Kërko

Comece në BE: embrionet nuk mund të barazohen me gjakun dhe me indin njerëzor

Në ditën e votimit të rregullores për trajtimin e “substancave me origjinë njerëzore” në Parlamentin Europian, ipeshkvijtë e kontinentit kërkojnë ndryshime në përkufizimin e këtij termi, i cili është tejet i gjerë sa mund të shkaktojë probleme në respektimin e dinjitetit njerëzor. Sekretari i Comece-s, Át Barrios Prieto: është një tekst i domosdoshëm, por kërkojmë disa sqarime. U ritheksua rëndësia e formimit të politikanëve dhe të funksionarëve evropianë

R.SH. – Vatikan

“Vendosja e embrioneve në të njëjtin nivel me qelizat dhe indet nuk është gjë e mirë. Nuk respektohen veçoritë dhe dinjiteti i embrionit njerëzor, rëndësia e tij si qenie njerëzore, që duhet mbrojtur. Mendojmë se kjo duhet të sqarohet”. Kështu, Át Manuel Enrique Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece – Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të vendeve anëtare të BE-së - shpreh në emër të ipeshkvijve të kontinentit të vjetër shqetësimin për "Rregulloren mbi parametrat e cilësisë dhe të sigurisë për substancat me origjinë njerëzore të destinuara të përdoren për qeniet njerëzore”, e cila u votua dje (12 shtator) në Parlamentin Evropian.

Rregullore vendimtare për të ardhmen

Teksti, i cili do të jetë baza e dialogut ndërinstitucional me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian për një dispozitë mbi këtë temë, lexohet në deklaratën e përbashkët të Comece-së dhe të Komisariatit të Ipeshkvijve gjermanë të Berlinit, “do të karakterizojë diskutimin e ardhshëm mbi jetën e njeriut para lindjes në legjislacionin farmaceutik dhe në atë të transplanteve, duke ndikuar kështu në debatin e vazhdueshëm për forcimin e kujdesit shëndetësor në Bashkimin Evropian e duke shtruar çështje të shumta etike dhe kushtetuese në vendet anëtare të BE-së”.

"Substancat me origjinë njerëzore - SoHO"

Ipeshkvijtë evropianë shprehin shqetësimin e tyre për përkufizimin e termit "substancë me origjinë njerëzore" - në anglisht, Substance of Human Origin, shkurtuar SoHO. Në rregullore, ky term i referohet gjakut dhe indeve dhe, përsa i përket sektorit të mjekësisë riproduktive, ka të bëjë jo vetëm me qelizat germinale të pafertilizuara – si sperma, ovocitet dhe ovocitet e degjeneruara - por edhe me embrionet e fetuset.

Një tekst i domosdoshëm, për t’u sqaruar

“Indet dhe qelizat njerëzore përdoren për praktika mjekësore shumë të ligjshme, shumë të dobishme dhe jetëshpëtuese, si transfuzioni”, shpjegon Át Barrios për mediat e Vatikanit. “Pra ky është legjislacion është i nevojshëm. Por dyshimi ynë lind nga mënyra e përkufizimit të SoHO, sepse është tepër i gjerë dhe përfshin embrionet njerëzore". Kjo rregullore, lexohet më tej në njoftimin për shtyp, mund të ndikojë në përdorimin e embrioneve dhe të fetuseve të vdekura, si dhe në përdorimin alternativ të embrioneve të tepërta të prodhuara in vitro, që nuk janë implantuar qëllimisht në mitër. Për shkak të përkufizimit të gjerë, ekziston shqetësimi se edhe fetuset, që nuk janë ende të pavarur në fazat prenatale të zhvillimit mund të konsiderohen SoHO. Kjo mund të sjellë edhe seleksionimin e embrioneve për të zgjedhur vetëm ata, që janë të shëndetshëm e për t’i abortuar të tjerët. Ipeshkvijtë e Comece-së kërkojnë sqarime, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës është detyrë e çdo të krishteri.

13 shtator 2023, 15:20