Kërko

 Vangelo della XXVIII Domenica Anno A / L'invito alle nozze del figlio del re Vangelo della XXVIII Domenica Anno A / L'invito alle nozze del figlio del re

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVIII të vitit liturgjik 'A'

Gostia jote është për të gjithë:/askush nuk përjashtohet,/askush nuk lihet pa festën/që Ti e përgatit për njerëzimin./E, megjithatë, nuk mjafton të pranosh ftesën,/Ti kërkon që secili të veshë petkat e dasmës./Mjafton ta lëshojmë veten në dorën Tënde,/ta lejojmë dritën Tënde të na shndrisë,/të vendosim që të na ndryshojë/ dhembshuria e butësia Jote,/e kështu, të na shërojë/mëshira Jote

R.SH. - Vatikan

Në të dielën XXVIII të vitit liturgjik të Kishës,ciklit të parë 'A', Ungjilli sipas Mateut na propozon shëmbëlltyrën e dasmës, ku grishen të gjithë, por ata, që hyjnë, duhet të kenë petkun e duhur, pra, të jenë njerëz të ndryshuar.

Për Zotin nuk ka njerëz të përjashtuar, të gjithë konsiderohen prej Tij të denjë për dashurinë e tij. Këtë na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele tё 28-tё gjatё vitit kishtar nga Mateu, me shëmbëlltyrën e banketit të dasmës së të birit të mbretit, në të cilën mbreti ftoi dasmorë, që nuk i erdhën e, pastaj, mori njerëz nga rruga, që ndoshta, nuk kishin ndonjë status të veçantë për të marrë pjesë, por për faktin se e dëgjuan thirrjen e mbretit, kishin më tepër dinjitet se të tjerët. Vetëm se, edhe prej këtyre, e përzuri atë, që nuk kishte veshur rrobën e dasmës. Shpesh herë edhe ne i vëmë interesat e gjërat tona para Zotit i cili na thërret tё marrin pjesё në festё.

Ja, një pjesë nga Ungjilli i Mateut:

1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: 2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajuni të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majmura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ 10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. 11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur”.

Të lutemi së bashku

 

Gostia jote është për të gjithë:

askush nuk përjashtohet,

askush nuk lihet pa festën

që Ti e përgatit për njerëzimin.

E, megjithatë, nuk mjafton të pranosh ftesën,

Ti kërkon që secili të veshë petkat e dasmës.

Por s’bëhet fjalë, o Jezus,

që të shpenzojmë shifra marramendëse për veshjet

e as që të bëjmë përpjekje çnjerëzore.

Ti vetë na e jep këtë petk të çmuar,

Ti vetë vepron në jetën tonë

për ta shndërruar në ngjashmëri me Tënden.

Na merr ashtu siç jemi,

nëpër udhëkryqet e rrugëve,

në gjendjet nga më të ndryshmet,

endacakë, të papastër e të leckosur.

Balta, që na përlyen

fytyrën e zemrën,

nuk të ndalon të na ofrosh një jetë të re,

e as plagët, që bartim në shpirt,

nuk të pengojnë aspak.

Mjafton ta lëshojmë veten në dorën Tënde,

ta lejojmë dritën Tënde të na shndrisë,

të vendosim që të na ndryshojë

dhembshuria e butësia Jote,

e kështu, të na shërojë

mëshira Jote.

14 tetor 2023, 11:08