Kërko

Liderët fetarë afrikanë në takimin e Nairobit Liderët fetarë afrikanë në takimin e Nairobit

Krerët fetarë afrikanë diskutojnë strategjitë për daljen nga krizat aktuale

Katolikë dhe ekspertë të feve të ndryshme u mblodhën në Nairobi të Kenias, për të gjetur propozime dhe bashkëpunime konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për rimëkëmbjen e Afrikës

R.SH. – Vatikan

         Në Nairobi të Kenias, u mbajt një takim dyditor, organizuar nga Kisha Katolike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të emërtimeve të ndryshme të krishtera, të myslimanëve dhe të popullsive indigjene, ku u diskutuan rrugët e mundshme për të dalë nga krizat aktuale, që prekin krejt kontinentin afrikan.

Krizat e Afrikës

Në Deklaratën përfundimtare, që u nënshkrua në përfundim të kësaj konference, veçohen pikërisht disa nga këto kriza, si “ndikimi i pandemisë Covid-19, pasiguria e ushqimit, ndryshimet klimatike, humbja e biolarmisë, mungesa e ujit, sistemet problematike shëndetësore, konfliktet, terrorizmi dhe borxhet".

Takimi, i mbajtur në datat 7 e 8 gusht, vuri në dukje rolin e feve e të Kishës Katolike në veçanti, e cila luan një rol vendimtar, në sajë të “impenjimit të saj të gjatë për të promovuar drejtësinë shoqërore dhe dinjitetin njerëzor" në gjithë Afrikën.

"Rrjeti i gjerë i institucioneve arsimore, strukturat për kujdesin shëndetësor dhe programet e shërbimeve sociale” të Kishës, pohohet në deklaratë, "ndikojnë mbi miliona jetë, duke dhënë zgjidhje, sipas kontekstit, për çështjet e ndryshme të kontinentit".

Kriza kritike e borxhit të jashtëm

Dokumenti përfundimtar i nënshkruar nga krerët e fesë katolike dhe të emërtimeve të tjera të krishtera, si edhe nga ata të feve myslimane dhe indigjene, e vë theksin mbi krizën kritike të borxhit të jashtëm, e cila ndikon mbi "shpenzimet në fushën shoqërore për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm global dhe  për ato të klimës".

Krerët fetarë shqyrtuan gjendjen ekonomike të Afrikës, duke filluar nga fundi i viteve ‘90, kur "bashkësitë fetare bënin pjesë në lëvizjen Jubilare për të thyer zinxhirin e borxhit të jashtëm në vendet në zhvillim". Me afrimin e vitit të ri jubilar, "ky premtim mbetet i paplotësuar", vërejnë ata.

Zgjidhja e pabarazive

"Jemi më se të kënaqur me faktin se krerët e botës dhanë 130 miliardë dollarë për lehtësimin e borxheve, duke ndihmuar shtimin e financimeve për reduktimin e varfërisë" pranohet në dokument. Por, "pa zgjidhur pabarazitë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe sfidat e qeverisjes vendore në Afrikë, barra e borxheve, që s’mund të paguhen, vijon të rëndojë".

“Sot, vendet afrikane kanë kolektivisht më se 1,1 trilion dollarë borxh të jashtëm dhe 25 prej tyre janë në krizë të thellë, pikërisht për shkak të borxheve". "Rritja e interesave për huatë nga ekonomitë kryesore botërore dhe ngadalësimi i ritmeve të zhvillimit bëjnë që pagesa të mos përfundojë kurrë", vënë në dukje liderët fetarë, duke denoncuar prirjen për shtimin e kostos së jetesës.

Investimet dhe betejat

Nevojiten investime të mëdha "për të shpëtuar planetin, bazë edhe për jetën në Afrikë e kudo, pasi dritarja, që kemi në dispozicion për këtë po mbyllet me shpejtësi” nënvizojnë ata. Deklarata i lidh betejat e vendeve të varfra për t’iu përgjigjur “pasojave shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore” të pandemisë Covid-19 me "uljen e dukshme të investimeve në shëndetësi, arsim, ushqim dhe mbrojtje shoqërore".

Nevojitet impenjim

         Dokumenti përcakton disa fusha veprimi për të përballuar krizat kritike. Së pari, një proces për reduktimin e borxhit, "që u garanton huamarrësve mundësinë për të kërkuar dhe për të arritur me shpejtësi reduktimin e pagesave të borxhit, të paktën në masën e duhur për të mbrojtur zhvillimin e nevojshëm të vendit dhe investimet klimatike".

Krerët fetarë u bënë thirrje vendeve afrikane "të miratojnë ligje, rregullore dhe praktika, që përcaktojnë përgjegjësi të sakta për huadhënien dhe huamarrjen" në mënyrë që "të parandalojnë cikle të reja borxhi". Politika të tjera të nevojshme do të ishin “mundësia për kredi me koncesion" dhe lufta kundër "vjedhjes së fondeve publike dhe kundër korrupsionit të të gjitha llojeve" në administrimin financiar.

"Testament i fuqishëm"

Në deklaratë, takimi quhet "jo thjesht mbledhje, por testament i forcës kohezive të unitetit ndërfetar, urtisë dhe impenjimit të përbashkët për drejtësinë". "Të bazuar në Shkrimet e Shenjta dhe në bindjet tona morale", theksojnë së fundi krerët fetarë, duam t’i trajtojmë nga ky këndvështrim e me vendosmëri, “çështjet urgjente të borxhit, qeverisjes dhe pabarazive shoqëroro-ekonomike, që e mundojnë kontinentin afrikan".

09 gusht 2023, 14:06