Kërko

Niger, ipeshkvijtë afrikanë: të shmangen konfliktet e gjakderdhjet

Prelatët e Ceraos, Cebn dhe Nigerisë denoncojnë rrezikun që, pas grushtit të shtetit, vendi të bëhet një "Libi e dytë". Pas skadimit të ultimatumit, po shkohet drejt shtyrjes së afatit në mbledhjen e ardhshme të Ecowas-it, ditën e enjte. Paralajmërimi i Burkina Fasos, Malit dhe Guinesë: një sulm i mundshëm do të ishte shpallje lufte për ne

R.SH. – Vatikan

           “Jo” përdorimit të forcës në Niger, që ka rrezik të kthehet në një “Libi të dytë”. Konferenca Ipeshkvnore e Afrikës Perëndimore (Cerao) dhe imzot Lauren Debiré, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Burkina Fasos e Nigerit (Cebn), shprehin shqetësimin për pasojat e puçit ushtarak të 26 korrikut në Niger. Njëkohësisht, nuk mungojnë solidariteti kishtar dhe afërsia shpirtërore me vendin afrikan. Në një mesazh, ipeshkvijtë e Afrikës Perëndimore sigurojnë mbështetjen për klerin e Nigerit, duke garantuar se nuk janë "indiferentë para vuajtjeve" të javëve të fundit në vend. Konferenca Ipeshkvnore e Afrikës Perëndimore (Cerao) nënvizon sidomos rolin, që duhet të luajnë prelatët nigerinë për të ruajtur paqen, "duke filluar nga më e rëndësishmja, lutja për zgjidhjen paqësore dhe përfundimtare të krizës aktuale".

Ipeshkvijtë e Nigerit dhe të Burkina Fasos: “jo” ndërhyrjes së armatosur

Nga ana e tij, imzot Dabiré shpreh "shqetësim të madh" për ipeshkvijtë e këtyre dy vendeve të Sahelit. Ai jep alarmin për faktin se dikush mendon që "spektri i luftës" mund të jetë ndër zgjidhjet e parashikuara për t'i dhënë fund krizës, gjë që mund ta kthejë Nigerin në një "Libi të dytë", ndërsa pasojat katastrofike të destabilizimit vazhdojnë të shkaktojnë "vuajtje të tmerrshme për popullsinë e Sahelit". Prandaj, ipeshkvijtë e Afrikës Perëndimore e hedhin poshtë "zgjidhjen e përdorimit të forcës" dhe “ndërhyrjen e armatosur” të propozuar nga ECOWAS, Bashkësia Ekonomike e Shteteve të Afrikës Perëndimore.

Ipeshkvijtë e Nigerisë: të mos shpërdorohen jetë të çmuara

Edhe Konferenca e Ipeshkvijve të Nigerisë shpreh kundërshtimin e saj ndaj luftës. Me një deklaratë të kreut të saj, imzot Lucius Iwejuru Ugorji, kryeipeshkëv i Owerrit, i kërkohet presidentit nigerian Bola Ahmed Tinubu t’ua mbushë mendjen krerëve të shteteve të ECOWAS-it që të mos hyjnë në luftë kundër puçistëve, "për të shmangur gjakderdhjen, që do të ishte pasojë e ndërhyrjes ushtarake”. "Kemi humbur shumë jetë në Afrikë – pohohet në deklaratë - kemi humbur edhe jetë të çmuara në Nigeri, prandaj, nuk mund të vazhdojmë me këtë tmerr, cilado qoftë arsyeja”.

“Jo” zgjidhjes ushtarake, “po” diplomacisë

Ndërkaq, Bashkimi Evropian flet për një hapësirë ​​të mundshme ndërmjetësimi, të paktën deri të enjten, ditë në të cilën do të mbahet takimi i Ecowas-it, të cilit BE-ja i garanton mbështetje të plotë, pasi “ai është institucioni përgjegjës për zgjidhjen e gjendjes në Niger". Kujtojmë se më 26 korrik, Forcat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë së Nigerit (FDS) njoftuan se rrëzuan nga pushteti presidentin Mohammed Bazoum, zgjedhur në vitin 2021, duke krijuar një organ të quajtur Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP), udhëhequr nga gjenerali Abdourahamane Tiani, ish-kreu i gardës presidenciale. Disa vende dhe organizata, duke përfshirë OKB-në dhe Bashkimin Evropian, e dënuan puçin dhe bënë thirrje për kthim në rendin kushtetues. Tri ditë më vonë, Bashkimi Afrikan kërkoi që brenda pesëmbëdhjetë ditëve të rivendosej "autoriteti kushtetues". Bashkësia Ekonomike e Shteteve të Afrikës Perëndimore (Ecowas) vendosi sanksione financiare, duke kërkuar lirimin e presidentit Bazoum dhe kthimin e pushtetit qeverisë legjitime civile. Ultimatumi skadoi më 6 gusht, prandaj, nesër do të mbahet një takim emergjence në Abuja.

Ultimatumi i vendeve fqinje

Burkina Faso dhe Mali, vendet fqinjë të Nigerit, si edhe Guinea, në mesazhet e tyre nënvizojnë se një ndërhyrje e armatosur do të ishte "shpallje lufte" kundër vetë këtyre vendeve. Edhe presidenti algjerian, Abdelmajid Tebboune, hodhi poshtë çdo ndërhyrje ushtarake në Niger, pasi ajo do të ishte "kërcënim i drejtpërdrejtë për Algjerinë". Shumë vende të tjera mbështesin opcionin diplomatik për zgjidhjen paqësore të krizës. Pritet mbledhja e nesërme për zhvillime të mëtejshme.

08 gusht 2023, 17:18