Kërko

Don Dorian Mjeshtri Don Dorian Mjeshtri

Don Dorian Mjeshtri: dialogu ndërfetar në Shqipëri, model për Kishën universale

Në përfundim të konferencës dyditore me temë: “Dialogu ndërfetar, kontributi i Shqipërisë në Ballkan”, organizuar në Romë më 28 dhe 29 shtator, në Universitetin Papnor Gregorian, reflekton për rezultatet dhe për rëndësinë e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar, orionini don Dorian Mjeshtri, koordinator i Qendrës për Bashkëpunimin Ndërfetar në Elbasan

R.SH. - Vatikan

U mbajt në Romë më 28 dhe 29 shtator, në Universitetin Papnor Gregorian, një konferencë dyditore me temë: “Dialogu ndërfetar, kontributi i Shqipërisë në Ballkan”. Organizuar nga Qendra e Studimeve Ndërfetare në ateneun e jezuitëve dhe nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan, themeluar vite më parë me kontributin e besimeve fetare – katolik, ortodoks, mysliman e bektashi dhe tani, edhe ungjillor – ky takim studimor, ku morën pjesë ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe Italia, u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, me Fakultetin e Filozofisë së Gregorianës dhe me Fondacionin e jezuitëve Magis. Gjithashtu, pati patronazhin e Institutit “Pjetër Meshkalla” të Shkodrës, të Provincës Orionine të Italisë “Nëna e Provanisë Hyjnore”, si edhe të ambasadës së Shqipërisë dhe të asaj të Italisë në Selinë e Shenjtë. Ambasadorja shqiptare, Majlinda Dodaj dhe ai italian Francesco di Nitto përshëndetën pjesëmarrësit.

Argumentet e trajtuara gjatë dy ditëve variuan nga sfidat e dialogut ndërfetar në Shqipëri, në identitetin e dialogut ndërfetar nërmjet politikës e teologjisë; nga liria fetare dhe dialogu ndërfetar si vlerë universale e lokale në rolin e grave në dialogun ndërfetar; nga një reflektim filozofik mbi reletivizmin fetar e shekullarizimin në rolin e shkollave të krishtera në Shqipëri; nga stili pedagogjik i jezuitëve në Shqipëri në veprimtarinë e Veprës Pijore; nga sfidat e shoqërisë shqiptare në planin psikologjik në kontributin e Kishës ortodokse në dialogun ndërfetar në Shqipëri. Nën udhëheqjen e drejtorit të Qendrës së Studimeve Ndërfetare në Gregoriana, prof. Ambrogio Bongiovanni, u alternuan sekretari i Dikasterit Vatikanas për Dialogun Ndërfetar, imzot Indunil J.K. Kodithuwakku; zv.rektori i Gregorianës, At Pino Di Luccio; rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, prof.dr. Skënder Topi; Kryetari i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar të Elbasanit, Arben Ramkaj; koordinatori i saj, orionini don Dorian Mjeshtri; koordinatorja e departamentit të gruas në të njëjtën Qendër, Rudina Çollaku; At Mario Imperatori, jezuit që ka shërbyer për vite me radhë në Shqipëri; i dërguari i veçantë për mbrojtjen e lirisë fetare dhe të dialogut ndërfetar në Ministrinë e Jashtme Italiane, Andrea Benzo; dekani i Filozofisë në Gregoriana, At Gaetano Piccolo, i cili ka shërbyer për dy vite në Shqipëri; dekania e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Elbasanit, prof. Elisabeta Osmanaj; Sekretari rajonal i jezuitëve për Evropën Jugore, At Lello Lanzilli, që ka punuar e shërbyer për vite me radhë në Tiranë e në Shkodër; pedagoget e Universitetit të Elbasanit, Eriada Çela, Migena Kapllani dhe prof. Elona Mustafaraj, si edhe doktorandi i Fakultetit të Misiologjisë në Gregoriana, Stevan Miniç.

Përveç reflektimeve të vyera, një nga rezultatet më të vlerësuara të këtyre dy ditëve ishte memorandumi i bashkëpunimit, nënshkruar nga Universiteti Gregorian dhe nga ai i Elbasanit. Për këtë, për Qendrën e Bashkëpunimit Fetar në Elbasan, duke prekur edhe rëndësinë e modelit shqiptar për dialogun ndërfetar në procesin sinodal të Kishës Katolike, flet në mikrofonin e Klaudia Bumçit, pikërisht njëri nga pjesëmarrësit në takim, orionini don Dorian Mjeshtri…

Dëgjo don Dorian Mjeshtrin
30 shtator 2023, 16:21