryshme humanitare se si mund të ndihmojmë, po përpiqemi të ngulmojmë që të hapet të paktën një korridor humanitar, për të hyrë çka duhet për nevojat më elementare” - pohon - e më pas shpreh hapur shqetësimin e tij për ngjarjet e 7 tetorit, si dhe për shpejtësinë e ndryshimeve që po ndodhin. "Jemi të habitur - thotë ai - është e vështirë të gjesh hapësirë ​​për një diskutim, nuk po them me qetësi, por të paktën mbi baza të arsyeshme. Territoret janë të mbyllura hermetikisht. Çka më frikëson më shumë, është se ky konflikt do të përhapet në këtë situatë pasigurie të madhe, dhimbjeje të madhe”. Prelati informon edhe për mungesën e viktimave të krishtera në Gaza. "Ka disa lëndime, por asgjë serioze. Ata janë të gjithë shumë të lodhur, siç mund ta imagjinoni". Nëse ushtria izraelite hyn në Gaza nga toka, frika më e madhe e shprehur nga kardinali Pizzaballa ka të bëjë me krizën e rëndë humanitare që do të krijohet.

"Unë ofroj veten, në këmbim me fëmijët e mbajtur peng nga Hamasi"

“A ka, a do të ketë ndonjëherë hapësirë ​​për ndërmjetësim nga Selia e Shenjtë?”- është pyetja e një gazetari. “Ne kemi dhënë pëlqimin tonë, të paktën për të kthyer pengjet, apo një pjesë të tyre! Po mundohemi... Është shumë e vështirë - përgjigjet kardinali - sepse për të pasur ndërmjetësim duhet të ballafaqohesh me bashkëbisedues shumë të vështirë. Me Hamasin nuk mund të flasësh”, shton. E, duke folur për pengjet, kardinali Pizzaballa nuk ngurron të deklarojë se është i gatshëm të ofrohet personalisht në këmbim të fëmijëve, sot në duart e Hamasit: "Nëse kjo mund t’i lirojë, kthejini ata fëmijë në shtëpi, nuk ka problem. Unë jam absolutisht gati!”.

Prelati përsëriti se është e nevojshme të gjindet një rrugëdalje, të gjindet një mënyrë për t’i rikthyer pengjet. Ne duhet ta bëjmë këtë - pohon. Përndryshe do të jetë shumë e vështirë t’u vemë fre këtyre zhvillimeve. Jemi në dispozicion, mund të angazhohemi edhe personalisht. Jemi gati, për çfarëdo që mund të sjellë një minimum qetësie dhe de-përshkallëzimi! Ne jemi gati”.

I habitur nga shpejtësia e zhvillimeve të situatës

"Ekziston rreziku i shndërrimit të këtij konflikti në ndeshje qytetërimesh. Shumë po flasin për të. Natyrisht - vazhdon kardinali - është e rëndësishme të shmanget thirrja për armë, për një përplasje qytetërimesh sepse asgjë e mirë nuk do të vijë prej saj. Toka Shenjte ka qenë gjithmonë një vend ku Lindja dhe Perëndimi takohen dhe përplasen, vend fërkimi”. Së fundi, kardinali Pizzaballa paralajmëron për rrezikun e përhapjes së shkatërrimit edhe në Bregun Perëndimor: "Është e vërtetë - përfundon ai - sepse edhe para kësaj krize tensionet ishin shumë të larta, veçanërisht në zonën e Nablus dhe Jenin". E, mbasi kujton se ditët e fundit ka pasur përplasje, duke përfshirë edhe vdekje, është i vetëdijshëm se gjithçka është shumë e brishtë dhe se nuk është e lehtë të kuptohet çfarë drejtimi do të marrë në Bregun Perëndimor. “Ndoshta brenda pak ditësh do të kemi sukses”- përfundon me optimizimin e krishterë!

16 tetor 2023, 17:50