Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXV të vitit liturgjik 'A'
R.SH. - Vatikan
Shëmbëlltyra e Ungjillit të dielës së 25-të, gjatë vitit kishtar ‘A’, nga shën Mateu (Mateu 20,1-16) flet për punëtorët mëditës të thirrur të punojnë në vresht në orë të ndryshme dhe për bujarinë e të zotit të vreshtës, i cili u dha të gjithëve të njëjtën pagë, pavarësisht nga orët e punës . Dy janë aspektet e Mbretërisë së Zotit që Jezusi dëshiron të na i thotë: aspekti parë është se, Zoti dëshiron t’i thërras të gjithë të punojnë për Mbretërinë e vet: aspekti dytë, në fund Ai do t’ua japë të gjithëve të njëjtin shpërblim a pagë, do të thotë shpëtimin, jetën e amshuar”
“Punëtorët në vresht”: kështu, pra, quhet shëmbëlltyra, që na paraqet Ungjilli i shën Mateut, në kreun 20, në këtë të diel, e 25-ta e vitit kishtar 'A'. Kështu Jezu Krishti vijon të na shpjegojë si është Mbretëria e Qiellit dhe përdor frazën, që për të krishterët është tejet e njohur: “të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit”. Por le të njihemi me një fragment të Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu:
1 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 2 E, si u godit me punëtorët nga një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Pastaj doli dhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë, që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’ 8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën - fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë ankoheshin në të zotin e shtëpisë 12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’ 13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’ 16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”
Të lutemi së bashku:
Çfarë ndodh në familje,
në vendin e punës, ndodh edhe me secilin prej nesh,
me bashkësinë e dishepujve.
Mburremi për meritat,
e kërkojmë trajtime të veçanta,
drejtpërdrejt të lidhura
me sakrificat, lodhjen, rezultatet e arritura.
E natyrisht, është e logjikshme që të fundit
të zënë vendet me më pak prestigj.
Është e logjikshme që të mendohen shpërblime të ndryshme
sipas orëve të shërbimit, sipas mundit të secilit,
sipas besnikërisë së dëshmuar.
E, është e logjikshme edhe që kjo drejtësi,
e cila ndjek pikë për pikë
arsyetimet e njerëzve
të mos përkojë aspak
me drejtësinë e Atit Qiellor,
i cili është i dhembshur dhe i mëshirshëm.
E kështu, bien poshtë tabelat e sindikatave të kësaj bote,
përpjekjet për ta detyruar Zotin
t’u përshtatet marrëveshjeve tona.
Ti o Jezus, pretendon atëherë, të drejtën e Hyjit
për të bërë si do vetë, për të dhuruar pa kushte,
për të pranuar në Mbretërinë e vet të parët e të fundit,
pa pyetur për zilinë tonë,
për vogëlsinë e shpirtit tonë.