Kërko

Shenjtërorja e Zojës Bekuar në Fatima në pritje të Papës Shenjtërorja e Zojës Bekuar në Fatima në pritje të Papës

Françesku në Fatima, rektori i Shenjtërores: "Françesku kthehet të lutet për paqe"

Rektori i Shenjtërores së Zojës së Bekuar të Fatimës, At Carlos Cabecinhas: Papa rikthehet këtu që të lutet për paqen. Ky është pikërisht vend lutjeje, që njerëzimi t’u japë fund luftërave e t’ia hapë të gjitha rrugët e mundshme paqes! Edhe të rinjtë, në gjunjë për këtë, para Zojës.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku do të arrijë në heliportin e Fatimës nesër, e shtunë, 5 gusht, pak para orës 9 të mëngjesit me orën lokale të Portugalisë, i mirëpritur nga ipeshkvi i Leiria-Fatima e nga kryetari i bashkisë. Pas rreth pesëmbëdhjetë minutash, do të jetë në Shenjtërore të Zojës Bekuar për fazën e fundit të shtegtimit të tij apostolik në Portugali me rastin e DBR-së së Lisbonës. Parashikohet menjëherë një xhiro me papamobil ndërmjet besimtarëve dhe më pas hyrja në Kapelën e Dukjeve të Virgjrës Mari, ku nderohet Shtatorja e Zojës së Fatimes, për një çast lutjeje personale të heshtur. Në vijim, lutja e Rruzares Shenjte me të rinjtë e sëmurë. Do të ketë edhe një shkëmbim të vogël dhuratash: dy fëmijë do t'i ofrojnë Papës lule, të cilat ai do t'i vendosë te këmbët e Virgjërës Mari, ndërsa Françesku do t'u dhurojë një rruzare të artë.

Fatima: një vend lutjeje për paqe

At Carlos Cabecinhas, rektor i shenjtërores së Zojës Bekuar në Fatima, duke folur para mikrofonave të Vatican News, thekson rëndësinë e kësaj vizite të Papës për të rinjtë e pranishëm në DBR dhe në mbarë botën:

At Cabecinhas, Papa Françesku rikthehet në Fatima: çfarë prisni nga kjo vizitë?

Natyrisht, është gjithmonë shumë e rëndësishme dhe domethënëse për ne prania e një Pape dhe, në këtë rast, e Papës Françesku në këtë shenjtërore. Françesku ishte këtu me rastin e njëqindvjetorit të dukjeve të Virgjërës Mari, më 2017-tën e tani deshi të kthehej përsëri në këtë vend. Mendoj se kthehet sidomos që të lutet për paqe. E lutja për paqe është pjesë e mesazhit të Fatimes. Më 25 mars të vitit të kaluar Papa ia kushtoi Rusinë dhe Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Marisë dhe dërgoi këtu kardinalin Krajewski si legatin e tij, për të bërë gjithashtu aktin e lëshimit në duart e Zojës. Kjo do të thotë se për Papën ky është një vend lutjeje për paqen.

Prandaj do të vijë Papa Françesku: do të vijë të lutet për paqen, por edhe me të rinjtë. Të rinjtë e sëmurë do të jenë më pranë Papës në Kapelën e Dukjeve, zemra e Shenjtërores. Mendoj se ky do të jetë çast veçanërisht i rëndësishëm në kuadrin e Ditës Botërore të Rinisë. Nga ana tjetër duhet të nënvizojmë se në këto ditë rinore ka shumë të rinj - siç shihet - që vijnë këtu për të vizituar Shenjtëroren, por edhe për të dëgjuar mesazhin e Zojës, që këtu na kujton se Zoti duhet të zërë kryet e vendit në jetën tonë. E ky është edhe mesazhi, që të rinjtë e kërkojnë këtu.

04 gusht 2023, 12:21