Kërko

Dom Mark Pashkja: kontributi i Kishës katolike në fushën e arsimit në Shqipëri

Edukimi ka qenë një nga fushat kryesore, ku tradicionalisht Kisha Katolike në Shqipëri është impenjuar dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqëri. Kolegji Saverian dhe ai Ilirikum i françeskanëve janë dëshmi e qartë e këtij fakti. Në të gjithë Shqipërinë institucionet e ndryshme rregulltare, dioqezane dhe laike u impenjuan që të rikthenin shoqërisë shqiptare, pas regjimit komunist, mundësinë e një arsimimi të frymëzuar nga vlerat humane e të krishtera.

R.SH. / Vatikan

Krahas shkollave shtetërore e atyre private, edhe Kisha katolike është e angazhuar në fushën e arsimit me shkolla e institute të veta në nivele të ndryshme të formimit që ka në shumë vise të Shqipërisë. Misioni primar i Kishës për të cilin institucionet edukative luajnë një rol të rëndësishëm, përkon me aspiratën themelore të të vendit dhe kombit për të zhvilluar një shoqëri me të vërtetë të denjë ta gëzojë dinjitetin e njeriut. Po mbi misionin dhe kontributin e çmuar të Kishës katolike në fushën e edukimit e të formimit të të rinjve, për të gjithë pa dallim, na njofton dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë:

Dom Mark Pashkja

Edukimi Katolik në Shqipëri

Edukimi ka qenë një nga fushat kryesore, ku tradicionalisht Kisha Katolike në Shqipëri është impenjuar dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë. Historikisht prej institucioneve katolike, kanë dalë figura dhe personalitete të cilat kanë përcaktuar fatet e shoqërisë tonë dhe kanë ditur të orientojnë vendin tonë drejt vlerave perendimore. Kolegji Saverian dhe ai Ilirikum i françeskanëve janë dëshmi e qartë e këtij fakti.

Persekutimi komunist ndërpreu këtë traditë, duke shkatërruar dhe mbyllur çdo institucion me frymëzim të krishterë e jo vetëm.  Pas ardhjes së lirisë edhe pse mes vështirësive të shumta, Kisha katolike rimori edhe njëherë iniciativen për tu rikthyer aty ku e kishte lënë. Në të gjithë Shqipërinë institucionet e ndryshme rregulltare, dioqezane dhe laike u impenjuan që të rikthenin shoqërisë shqiptare mundësinë e një arsimimi të frymëzuar nga vlerat e krishtera. Aktualisht në Shqipëri, institucionet arsimore katolike janë të pranishme në të gjitha nivelet, duke filluar nga parashkollori  deri tek ai universitarë. Prania e tyre është e vlerësuar dhe jashtëzakonisht e kërkuar, brenda kishës dhe jo vetëm. Janë të shumta familjet që pa dallim feje, dëshirojnë tu besojnë këtyre institucioneve edukimin dhe arsimimin e fëmijve të tyre.

Pikërisht bazuar në faktin se ajo çka synojnë këto institucione, konsiston jo thjesht në një arsimim automatik të përgjithshëm por kryesisht në një edukim, i cili ka si objektiv formimin e personave me të gjitha vlerat humane, të aftë për të pasur si qëllim parësor të mirën e përbashkët, i diferencon këto realitete nga të tjerat. Brenda kësaj optike futet edhe mesazhi i Imzot Angelo Massafra si President i Komisionit të Shkollave Katolike, i cili në urimin e tij për fillimin e vitit të ri shkollor i fton të gjithë nxënësit që “ duke u rritur në aftësinë tuaj për të kuptuar fenomenet, për të mësuar gjuhët, shkencat e çdo gjë tjetër, rrituni në dëshirën tuaj për të përmiersuar botën, marrëdhëniet njerëzore dhe për të krijuar vëllazëri.”

Rrjeti i këtyre institucioneve në nivel para-universitarë shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe përfshin rreth 45 institucione ku studiojnë rreth 7300 student dhe japin mësim rreth 545 profesorë. Sigurisht që plaga e shpopullimit që ka kapluar vendin tonë ka ndikuar direkt në shifrat aktuale.

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë (Kish)

 

13 shtator 2023, 11:04