Kërko

Shpallaja e disa shenjtorëve në Vatikan Shpallaja e disa shenjtorëve në Vatikan

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtorë, pra, asgjë para Krishtit

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga audienca e përgjithshme e 6 korrikut 2005, nga takimi me seminaristët gjermanë në Këln, më 19 gusht 2005 dhe nga lutja me të rinjtë, po në Këln, një ditë më pas

R.SH. – Vatikan

Që nga amshimi jemi para syve të Zotit dhe Ai ka vendosur të na shpëtojë- thoshte Papa Ratzinger në audiencën e përgjithshme, më 6 korrik 2005. Thirrja hyjnore për secilin prej nesh përmban në vetvete “shenjtërimin e jetës”, fjalë tejet e madhe dhe e rëndësishme. Shenjtërim do të thotë pjesëmarrje në çiltërsinë e Vetjes hyjnore. E dimë se Zoti është dashuri. Prandaj, pjesëmarrja në çiltërsinë hyjnore do të thotë pjesëmarrje në “dashurinë” e Hyjit, do të thotë t’i përngjasim Hyjit, që është “dashuri”. “Zoti është dashuri” (1 Gjn 8,8.16): kjo e vërtetë na ngushëllon e na bën të kuptojmë se “shenjtëria” nuk është realitet larg nga jeta jonë, por aq sa mund të bëhemi njerëz, të cilët e duan Zotin, aq hyjmë në misterin e “shenjtërisë”. Agape – bashkimi e festa ndërmjet të krishterëve – bëhet kështu, realitet i përditshëm. Kështu, zhvendosemi në horizontin e shenjtë e jetësor të vetë Zotit.

Sekreti i shenjtërisë dhe i miqësisë me Krishtin është pranimi i vullnetit të tij me besnikëri - u thoshte Benedikti XVI seminaristëve të Këlnit. “Krishti është gjithçka për ne”, pohonte Shën Ambrozi; e Shën Benedikti kërkonte që para dashurisë së Krishtit, askush të mos vendosë gjë tjetër. Krishti të jetë gjithçka për ju. Atij ofrojini ç’keni më të çmuar, siç sugjeronte Papa Gjon Pali II: arin e lirisë suaj, kemin e lutjes më të zjarrtë, mirrën e dashurisë suaj më të thellë.

 Mbretërit Dijetarë, ardhur nga Lindja, janë vetëm të parët e një aradheje të gjatë burrash e grash, që në jetën e tyre, kërkojnë vazhdimisht me sy yllin e Hyjit, kërkojnë atë Zot, i cili na qëndron pranë ne njerëzve e na tregon rrugën – vijonte Jospeh Ratzinger në lutjen me të rinjtë, gjithnjë në Këln. Është kjo aradhe shenjtorësh – të njohur e të panjohur – përmes të cilëve, Zoti, gjatë gjithë historisë, hap para nesh Ungjillin dhe i shfleton faqet e tij; e këtë vazhdon ta bëjë edhe tani. Në jetët e shenjtorëve, ashtu si në një libër të madh me figura, zbulohet pasuria e Ungjillit. Ata janë gjurma e ndritshme e Zotit, që Ai vetë e lë gjatë historisë e vazhdon ta lërë.

14 shtator 2023, 09:15