Kërko

 Vangelo della XXVIII Domenica Anno A / L'invito alle nozze del figlio del re Vangelo della XXVIII Domenica Anno A / L'invito alle nozze del figlio del re

Fjala e Zotit e së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar 'A'

Jezusi tregon një tjetër shëmbëlltyrë për të na shpjeguar mbretërinë e qiellit në të cilën jemi të ftuar e të thirrur të marrin pjesë. Në shëmbëlltyrën ungjillore të të ftuarve në kremtimin e dasmës,Jezusi paraqet shëlbimin si një banket martesor, si një festë dasme dhe kujton se ka përfunduar koha e pritjes, e se profecia e Izaisë profet mbi banketin eksatologjik (Leximi I) është plotësuar e realizuar me ardhjen e tij, kur ai, Bir i Hyjit, ka përqafuar, madje ka martuar njerëzimin në kraharorin

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pas shembullit e imazhit të vreshtit, që dëgjuam të dielën e kaluar, kësaj radhe Jezusi tregon një tjetër shëmbëlltyrë për të na shpjeguar Mbretërinë e Qiellit në të cilën jemi të ftuar e të thirrur të marrin pjesë. Në shëmbëlltyrën ungjillore të kësaj së diele të të ftuarve në kremtimin e dasmës, shëmbëlltyrë që pason atë të vreshtit, Jezusi paraqet shëlbimin si një banket martesor, si një festë dasme dhe kujton se ka përfunduar koha e pritjes, e se profecia e Izaisë profet mbi banketin eksatologjik (Leximi I) është plotësuar e realizuar me ardhjen e tij, kur ai, Bir i Hyjit, ka përqafuar, madje ka martuar njerëzimin në kraharorin virgjëror të Nënës së tij tejet të shenjtë Mari.

Shëmbëlltyra e Ungjillit të Mateut na tregon se janë të shumtë ata, që janë thirrur për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, por janë pak, të zgjedhurit. Jezusi, na thotë shën Mateu ungjilltar, vijon të shpjegojë si do të jetë Mbretëria e Zotit, me shëmbëlltyrën e mbretit, që i fton njerëzit në dasmën e të birit, por ata nuk shkojnë e madje, edhe i vrasin shërbëtorët, që ishin dërguar për t’i thirrur. Mbreti merr kështu këdo takojnë shërbëtorët në rrugë, të mirë e të këqinj e, njërin prej tyre, që s’ishte veshur me kostumin e dasmës, e hedh jashtë, aty ku ka errësirë, lot e kërcëllimë dhëmbësh.

Festa që na përgatit Zoti, ka çdo të mirë, por ka të ftuar, që refuzojnë e nuk duan të marrin pjesë në të, sepse shohin punët e tyre. Njëlloj siç bëjmë edhe ne nganjëherë, duke u shqetësuar për punët e përditshme e jo për planin, që ka Zoti për ne. E ky nuk është tundim për ata, që nuk besojnë, por pikërisht për besimtarët. Shpesh jemi kaq të zënë me punët e ditës, sa të mos e pranojmë dhuratën e Hyjit, që na e jep falas. Por Zoti nuk ndalet në refuzimin e parë. Ua shtrin ftesën të gjithë njerëzve, pa përjashtim. Të gjithë janë të ftuar në dasmë, me një kusht të vetëm: të veshin rrobën e dasmës, petkun e panjollë të njeriut, që është larg mëkatit, që është në hirin e Tënzot. Do të thotë që është në përkim me vullnetin e Tij Hyjnor. 

                                             Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 25, 6-10) 

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë. 
Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut. Fjala e Zotit.

Psalmi 23 (22)
Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

_____________________________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. 
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 12-14, 19-20) 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.

Vëllezër, di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak!
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 22, 1-14)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut 

Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 
Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ 
Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. 
Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA E XXVIII GJATË VITIT: EJANI NË DASMË!

Is 25, 6-10; Ps 23 (22); Fil 4, 12-14. 19-20; Mt 22, 1-14

«Njerëzit e sotëm janë më të këqij se djajtë. Këta të fundit, së paku, druajnë e dridhen përballë Hyjit» - thoshte Shën Piu nga Pietrelçina. E kishte të drejtë, sepse ngurtësia jonë përballë Hyjit mund të jetë vërtetë e çuditshme në disa raste.

Para se të vazhdojmë, na duhet edhe këtu të shpjegojmë simbolikat që mbartin secili prej personazheve që Jezusi përmend sot në shëmbëlltyrën që tregon: Mbreti simbolizon Atin; djali, Jezusin, Birin e Atit; të ftuarit, popullin e Izraelit, sidomos krerët e tij; shërbëtorët, profetët e të drejtët e dikurshëm; «të mirët e të këqinjtë» që mbushin në fund sallonin e dasmës, përfaqësojnë të gjithë popujt që do të bëhen më vonë pjesë e Kishës së Krishtit. Kështu, kuptojmë se këtu Mbretëria e Hyjit simbolizoka pikërisht  Kishën, Trupin mistik të Krishtit.

Ka edhe një simbolikë tjetër shumë të rëndësishme që përme­ndet, ajo e «petkut të dasmës», por do ta shohim në fund se për çfarë bëhet fjalë.

Edhe leximi i parë fillon duke shprehur dëshirën e Hyjit për të gostitur me njerëzimin: «Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt.» Dëshira e gjithmonshme e Hyjit është pikërisht harmonia në mes Tij dhe njerëzve. Nuk duhet ta harrojmë një rresht shumë interesant e tejet poetik të Zanafillës: «Hyji shëtiste nëpër kopsht, në freskinë e pasdites.» Në atë kopsht Hyji paska zbritur për të shetitur me njeriun. Hyji e njeriu paskan shëtitur mbrëmjeve së bashku, ashtu siç shëtisin familjet e gjithë botës. Por mëkati solli përçarjen e kësaj harmonie kaq të bukur.

Edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë se Mbreti, pra Hyji, kishte vendosur të bënte një dasmë. Jezusi po u tregonte kështu të pranishëmve se kishte ardhur koha kur Hyji dëshironte të realizonte ëndrrën e Tij të bashkimit me njerëzimin. Madje u thotë se kjo dasmë është tashmë gati, sepse Biri është bërë njeri: «Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati... Ejani në dasmë!»

Çuditërisht, si përgjigje të kësaj ftese, vjen një refuzim i thellë nga ana e të ftuarve: «Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i  munduan e i vranë.» Nuk duhet të mendojmë se kjo nënkupton refuzim nga ana e gjithë popullit të Izraelit, sepse pikërisht izraelitë ishin edhe apostujt, Zoja e Bekuar dhe të krishterët e parë, por nënkupton refuzim sidomos nga paria e Izraelit, të cilët mendohej se do të gëzonin të parët nga bashkimi i Hyjit me njerëzimin.

Megjithatë, refuzimi i këtyre të fundit, Hyjin nuk e bëri të tërhiqej nga synimi i Tij, por e bëri të ndryshonte bashkëpunëtorët. Prandaj vendos të ftojë në gostinë e Tij «të mirë e të këqij», aq sa «salloni i dasmës u mbush me të ftuar». Gjithnjë është menduar se kjo pjesë e ungjillit ka dashur të tregojë bindjen e ungjilltarëve se tashmë ka ardhur koha që mesazhin ungjillor t’ia predikonin të gjithë popujve. Jo më vetëm popullit të zgjedhur, por edhe paganëve, atyre që çmoheshin përgjithësisht si të “këqij”. Është fjala për themelimin e Kishës, themelim të cilin Jezusi po e realizonte pak nga pak. Ajo pra, Kisha, do të përbëhej nga njerëz të të gjitha kombeve e racave. Prandaj Kisha quhet edhe Katolike, që do të thotë e Gjithëmbarshme.

E vetëm tani është rasti të citojmë edhe një herë një detaj shumë interesant nga leximi i parë në lidhje me atë gostinë që profetizonte Isaia. Thoshte profeti se gostia do të kishte si ushqim «mish të majmë e verë të moçme». Mish e verë. Me çfarë “gostitemi” ne kur marrim pjesë në Meshë? A nuk ushqehemi me Trupin e me Gjakun e Jezu Krishtit? Isaia profet, pra, me fjalën “gosti” nuk paska qenë duke folur për fundin e kohëve, por po prefetizonte për ardhjen e kohëve kur njerëzimi do të mund të bashkohej në një mënyrë të padëgjuar më parë me Hyjin e vet. Gostia për të cilën Isaia po profetizonte ishte koha e themelimit të Eukaristisë. Eukaristia, në fakt, është si një dasmë në të cilën Hyji na fton që të marrim pjesë, dasmë në të cilën Ai dëshiron të bashkohet pafundësisht me ne. Prandaj nuk justifikohemi lehtë nëse Meshën e Shenjtë e lëmë mënjanë në jetën tonë të krishterë.

Edhe vetë Eukaristia, pastaj, përveç se ushqim, është edhe profeci: profetizon ardhjen e dasmës përfundimtare mes Hyjit dhe popullit të Tij në lumturinë e Parajsës. Por, deri atëherë, është Mesha «gostia» që na përgatit për këtë bashkim përfundimtar.

E, se kjo «gosti» është pikërisht Mesha e Shenjtë, e kuptojmë sidomos nga detaji i fundit i ungjillit, ai detaji që në fillim e lamë pa e shpjeguar. Thotë Ungjilli: «Salloni i dasmës u mbush me të ftuar. Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?”» Atëherë mbreti urdhëroi që ky të nxirrej përjashta.

Në shëmbëlltyrën e Tij, Jezusi duhet të këtë pasur parasysh ndonjë zakon të zonës në të cilin, aso kohe, mund të jetë dashur ndonjë lloj petku i posaçëm për pjesëmarrjen në dasma. Ungjilltarët e apostujt, pastaj, kanë “shpejtuar” që ta marrin këtë mësim të Jezusit e ta përdorin për të treguar pastërtinë që na sjell pagëzimi, pastërti e cila është e domosdoshme nëse dëshirojmë të ushqehemi me Trupin e me Gjakun e Jezusit në Eukaristi. «Petku i dasmës», pra, simbolizon pagëzimin, pa të cilin nuk është e mundur të marrësh pjesë plotësisht në Eukaristi. E, jo rastësisht, në pagëzim, të sapo­pagëzuarit i dorëzohet edhe një petk i bardhë, si për t’i treguar se je pastruar tashmë nga mëkatet dhe se je i thirrur që, këtë pastërti ta ruash gjatë gjithë jetës.

Kjo është arsyeja për të cilën Kisha ua mëson bijve të saj pastërtinë e pagëzimit dhe ruajtjen e kësaj pastërtie. Pa to, Eukaristia nuk do të ishte më një bashkim me Hyjin, por një abuzim e nënvle­rësim i dinjitetit që ajo ka në vetvete.

Duhet mbajtur larg nesh guximi i tepruar për të marrë pjesë dosido në Meshën Shenjte. Duhet ta dimë se ekziston mëkati i sakrilegjit, që do të thotë abuzim me gjërat e shenjta. Nëse kemi mëkate të rënda, duhet të shpejtojmë që të marrim ilaçin e bekuar të rrëfimit të sinqertë, nëse duam të marrim pjesë plotësisht në misterin e Eukaristisë. Ky nuk është fanatizëm, por shenjtëri. Shën Piu nga Pietrelçina, të cilin e cituam edhe në fillim, thoshte edhe: «Më mirë kisha bosh, se sa e mbushur plot me djaj.» Më mirë kisha bosh, se sa e mbushur me njerëz që kanë ardhur aty për gjëra krejtësisht ndryshe nga ajo që kërkon shpirti i vërtetë i Meshës.

Për këtë arsye, në shëmbëlltyrën e sotme Mbreti ndihet thellësisht i fyer përballë të ftuarit që kishte ardhur aty pa «petkun e dasmës». Kështu do të ndihej me ne edhe Hyji ynë, nëse në Meshën e Shenjtë nuk do të vinim me përgatitjen e duhur. Të mos harrojmë të rrëfehemi, të pendohemi, të jemi në hir të Zotit, të ndryshojmë jetë nëse jemi në mëkate. Edhe duke i bërë të gjitha këto e prapë­seprapë nuk do të ishim kurrë të denjë për marrjen e kungimit, le pastaj duke mos i bërë.

Sa e bukur është, pra, kjo shëmbëlltyrë: ndërkohë që qortonte zemërngurtësinë e disave që i kundërshtonin planit të Hyjit që po realizohej në Jezusin në atë kohë, kjo shëmbëlltyrë paralajmëron edhe themelimin e Kishës. Por, duke paralajmëruar themelimin e Kishës, i kujton edhe secilit të krishterë të ardhshëm që ta përjetojë si duhet bashkimin me Hyjin e vet, bashkim i cili, këtu në tokë, kulmon me kremtimin e Eukaristisë. Vetëm kështu ata do të mund të bëheshin vërtetë gati për kremtimin e dasmës mistike mes Hyjit dhe njerëzimit në fundin e kohëve.

Dom Dritan Ndoci

14 tetor 2023, 10:18