Kërko

Ipeshkvijtë e mbledhur në Athinë Ipeshkvijtë e mbledhur në Athinë

Në Athinë, takimi me ipeshkvijtë lindorë katolikë të Evropës: në qendër, lufta dhe familjet

Nga data 18 deri më 21 shtator, takimi vjetor me rreth 60 prelatë dhe meshtarë, me titull: "Familja në kuadrin e Kishave Katolike Lindore në Evropë". Të pranishëm, edhe nunci apostolik Pawłowski, imzot Grušas, kryetar i CCEE-së dhe don Jalakh, sekretar i Dikasterit për Kishat Lindore. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Rumani më 2024

R.SH. – Vatikan

U mbajt në Athinë të Greqisë, nga data 18 deri më 21 shtator, Takimi vjetor i ipeshkvijve katolikë lindorë të Evropës, me titull: “Familja në kuadrin e Kishave Katolike Lindore në Evropë”. Në të morën pjesë më se 60 ipeshkvij dhe meshtarë, që përfaqësonin Kishat Katolike Lindore të Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Gjermanisë dhe vendeve skandinave, Greqisë armene dhe bizantine, Bjellorusisë, Qipros, Italisë, së bashku me përfaqësues të Kishës Siro-Malabareze dhe të Kishës Siro-Katolike në diasporën evropiane.

Problemet e familjeve katolike lindore

Problemet, me të cilat ballafaqohen familjet katolike lindore sot, i paraqiti imzot Milan Lach, ipeshkëv ndihmës i Eparkisë së Bratislavës. Në shoqërinë e sotme, familjes i duhet t’i bëjë ballë një presioni të paimagjinueshëm, pohoi prelati. “Ka një luftë për familjen, pasi nëse mbijeton familja, mbijeton edhe shoqëria e, nëse familja nuk mbijeton, nuk mbijeton as shoqëria”. “Funksioni i familjes – shtoi ai – është t’i japë mundësinë secilit prej anëtarëve të saj të bëhet njeri i pjekur, që e ka të qartë identitetin e vet dhe, rrjedhimisht, të bëhet i aftë për intimitet”. Si "vepër unike dhe e papërsëritshme e Zotit, çdo njeri duhet ta njohë dhe ta zhvillojë këtë unicitet brenda vetes". E, meqë askush s’mund ta gjejë identitetin e tij në vetmi, por ka nevojë për të tjerët, familja është vendi i parë dhe i privilegjuar për këtë. Një familje e bashkuar, ku secili i kushton kohë tjetrit, jeton në dialog dhe u jep mundësinë anëtarëve të saj të kapërcejnë konfliktet dhe problemet. Nga ky këndvështrim, shoqërimi i familjeve duhet të jetë një nga përparësitë e Kishës. Në famulli, theksoi imzot Milan Lach, duhet krijuar një bashkësi për familjet e reja, në mënyrë që pas martesës të mos jenë vetëm kur përballojnë sfidat e jetës bashkëshortore. "Në Kishat Lindore, -përfundoi ai - modeli për frymëzimin e dashurisë në familjet tona gjendet në Trininë Shenjte, që është dashuri e Vetjeve Hyjnore për njëra-tjetrën”.

Përgjigja e Kishës Katolike në Evropë për luftën në Ukrainë

Imzot Bohdan Dzyurakh, ekzark apostolik për ukrainasit e ritit bizantin në Gjermani dhe Skandinavi, trajtoi çështjen e “Përgjigjes së Kishës Katolike në Evropë para tragjedisë së luftës ruse kundër Ukrainës". “Sot, familjet ukrainase po vuajnë goditjen më të rëndë dhe më të dhimbshme të kësaj lufte çnjerëzore dhe barbare. 14 milionë njerëz, veçanërisht gra, fëmijë dhe të moshuar, janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe vendet e tyre të origjinës. Lufta ka prekur zemrën e shoqërisë ukrainase dhe kjo zemër është familja”. Për këtë arsye, vazhdoi ipeshkvi Bohdan, mbështetja dhe ndihma shpirtërore, psikologjike dhe shoqërore për familjet do të vazhdojë të jetë tema kryesore "e mbledhjeve tona sinodale dhe e gjithë punës sonë baritore në Ukrainë dhe jashtë saj".

Më pas, ai shprehu mirënjohjen për solidaritetin e familjes së madhe të krishterë europiane: "Jemi ende në këmbë dhe jam i bindur se do t'u rezistojmë këtyre sprovave, sepse mbështetemi në forcën e fesë dhe në hirin e Tënzot. Ndihemi të përkrahur edhe nga solidariteti i evropianëve, veçanërisht nga vëllezërit dhe motrat tona besimtare dhe nga miliona njerëz vullnetmirë”. Së fundi, ai paraqiti përgjigjen katolike për Ukrainën, iniciativën CR4U (Catholic Response for Ukraine). Në fillim të marsit 2022, përfaqësuesit e organizatave kryesore humanitare me frymëzim katolik formuan këtë grup pune për të koordinuar veprimet e tyre në rajon. CR4U koordinohet nga Komisioni Ndërkombëtar Katolik i Migracionit (ICMC), i cili bashkon zyrat e migracionit të konferencave ipeshkvnore në mbarë botën dhe bashkëpunon ngushtë me Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor.

Takimi i ardhshëm, në Rumani

Liturgjia Hyjnore në katedralen katolike bizantine të Trinisë Shenjte në Athinë, kremtimi i mbrëmësoreve të lutjes për martirët armenë dhe për paqen në Ukrainë në Ordinariatin Katolik Armen, së bashku me shumë çaste të tjera lutjeje dhe bashkëpunimi vëllazëror, shoqëruan punimet e këtyre ditëve. Në fund të takimit u vendos tema e mbledhjes së ardhshme: “Humaniteti i meshtarit. Marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvit dhe klerit të tij”. Takimi do të mbahet në Oradea të Rumanisë, nga 17 deri më 19 shtator 2024.

25 shtator 2023, 16:51