Kërko

Shtëpia e Fëmijës në Betlehem Shtëpia e Fëmijës në Betlehem

Në Betlehem, shpresa për paqen nuk vdes

Bashkësia e krishterë e qytetit të Çisjordanisë, pak kilometra larg Jerusalemit, është e shqetësuar për shkallëzimin e dhunës, por nuk e humb shpresën. Fra Sandro Tomašević, zëvendës famullitar dhe drejtor i Shtëpisë së Fëmijës: "Kësaj radhe situata është më e rëndë se në të kaluarën, por veprimtaria jonë kishtare nuk ka ndryshuar". Frikë për shtegtarët, të cilët, tani për tani, nuk kanë probleme sigurie

R.SH. – Vatikan

Keqësohet gjendja në Tokën Shenjte. Gjatë bombardimeve të natës në Rripin e Gazës, numri i të vdekurve është shtuar. Bilanci i viktimave tani ka arritur në 1200 për izraelitët e 900 për palestinezët. Izraeli njofton se ka marrë nën kontroll pothuaj krejt kufirin me Gazën dhe ka gjetur të vrarë në terren rreth1500 luftëtarë të Hamasit. Forcat e armatosura izraelite Tsahal goditën edhe Sirinë e Libanin në përgjigje të sulmit me raketa. Sipas OKB-së, konflikti në Rripin e Gazës ka shkaktuar 260.000 të shpërngulur. Ndërkaq, një avion amerikan me municione mbërriti sot në Izrael, në mbështetje të aleatëve të përhershëm të SHBA-ve në rajon.

E frika mbërrin edhe në Betlehem, megjithëse ai ndodhet më se 70 km larg nga Gaza. Deri pak ditë më parë, qyteti i lindjes së Jezu Krishtit mund të konsiderohej oazë paqeje. E tillë ishte edhe Shtëpia e Fëmijës, ndërtuar jo larg Shpellës së Qumështit, vendi ku, sipas traditës, disa pika qumështi, rënë nga kraharori i Virgjërës Mari, ndërsa i jepte gji Jezusit Foshnjë, e ngjyrosën mrekullisht me të bardhë një shkëmb rozë. Kjo Shtëpi, e administruar nga Kisha Katolike, strehon rreth tridhjetë fëmijë dhe të rinj, që i ka marrë nga rruga për t’u siguruar një të ardhme më të mirë.

Situatë emergjence

"Jam këtu që prej nëntë vitesh e, kësaj radhe, mund të them se gjendja është më e rëndë, në krahasim me krizat e tjera të së kaluarës", pohon në mikrofonin e Radio Vatikanit / Vatican News, françeskani Sandro Tomašević, ndihmës famullitar dhe drejtor i Shtëpisë së Fëmijës, themeluar nga Rojtaria e Tokës Shenjte në vitin 2007, pas intifadës së dytë palestineze. “Deri tani – shton ai – famullitë dhe kuvendet tona nuk kanë pësuar asnjë dëm dhe në ato zona, nuk ka viktima. Megjithatë, prej këndej, dëgjojmë shpërthimin e bombave dhe fishkëllimën e raketave”. Rregulltari shpreh frikën e tij sidomos për shtegtarët e shumtë, ende të pranishëm në Betlehem, të cilët, gjithsesi, nuk duhet të jenë në rrezik tani për tani. "Kam besim se së shpejti do të mund të kthehen pa problem në vendet e tyre", nënvizon ai. Gjatë orëve të fundit, edhe agjencia vatikanase “Opera Romana Pellegrinaggi” (Vepra Romake e Shtegtimeve) i pezulloi të gjitha udhëtimet në Tokën Shenjte dhe po organizon kthimin e shtegtarëve të mbetur në rajon.

Të shtohet lutja

Megjithëse konflikti vijon, veprimtaria kishtare nuk ka ndryshuar, shton Át Tomašević. “Mund të them se në kohë lufte njerëzit luten më shumë – tregon ai. - Për shembull, në katër meshët e djeshme, kremtuar në Betlehem, pjesëmarrja ishte shumë e madhe”. Shenjë se shpresa për paqe nuk është zbehur. “Vetë Kisha – përfundon françeskani – na fton të kemi shpresë. Dhuna nuk mund të jetë përgjithmonë”. 

11 tetor 2023, 12:31