Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: lirinë e vërtetë na e jep Zoti

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga homelia e meshës në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetor 2005

R.SH. – Vatikan

Dashuria nuk është varësi, por dhuratë, që na bën të jetojmë – thoshte Papa Benedikti XVI në meshën e së kremtes së Zojës së Papërlyer, në vitin 2005, duke folur për dashurinë hyjnore, që i jep njeriut liri të plotë. E pastaj, shpjegonte: Liria e njeriut është liri e një qënieje të kufizuar, prandaj, ajo vetë është e kufizuar. Mund ta zotërojmë vetëm si liri të ndarë me të tjerët, në bashkësinë e lirive: vetëm nëse jetojmë në një botë të drejtë, njëri me tjetrin e njëri për tjetrin, liria mund të marrë krahë.

Jetojmë në një botë të drejtë, vetëm kur jetojmë sipas së vërtetës së qenies sonë, pra, sipas vullnetit të Zotit. Sepse vullneti i Zotit nuk është për njeriun ligj i imponuar nga jashtë, ligj i detyrueshëm, por masa e brendshme e natyrës së tij, masë e shkruar në shpirtin e  tij, që e bën t’i përngjasë Zotit e, për këtë arsye, e kthen në krijesë të lirë. Nëse jetojmë kundër dashurisë e kundër së vërtetës – kundër Zotit – atëherë shkojmë kundër njëri-tjetrit dhe e shkatërrojmë botën. Në atë rast, nuk gjejmë jetën, por u shërbejmë interesave të vdekjes.

 Duke parë botën përreth nesh, mund të shohim se e keqja na helmon gjithmonë, nuk e larton njeriun, por e përul dhe e poshtëron, nuk e bën më të madh, më të pastër e më të pasur, por e dëmton dhe e bën krejt të vogël – reflektonte më tej Joseph Ratzinger. - E këtë duhet ta mësojmë mirë: njeriu, që e lëshon krejtësisht veten në duart e Zotit nuk kthehet në marionetë të Hyjit, në një njeri të mërzitshëm e të bindur; Ai nuk e humb lirinë e tij. Vetëm njeriu, që i besohet plotësisht Zotit gjen lirinë e vërtetë, hapësirën e madhe e krijuese të lirisë së të mirës.

Njeriu, që ia ngul sytë Zotit, nuk bëhet më i vogël, por më i madh, sepse falë Hyjit e, së bashku me Të, bëhet i madh, bëhet hyjnor, bëhet vërtet vetvetja. Njeriu, që e lëshon veten në duart e Zotit, nuk largohet nga të tjerët, duke u mbyllur në historinë e tij të vogël të shëlbimit privat; përkundrazi, vetëm atëherë zemra e tij zgjohet më të vërtetë e Ai kthehet në njeri të ndjeshëm e, pikërisht për këtë arsye, në njeri mirëdashës dhe zemërhapur.

19 tetor 2023, 10:00