Kërko

Dom Mark Pashkja: Kisha katolike në Shqipëri gjatë muajit misionar

Kisha katolike në Shqipëri gjatë këtij muaji misionar, që është tetori, zhvilloi disa veprimtari që kishin si qëllim evidentimin e karakterit misionar si element përbërës jo vetëm të Kishës, por edhe të identitetit tonë pagëzimor, me dëshminë e shumë misionarë të cilët me dekada tashmë shërbejnë në Shqipëri. Veprimtaritë e muajit misionar të tetorit u nxiten dhe u frymëzuan nga mesazhi i Papës për ditën botërore misionare 2023, me temë: “Me zemra të ndezura, me këmbë në udhëtim”

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike në Shqipëri gjatë këtij muaji misionar, që është tetori, zhvilloi disa veprimtari që kishin si qëllim evidentimin e karakterit misionar si element përbërës jo vetëm të Kishës, por edhe të identitetit tonë pagëzimor, me dëshminë e shumë misionarë të cilët me dekada tashmë shërbejnë në Shqipëri. Veprimtaritë e muajit misionar të tetorit u nxiten dhe u frymëzuan nga mesazhi i Papës për Ditën e 97-të Botërore Misionare me temë “Ma zemra të përflakura, me këmbë për udhë” (cfr Lc 24,13-35), e cila u kremtua më 22 tetorin e kaluar. Një reflektim, që niset nga takimi i dishepujve të Emausit me Jezusin e Ngjallur, rrëfyer në në Ungjillin sipas Lukës, duke na ftuar të kemi “zemra të përflakura”, “sy të hapur” dhe “këmbë për udhë”. Po më hollësisht për nismat e Kishës Katolike të Shqipërisë gjatë muaji misionar, tetorit, që përfundon sot, të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dom Mark Pashkja:

Dom Mark Pashkja

Muaji i Misioneve

Sinodi i ipeshkvijve në Romë ka qenë kryefjala e zhvillimeve në Kishën katolike për muajin tetor. Edhe pse vazhdimisht fokusi ka qenë te kjo ngjarje e shënuar, nga ana tjetër aktiviteti i Kishave vendore ka vazhduar në mënyrë të rregullt dhe me ritëm intensiv aktivitetet e programuara. Siç dihet, muaji tetor në Kishë i kushtohet misioneve, për të kujtuar dhe nxjerrë në pah këtë aspekt themeltar të natyrës së Kishës.

Kisha katolike në Shqipëri gjatë këtij muaji zhvilloi disa veprimtari që kishin si qëllim evidentimin e karakterit misionar si element përbërës jo vetëm të Kishës, por edhe të identitetit tonë pagëzimor. Të nxitur e të frymëzuar nga mesazhi i Atit të Shenjtë për këtë ditë, me temë: “Zemra të ndezura, këmbë në udhëtim”, Arqidioqeza e Shkodrës, Dioqeza e Sapës dhe ajo e Lezhës, organizuan takime dhe momente lutjeje pikërisht për të falënderuar, kujtuar dhe lutur për misionin e Kishës dhe misionarët e saj në mbarë botën.

Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e jashtëzakonshëm të misionarëve për Kishën tonë pas vitit 90, në këto takime ligjëruan dhe dhanë dëshminë e tyre shumë misionarë që me dekada tashmë shërbejnë në vendin tonë. Kësisoj, secila dioqezë e Shqipërisë, në mënyrë të koordinuar, organizoi vigjiljen kushtuar muajit misionar. Gjatë këtij momenti u përkujtuan situatat e vështira që po përjeton Kisha në mbarë botën, por njëkohësisht edhe sfidat që misionarët e ndryshëm kaluan në vendin tonë. Natyrisht, nuk u lanë pa përmendur ato misionarë që jetojnë këtu sot e kësaj dite dhe ato që kanë kaluar në amshim.

Java e fundit e muajit pati një risi mjaft të veçantë për Kishat tona në veri. Falë nismës dhe mundësisë së krijuar nga Ipeshkvi i Jugut të Shqipërisë, Imzot Giovanni Peragine, u bë i mundur shkëmbimi dhe dëshmimi i përvojës së të krishterëve të rinj (neofitëve) të kësaj Kishe; realitet tërësisht misionar. Të mësuar me një klimë tradicionale ku krishterimi është një dhuratë që merret dhe përcillet kryesisht prej realitetit familjar, prania e neofitëve të Administraturës Apostolike të Jugut, ishte një hir dhe bekim i madh për Kishat tona vendore në veri të Shqipërisë.

Dëshmia e tyre e përqafimit të krishterimit, në shumë famulli të dioqezave tona u prit me mjaft gëzim e mallëngjim. Nga ana tjetër, ato patën mundësi të njiheshin me realitete dhe persona të cilët i qëndruan besnik Krishtit dhe Kishës edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre gjatë regjimit komunist – ateist. Rezistenca, martirizimi dhe dëshmia e lavdishme e të krishterëve katolikë në veri, ishte një thesar i çmuar që të krishterët e rinj morën me vete gjatë kësaj përvoje.

31 tetor 2023, 09:41