Kërko

Kryqi mbi katedralen e Shën Jozefit në Bagdad Kryqi mbi katedralen e Shën Jozefit në Bagdad

Nëntë vite më parë, të krishterët, “tharmi i paqes” për Irakun, u përzunë nga Pllaja e Ninives

Në natën ndërmjet 6 dhe 7 gushtit 2014, rreth 120.000 të krishterë irakianë u detyruan të largoheshin nga Pllaja e Ninives, pas njëzet shekujsh pranie në rajon, për shkak të dhunës së milicëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Don Renato Sacco, këshilltar italian i Pax Christi-t: "Tani ata janë kthyer me shumë përpjekje dhe vështirësi, por edhe me shpresë të madhe"

R.SH. – Vatikan

         U kujtua dje përvjetori i një katastrofe, që la gjurmë të pashlyeshme në popullsinë e Irakut. Nëntë vjet më parë, në natën ndërmjet 6 e 7 gushtit 2014, të krishterët irakianë, të shtyrë nga dhuna e Isisit, u detyruan të largoheshin nga Pllaja e Ninives për të kërkuar strehim në Kurdistanin irakian. Një eksod i vërtetë për këtë pakicë historike, me rrënjë të thella në rajon. Don Renato Sacco, këshilltar italian i Lëvizjes katolike ndërkombëtare për paqen “Pax Christi”, tregon për Radio Vatikanin - Vatican News situatën e ndërlikuar, që po kalon popullsia e zonës: "Ardhja e Shtetit Islamik dhe pushtimi i Mosulit sollën më pas edhe këtë arratisje e tmerrshme - shpjegon ai - në të cilën më se 120.000 vetë lanë gjithçka për të shpëtuar jetën, duke u larguar nga shtëpitë me pizhama dhe duke i ngarkuar të afërmit e tyre të sëmurë në automjete të improvizuara".

Afërsia e Papës

Pikërisht për këtë arsye, në mars 2021, Françesku shkoi në ato territore - Papa i parë, që udhëtoi në atë zonë të Lindjes së Mesme - për të mbështetur viktimat e tragjedisë. “Jo vetëm të krishterët, por edhe myslimanët jazidë – nënvizon don Sacco – sepse Papët kanë qenë gjithmonë pranë popullit. Të mos harrojmë kur Gjon Pali II e përcaktoi luftën si aventurë pa kthim". Për don Sacco-n, shtegtimi i Atit të Shenjtë në Irak pati rëndësi të jashtëzakonshme, “pasi Papa ishte i vetmi autoritet perëndimor, që vizitoi qytetet irakiane, simbol i dhimbjes dhe i vuajtjes”. Vizita e tij ishte shenjë afërsie për të gjithë - të krishterë dhe jo të krishterë - që fton t’i shohim me sy plot dhembshuri të gjitha zonat e botës, viktima të luftës.

Pengesat e kthimit në shtëpi

“Të krishterët janë kthyer me shumë vështirësi në Pllajën e Ninives, për shkak të shtëpive të shkatërruara dhe bombave të pashpërthyera – vazhdon këshilltari italian i Pax Christi-t – por edhe me shumë shpresë. Kisha i ka ndihmuar shumë të krishterët irakianë pikërisht duke e mbajtur gjallë këtë shpresë”. Për meshtarin, në këtë territor, duhet ushqyer besimi në të ardhmen, “thelbësor, nëse merren parasysh vuajtjet, që Iraku vazhdon të përjetojë pas vitesh lufte". Një atmosferë tensioni, që jo vetëm vijon, por që - siç kujton don Sacco - është gjithnjë e më e mprehtë "siç dëshmohet nga njoftimi se Patriarku Sako, disa javë më parë, u largua nga Bagdadi për t'u tërhequr në lutje në një manastir". Këto situata e ndërlikojnë edhe më shumë jetën e përditshme të popullsisë së detyruar të jetojë, siç nënvizon këshilltari i Pax Christi-t në mikrofonin e Radio Vatikanit, “në një vend, që është gjithçka përveçse i qetë, ku Perëndimi ka ende përgjegjësi të mëdha, por ku të krishterët janë, siç thotë Ungjilli, tharmi i shpresës dhe i paqes së Irakut”.

08 gusht 2023, 13:25