Kërko

Rafah Rafah

Famullitari i Gazës: në Tokën Shenjte është ora e Mundimeve

Át Gabriele Romanelli flet për Ditën e lutjes dhe të agjërimit për paqen: është shenjë profetike, në një situatë dramatike

R.SH. – Vatikan

Njëlloj si e Premtja e Madhe e Mundimeve të Krishtit. Kështu e përshkruan famullitari i Gazës, Át Gabriele Romanelli, situatën tragjike të vendit, pa i gjetur një përshkrim më të mirë se ky Ditës së lutjes, agjërimit dhe abstenimit për paqen, që po kremtohet sot në mbarë botën, në bashkim me Tokën Shenjte. Famullitari i famullisë së vetme latine në qytetin më të populluar të Palestinës, ku ka pak më shumë se njëqind katolikë, pohon për mediat e Vatikanit se "lutja e kërkuar nga ipeshkvi, kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit, është shenjë profetike". Me zë plot emocion, meshtari tregon se është tejet i prekur që “dioqeza të shumta në gjithë globin janë bashkuar me Tokën Shenjte për t'i kërkuar Zotit ndërprerjen e çdo dhune dhe të të gjitha luftërave".

Qyteti i shkatërruar

Fotografia, që i bën Gazës Át Romanelli, bën të kalojnë para syve të dëgjuesit pamjet e një qyteti të shkatërruar pothuajse krejtësisht. Ka mijëra të vdekur dhe të plagosur, disa prej të cilëve janë ende nën rrënoja e, sipas meshtarit, “nuk janë shpëtuar e vështirë se do të shpëtojnë”. “Mungon gjithçka – shton ai – uji, elektriciteti, ushqimi, ilaçet. E, me ardhjen e shirave, filloi edhe i ftohti. Gjendje e paqëndrueshme për mijëra njerëz të shpërngulur, që kanë mbetur pa shtëpi dhe nuk dinë më ku të shkojnë”.

Heshtje dhe lutje

Át Romanelli bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve dhe për hapjen e korridoreve humanitare, që i lejojnë, veçanërisht të plagosurit, të largohen nga Gaza për mjekim. Do të ishte një dritë shprese. “Të krishterët në këtë çast, luten heshturazi. Një heshtje, që të kujton Jereminë profet: është mirë që njeriu të presë në heshtje shëlbimin e Zotit. Por, kur munden, luten intensivisht para të Shenjtnueshmit Sakrament dhe thonë Rruzaren çdo ditë”, psherëtin ai.

Afërsia e Papës

Inkurajon shumë afërsia e Papës, që merr pjesë në dhimbjen e tyre me telefonata të herëpashershme. “Kur më telefonon – rrëfen Át Romanelli – Françesku shprehet i shqetësuar për popullsinë civile në Izrael dhe Palestinë: kjo është arsyeja e thirrjeve të tij për paqen. Telefonata e fundit mbërriti dje: na kërkoi të mbrojmë fëmijët dhe na dha bekimin e tij”.

17 tetor 2023, 16:52