Kërko

Telefonata e Papës Françesku në famullinë e Gazës Telefonata e Papës Françesku në famullinë e Gazës 

Motra Saleh: telefonata e Papës na dha guxim. Paqe e drejtësi për Lindjen e Mesme

Emocion dhe mirënjohje nga besimtarët e famullisë së Gazës për thirrjen e papritur të Françeskut mbrëmë. "Ati i Shenjtë donte t'u jepte të gjithëve bekimin e na siguroi se jemi në lutjet e tij" - tregon murgesha që foli drejtpërdrejt me Papën. "Ofrojmë vuajtjet tona për përfundimin e luftës, për paqen, për Kishën e edhe për Sinodin”.

R. SH. Vatikan

“Papa na siguroi se lutet për ne dhe se e di mirë sa po vuajmë.” Tejet e emocionuar, motra Nabila Saleh, e Motrave të Rruzares së Jeruzalemit, flet për telefonatën e Papës mbrëmjen e kaluar, në famullinë latine të Gazës, ku shërben. E gati-gati nuk i beson vetes, kur flet për bisedën telefonike që pati me Françeskun: "Thirri Atë Jusufin, i cili më dha telefonin e tij që të flisja drejtpërdrejt me Papën, pasi ai nuk e flet mirë italishten".

Ne e themi vazhdimisht Rruzaren

“Ati i Shenjtë - shpjegon murgesha - donte të dinte se sa njerëz strehohen brenda strukturave të famullisë. Janë rreth 500 prej tyre, përfshirë të sëmurë, familje, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara, njerëz që kanë humbur shtëpitë dhe të gjitha pasuritë e tyre. Bekim i madh, që isha në gjendje të flisja me Atin e Shenjtë, duke e frenuar emocionin e jashtëzakonshëm. Ai na dha kurajo dhe mbështetje në lutje. Ndërsa ne i kërkuam të bëjë një thirrje për paqe dhe i kujtuam se i ofrojmë vuajtjet tona për përfundimin e luftës, për paqen, për nevojat e Kishës, e edhe gjithashtu për punimet e Sinodit, që po vazhdon. Besimtarët e famullisë sonë ishin shumë të lumtur. E dinë se Papa punon për paqen dhe për të mirën e bashkësisë së krishterë në Gaza.

Si i jetoni këto orë dramatike?

Situata është shumë e vështirë, por ne e mbështesim njëri-tjetrin. I ndajmë të gjitha detyrat. Njerëzit e pranojnë këtë situatë dhe i kërkojnë Zotit që të përfundojë sa më shpejt.

A nuk e humbin njerëzit shpresën, që vazhdojnë të luten për paqe në këtë kohë kaq të rëndë?

Po, luten! Me besim, me besim të madh. Ne mësojmë prej tyre. Çdo ditë kemi dy meshë. Themi edhe rruzaren, gjithmonë me fëmijët dhe familjet e tyre. Mbrëmë morëm pjesë në Meshën e së dielës me pagëzimin e një foshnjeje: nëna kishte frikë se mund të ndodhte diçka e keqe dhe kërkoi ta pagëzonte djalin e saj. Ishte një kohë ringjalljeje dhe rilindjeje shpirtërore për të gjithë ne.

Cila është situata në këto çaste ?

Mbrëmë jetuam një çast shumë të vështirë me bombardime që vazhduan gjatë gjithë natës. Nuk fjetëm as 5 minuta, deri në mëngjes.

A vazhdoi bombardimi këtë mëngjes?

Vetëm deri në tetë, tani situata është më e qetë. Herë pas here kalon një avion luftarak, por nuk është asgjë në krahasim me natën e kaluar.

A ka ndonjë thirrje që ju pëlqen të bëni përmes mikrofonave tanë në emër të famullisë së Gazës?

Ne duam paqen sepse lufta nuk është e mirë për askënd, duam që kjo luftë shumë e ashpër të përfundojë. Shumë njerëz kanë humbur të dashurit e tyre, shtëpitë e tyre dhe gjithçka kanë. Kërkojmë drejtësi: drejtësi dhe paqe. Edhe populli palestinez ka të drejtë të jetojë. Kërkojmë të mos ndëshkohet popullata për shkak të një grupi fanatik. E pastaj, ju kërkojmë  të luteni për ne. Besojmë fort në forcën e lutjes!

16 tetor 2023, 16:37