Kërko

Imzot Jacques Mourad Imzot Jacques Mourad

Mourad: jezuitët Vad der Lugt dhe Dall’Oglio, martirët e rinj të Sirisë

Në bisedë me kryeipeshkvin katolik sirian të Homsit, në Siri, i cili, në vitin 2015, u rrëmbye nga xhihadistët dhe u arratis pas pesë muajsh robëri. Ai kujton dëshminë e dhënë nga dy rregulltarët jezuitë: "I pari, për të gjithë sirianët, është shembull besnikërie ndaj Jezu Krishtit; i dyti është martir i gjallë, sepse jeton gjithmonë në kujtesën e Kishës"

R.SH. – Vatikan

         Rrëmbyer në vitin 2015 në Siri dhe i mbajtur për pesë muaj nga xhihadistët e Shtetit Islamik para se të arrinte të arratisej, Át Jacques Mourad, kryipeshkëv siro-katolik i Homsit, e ka ndjerë veten tepër pranë martirizimit. "Kthehu, ose do të të presim kokën," i thanë robëruesit. Këto fjalë, të thëna si ultimatum, e vunë murgun e thjeshtë të atëhershëm të manastirit Mar Elian para kushteve të tij rregulltare. "Isha në udhëkryq – pohon ai në mikrofonin e Radio Vatikanit / Vatican News - të vazhdoja ta mbaj kryqin deri në vdekje me Krishtin, për dashurinë e Kishës dhe për shpëtimin e botës apo të hiqja dorë e ta lija mënjanë edhe thirrjen në jetën e shuguruar". U ndie i sigurt se dëshironte të mbante kryqin e Krishtit e jo vetëm kaq. "Mendova edhe për robëruesit e mi", pohon kryeipeshkvi i sotëm i Homsit. "Dhurata që kam marrë gjatë kësaj përvoje - shton ai - është t'i shikoj këta njerëz, këta xhihadistë, me frymën e lutjes për t'i kërkuar Zotit t'u shndrisë zemrat që të bëjnë kthesë. Jo për mua, por për shpëtimin e tyre dhe për paqen në botë". Ky besim i ripërtërirë e i plotë në Zotin "më çliroi nga çdo frikë", vazhdon prelati: "Kur përballemi me vdekjen, njëfarë ndjenje frike na depërton në shpirt. Sa herë që e ndjeja këtë frikë thoja Rruzaren e frika zhdukej dhe shndërrohej në guxim”.

Koha e kaluar si peng i xhihadistëve, kohë hiri

“Sot e konsideroj atë përvojë si hir të veçantë – nënvizon imzot Mourad. - Një hir, që filloi ditën e tetë, pak para perëndimit të diellit”. Kryeipeshkvi siro-katolik i Homsit kujton se në fund të javës së tij të parë si peng, pati një vizitë nga guvernatori i Raqqa-s, pa e ditur se njeriu përballë tij ishte kreu i të vetëquajturit Shtet Islamik në Siri. “Kur e pyeta: pse na keni marrë peng, çfarë të keqe kemi bërë?”, lideri islamik u përgjigj: “Konsiderojeni këtë kohë si ushtrime shpirtërore”. “Përgjigja e tij ma tronditi jetën”, vëren kryeipeshkvi, duke e pranuar se nuk i priste kurrë fjalë të tilla nga një lider ekstremist, në krye të njërit prej grupeve më gjakatare, armik i betuar. “Megjithëse për një dishepull të Krishtit nuk ka armiq. E, nëse do të kishim një të tillë, jemi të ftuar ta duam - këshillon kryeipeshkvi i Homsit. - Si mund ta duash një armik, që dëshiron të të vrasë dhe ti dëshiron ta vrasësh? Këtu qëndron misteri i dashurisë së Krishtit, i cili na u zbulua qartë kur tha në kryq: 'O Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë'". Jacques Mourad u arratis në muajin e pestë të burgosjes, i ndihmuar nga një i ri mysliman, i cili, së bashku me rreth pesëmbëdhjetë të tjerë, organizuan arratisjen e dhjetëra pengjeve. "Hyji donte të më shpëtonte në këtë botë që të mund të vazhdoja t’i shërbeja dhe të dëshmoja një parim të rëndësishëm të Ungjillit: nëse do paqen, fillo duke e hapur zemrën".

Martirizimi i jezuitit Frans Van der Lugt

Një vit para rrëmbimit të imzot Jacques Mourad, po në Homs, u vra në kopshtin e manastirit ku ndodhej, jezuiti holandez Frans Van der Lugt. Prandaj, në vitin 2015, kryeipeshkvi aktual i Homsit e dinte saktësisht se çfarë e priste nga xhihadistët. “Át Fransi ishte për mua dhe për gjithë sirianët, shembulli i besnikërisë ndaj Jezu Krishtit. Ai ia kushtoi jetën dashurisë për Sirinë dhe për popullin sirian”. Shembulli i tij, vazhdon imzot Mourad, është ai i Krishtit të mishëruar, i cili u sjell të gjithëve mesazhin e dashurisë së Atit Qiellor, "e shpëtimi i vërtetë mund të vijë vetëm përmes dashurisë dhe vetëmohimit".

Varri i jezuitit holandez Frans Van der Lugt
Varri i jezuitit holandez Frans Van der Lugt

Paolo Dall'Oglio, martir i gjallë

Më pas, kryeipeshkvi i Homsit kujton një tjetër jezuit, Paolo Dall'Oglio, për të cilin nuk ka asnjë lajm që nga viti 2013. Me rastin e 10-vjetorit të zhdukjes së tij, më 29 korrik, u kremtua një meshë në Romë, në kishën e Shën Injacit të Lojolës. Në kremtim mori pjesë edhe imzot Mourad. Ai dhe Át Dall'Oglio kanë jetuar pothuajse 30 vjet së bashku. Dhe së bashku restauruan manastirin e Mar Moussa. Njihen që nga viti 1986. “E kam njohur Át Paolon siç e njoh veten time dhe e kam dashur siç e dua vetveten. Për mua ai është martir i gjallë. Martir, që jeton gjithmonë në kujtesën e Kishës dhe të popullit të Zotit". Át Paolo mbështeti shumë njerëz, që vinin nga të gjitha anët për ta takuar, shpjegon kryeipeshkvi. "Nëse mbledhim mesazhet dhe letrat e marra, ose të dërguara prej tij, mund të bëhet një enciklopedi", pohon imzot Mourad me buzëqeshje. "Ishte gjithmonë aty për të gjithë, për të vegjël e të mëdhenj; për injorante e për të ditur; për besimtare e për këdo tjetër".

Paolo Dall'Oglio në qendër të bashkësisë së manastirit Mar Moussa
Paolo Dall'Oglio në qendër të bashkësisë së manastirit Mar Moussa

Lutja na ndihmon ta jetojmë lirinë, që na është dhënë nga Zoti

Duke iu kthyer rrëmbimit të tij nga xhihadistët, imzot Mourad shpjegon se ta mbash tjetrin peng është gjëja më e keqe, që mund t'i bësh njeriut të krijuar sipas shëmbëllimit me Zotin, "krijuar i lirë, i lirë për të menduar, i lirë të flasë, i lirë të lëvizë". “Hyji na e ka dhënë këtë hir”, sqaron ai, prandaj, pengmarrja është “ veprim kundër vullnetit të Zotit”. Në këtë kuadër, “e vetmja praktikë, që ndihmon për të jetuar këtë liri thelbësore është lutja, sepse ajo na bën të dalim nga vetvetja për të qenë me Zotin e për të jetuar me ata që duam”. “Mund të dëshmoj se ishte e vetmja gjë, që i dha kuptim burgosjes, jetës sime të përditshme”. Në mënyrë paradoksale, përfundon prelati, periudha e pengmarrjes ishte "koha më bujare e jetës sime shpirtërore, e marrëdhënieve të mia me Zotin dhe me Virgjërën Mari".

10 gusht 2023, 12:46