Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtorët janë reformatorë të vërtetë

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga lutja me të rinjtë, në Këln, më 20 gusht 2005 dhe, nga Engjëlli i Tënzot i 1 nëntorit 2005

R.SH. – Vatikan

Të lumët e shenjtorët janë njerëz, që nuk kërkuan lumturinë e tyre me çdo kusht, por thjesht, deshën ta dhuronin vetveten, sepse u rrezatuan nga drita e Krishtit. Këto janë fjalët, që Benedikti XVI u thoshte të rinjve nga e gjithë bota, mbledhur në gusht të vitit 2005, në Këln, për Ditën e tyre Botërore. Kështu, - vijonte Papa, i cili bënte udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar - shenjtorët na tregojnë rrugën për t’u bërë të lumtur, na tregojnë si mund të arrijmë të bëhemi njerëz vërtet humanë.

Në ngjarjet e ndryshme të historisë, ata kanë qenë reformatorët e vërtetë, që shpesh e kanë ngritur vetë historinë nga luginat e errëta, ku ka gjithnjë rrezik të bjerë, në mënyrë të përsëritur. Ata e kanë shndritur sërish atë aq sa ishte e nevojshme për t’i dhënë mundësinë – ndoshta, edhe në dhimbje – ta pranojë fjalën e kumtuar nga Zoti, në përfundim të veprës së Tij të Krijimit: “Është gjë e mirë”. Duke i kundruar këto figura mësojmë se ç’do të thotë “të adhurosh” e ç’do të thotë të jetosh sipas foshnjës së Betlehemit, sipas Jezu Krishtit e vetë Hyjit.

Shenjtëria e kapërcen barrierën e vdekjes

Duke vazhduar reflektimin e tij mbi shenjtorët e mbi ndikimin e tyre në jetën e secilit, Papa Ratzinger, në Engjëllin e Tënzot të 1 nëntorit 2005, thoshte: Jeta e re, marrë në Pagëzim, nuk i nënshtrohet korrupsionit dhe pushtetit të vdekjes. Për atë, që jeton në Krishtin, vdekja është kalim nga shtegtimi tokësor në atdheun qiellor, ku Ati i Gjithëpushtetshëm i mbledh të gjithë bijtë e vet, “nga çdo komb, racë, popull e gjuhë”. “Bashkimi i shenjtorëve”, që e përmendim në Besojmë, është realitet, i cili fillon e ndërtohet këtu, në këtë jetë, por që do të manifestohet plotësisht kur ta shohim Hyjin “ashtu siç është” (1 Gjn 3,2).

Është realiteti i një familjeje të bashkuar nga lidhje të thella solidariteti shpirtëror, që i bashkon besimtarët, të cilët nuk janë më në këtë jetë, me ata, që janë ende shtegtarë nëpër botë. Lidhje e mistershme, por e vërtetë, e ushqyer nga lutja e nga pjesëmarrja në sakramentin e Eukaristisë. Në Korpin mistik të Krishtit, shpirtrat e besimtarëve takohen, duke kapërcyer barrierën e vdekjes, luten për njëri-tjetrin, realizojnë me dashuri një shkëmbim intim dhuratash. Në atë përmasë të fesë kuptohet edhe praktika e zakonshme e ofertës së lutjeve për të vdekurit, sidomos oferta e meshës, e Flisë eukaristike, që na kujton Pashkët e Krishtit, të cilat u hapën besimtarëve udhën e jetës së amshuar.

21 shtator 2023, 08:48