Kërko

Shenjtorë Shenjtorë

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti na bën shenjt, nuk mjaftojnë forcat tona

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga audienca e përgjithshme e 13 prillit 2011

R.SH. – Vatikan

Shenjtorët e dëshmojnë me forma të ndryshme praninë e fuqishme dhe shndërruese të Krishtit të Ringjallur: e kanë lënë Atë ta pushtojë kaq plotësisht jetën e tyre sa mund të pohojnë bashkë me shën Palin “nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua” (Gal 2,20). Kështu thoshte Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 13 prillit 2011, vetëm tri ditë para ditëlindjes së tij të 84-t. Kur ndjekim shembullin e tyre, vijonte ai, kur u kërkojmë ndërmjetësim pranë Zotit, kur hyjmë në bashkim me ta, “bashkohemi me Krishtin, nga i cili, si nga Gurra e nga Kryet, buron i gjithë hiri dhe e gjithë jeta e vetë Popullit të Hyjit” (Lumen gentium, 50).

Çfarë do të thotë të jemi shenjtorë? Kush është i thirrur të jetë shenjt? Shpesh, priremi të mendojmë ende se shenjtëria është horizont i rezervuar për pak të zgjedhur. Ndërsa shën Pali apostull flet për planin e madh të Hyjit e pohon: “Në të – në Krishtin – [Hyji] na ka zgjedhur përpara krijimit të botës për të qenë shenjtorë e të panjollë para Tij në dashuri” (Ef 1,4). E flet për të gjithë ne. Në qendër të planit hyjnor është Krishti, në të cilin Hyji na tregon Fytyrën e tij: misteri i fshehur prej shekujsh na zbulohet në plotësinë e Fjalës bërë njeri.

Shenjtëria, plotësia e jetës së krishterë nuk ka të bëjë me vepra të jashtëzakonshme, por me bashkimin me Krishtin, me përjetimin e mistereve të tij, me përvetësimin e sjelljeve, të mendimeve e të qëndrimeve të tij. Masa e shenjtërisë jepet nga masa, që zë Krishti brenda nesh, nga masa me të cilën e modelojmë gjithë jetën tonë sipas së tijës, me forcën e Shpirtit Shenjt.

Simund ta përshkojmë udhën e shenjtërisë, duke iu përgjigjur kësaj thirrjeje? – pyet Papa Ratzinger. - A mund ta bëjmë këtë me forcat tona? Përgjigjja është e qartë: jeta shenjte nuk është fryt, kryesisht, i përpjekjeve tona, i veprimeve tona, sepse është Zoti, tri herë shenjt (shih Is 6,3), që na bën shenjtorë, është dikimi i Shpirtit Shenjt, që na frymëzon, është vetë jeta e Krishtit të Ringjallur, që na komunikohet, e cila na shndërron.

Si mund të ndodhë që mënyra jonë e mendimit dhe e veprimit të bëhet mendim e veprim me Krishtin dhe i Krishtit? Cili është shpirti i shenjtërisë? Më duket – thoshte Benedikti XVI – se kjo është thjeshtësia dhe madhështia e vërtetë e jetës shenjte: takimi me të Ringjallurin të dielave; kontakti me Zotin, që kur fillon e deri kur përfundon dita; ndjekja e “treguesve rrugorë”, që na komunikon Zoti, kur na duhet të marrim vendime, duke pasur parasysh se ato janë forma bamirësie e dashurie. Prandaj, dishepulli i vërtetë i Krishtit ka si tipar të vetin dashurinë për Zotin e për të afërmin (shih Lumen gentium, 42). Kjo është thjeshtësia, madhështia dhe thellësia e vërtetë e jetës së krishterë, e të qenit shenjtorë.

Të gjithë jemi të thirrur në shenjtëri: është vetë masa e jetës së krishterë. Dua t’i ftoj të gjithë t’ia hapin zemrën dikimit të Shpirtit Shenjt, që na e shndërron jetën, - këshillonte Papa Ratzinger – që të jemi edhe ne si gurët e mozaikut të madh të shenjtërisë, të cilin Hyji e krijon gradualisht në histori, që fytyra e Krishtit të shkëlqejë në plotësinë e madhështisë së vet. Të mos kemi frikë të priremi drejt lartësive, drejt lartësive të Zotit; të mos kemi frikë se Hyji do të na kërkojë tepër, por të udhëhiqemi në çdo vepër të përditshme nga Fjala e Tij, edhe nëse ndihemi të varfër, të papërshtatshëm, mëkatarë: Ai do të na transformojë sipas dashurisë së Tij.

12 tetor 2023, 10:17