Kërko

Trasfigurazione di Cristo, il vangelo della domenica Trasfigurazione di Cristo, il vangelo della domenica

Fjala e Zotit e solemnitetit të Shndërrimit të Jezu Krishtit

Lavdia hyjnore që shndrit mbi fytyrën e Krishtit të shndërruar nuk shërben për të na çuditur, por për të na garantuar zanafillën hyjnore të Jezusit. Ai është Biri i dashur, që Ati Qiellor e dërgoi për të shpëtuar botën.

R.SH. / Vatican News

Këtë të diel Kisha katolike romake kremton solemnitetin e Shndërrimit të Jezu Krishtit. Kisha Lindore e quan festën e Shndërrimit të Zotit, “Pashka e verës”, sepse në të shohim lavdinë e Hyjit, që duket në Birin e Tij Jezus; të njëjtën lavdi që do të shkëlqejë në Ngjallje.

Fjala e Zotit Shndërrimi Jeu Krishtit Zot

Në Leximin e parë të liturgjisë së Fjalës së Zotit, vizioni i Danielit profet për një person të ngjashëm me birin e njeriut, shihet si profecia për Mesinë, që do të luftojë e do të fitojë kundër së keqes, pasi ka në dorë çdo pushtet. Ja përse, në Ungjillin e këtij solmeniteti nga Mateu, Jezusi përdor për vetveten fjalët “bir i njeriut”, të cilat përsëriten shpesh. Në Leximin e dytë, Letra e dytë e shën Pjetrit apostull përmban dëshminë e kreut të apostujve për vizionin, që pati në mal. Ai vetë thotë se dëgjoi Zotin, që i ftonte apostujt të ndiqnin Birin e Tij. Lavdia hyjnore që shndrit mbi fytyrën e Krishtit të shndërruar nuk shërben për të na çuditur, por për të na garantuar zanafillën hyjnore të Jezusit. Ai është Biri i dashur, që Ati Qiellor e dërgoi për të shpëtuar botën. 

Rreth tetë ditë pasi i paralajmëroi apostujt për Mundimet e Tij, Jezusi thërret tre më të afërmit prej tyre dhe ngjitet me ta mbi mal. Pjetri, Gjoni dhe Jakobi shohin kështu, Krishtin e shndërruar, që shkëlqente në dritë e në Lavdi, në shoqërinë e Moisiut dhe Elisë profet, të cilët flasin për vdekjen e afërt të Jezusit në Jeruzalem. Në atë çast, apostujt bien në gjumë të thellë, sepse mendja e tyre s’mund ta mbante gjithçka po përjetonin. Zgjohen të mbështjellë nga një re, prej së cilës Zoti iu flet dhe i këshillon ta dëgjojnë Jezusin, që e quan “Biri im - i Zgjedhuri”.

Festa e Shndërrimit të Zotit është pjesë e misterit të shëlbimit dhe na kujton çastin kur Jezusi, pasi paralajmëroi për Mundimet e Tij, thirri në mal tre apostujt më të dashur dhe iu duk atyre i shndërruar, plot shkëlqim, veshur me një bardhësi verbuese. Festa e Shndërrimit të Zotit e shpreh në mënyrën më të plotë të mundshme teologjinë e hyjnizimit të njeriut dhe e bën këtë përmes shprehjes së hyjnisë së Krishtit, simboli i së cilës është drita.

Parashikuar nga Besëlidhja e Vjetër, Shndërrimi i Krishtit është edhe dukje trinitare: vërtet, ndërsa Biri Jezus shfaqet me korpin e tij të shndërruar, por gjithsesi prej mishi e gjaku, Ati Hyj është i pranishëm me zë, ndërsa Shpirti Shenjt Hyj, përfaqësohet nga reja e ndritshme.

Në skenën e Shndërrimit të Jezusit mbi mal, prania e Moisiut dhe Elisë, krahas asaj të tre apostujve, nënvizon natyrën e dyfishtë të Krishtit, i cili është si njerëzor, ashtu edhe hyjnor, por paraqet edhe themelet e vetë Kishës. Zakonisht, Moisiu vendoset në të djathtë, duke i dhënë Jezusit rrasat e ligjit; Elia profet, është aty simbol i të gjithë profetëve dhe në fakt, tregon me gisht Krishtin: objektin e profecive të tyre, Mesinë.

Jezusi, në mesin e tyre, nuk erdhi për ta shfuqizuar ligjin, ose për t’i kundërshtuar profetët, por për t’i çuar të dy drejt plotësimit, që të gjithë të shohin drejt një të vërtete të vetme, Zotit. Poshtë ndodhen apostujt, të cilët, para së gjithash, janë njerëz dhe si të tillë gabojnë: mjafton të shikojmë Pjetrin, i cili propozon të qëndrojnë atje, duke ngritur tri tenda. Gabimet e tyre, pamundësia e tyre për të kuptuar, e pandashme nga natyra njerëzore, janë ato të secilit prej nesh.

Festa e Shndërrimit të Krishtit Zot është një ngjarje e madhe që na fton ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit, duke i hapur sytë e zemrës për të parë misterin e dritës së Zotit, i cili fiton mbi pushtetin e errët të së keqes.                                                          

                                                                                 Liturgjia e Fjalës

Dan 7, 9-10.13-14

Lexim prej Librit të Danielit profet

Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti u ul. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tij zjarr i ndezur flakë! Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miriada miriadash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat!

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.

Fjala e Zotit. Falenderojmë Hyjin!

 

Psalmi 97 (96)

Zoti mbretëron, le të galdojë toka,
--- --- ---

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,

le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij,

e drejta e drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Para fytyrës së zotit si dylli

Shkrihen malet,

Para fytyrës së zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,

Të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

Sepse ti je, o zot,

I tejetlarti mbi mbarë dheun,

Ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

2Pjt 1, 16-19

Lexim prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, ne nuk ju shpallëm fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sy të tanë shkëlqimin e tij. Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga lavdia e madhërueshme i tha: “Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa” – të cilin zë, që zbriste nga qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në malin e shenjtë. Kështu u vërtetua fjala e profetëve, dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët – deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.   

Fjala e Zotit. Falenderojmë Hyjin!

 

Aleluja! Aleluja!

Prej resë u dëgjua zëri: Ky është Biri im, djali i Dishiri! Atë dëgjoni!

Aleluja!

 

Mt 17, 1-9

Nga Ungjilli i shenjtë sipas Mateut 

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri”. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

SHNDËRRIMI I ZOTIT TONË JEZU KRISHTIT: KY ËSHTË BIRI IM I DASHUR.

6 Gusht

(Dan 7, 9-10. 13-14; Ps 97 (96); 2 Pjt 1, 16-19; Mt 17, 1-9)

Është interesante të dimë se, ndër të gjitha mrekullitë që Jezusi ka bërë gjatë jetës së Tij publike, vetëm për këtë episod të mrekullueshëm të Shndërrimit të Tij mbi «një mal të lartë», që sipas traditës është Mali Tabor në Galile, Kisha ka një festë që e përkujton në mënyrë të veçantë. Këtë episod, me sa duket, e kishin shumë për zemër edhe apostujt, duke qenë se edhe tre ungjijtë sinoptikë na e sjellin gati njësoj tregimin e tij dhe po ashtu bën edhe Shën Pjetri në letrën e tij të dytë, sikurse e dëgjuam në leximin e dytë.

Rëndësinë e këtij episodi në jetën e Jezusit e gjejmë jo vetëm tek fakti që ka shumë prani të së mbinatyrshmes në të, por edhe detajet që e mbështjellin atë episod kanë një domethënie shumë të rëndësishme në lidhje me misterin e Krishtit.

Por, e thamë, me sa duket, ky episod i mrekullueshëm ka qenë gjithnjë shumë i dashur dhe plot me domethënie edhe për Kishën e shekujve në vazhdim. Festa e sotme i ka fillesat e veta qysh në she­kullin VII, atëherë kur mbi Malin Tabor u ndërtuan dy bazilika që iu kushtuan këtij misteri në jetën e Jezusit. Megjithatë, për t’u përhapur në mbarë Kishën Katolike, do të duhej të kalonin shumë shekuj, sepse vetëm në shekullin XV Papa do ta vendoste këtë festë në kalendarin romak.

Nga Ungjilli dimë se pak ditë para se të ndodhte ky episod i mrekullueshëm, Jezusi u kishte thënë apostujve se «i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallej.» (Mt 16, 21). Përballë këtyre fjalëve, apostujt ishin turbulluar thellë. Aq shumë ishin turbulluar, saqë Pjetri i ishte afruar Jezusit dhe kishte filluar ta qortonte se ato gjëra nuk duhej t’i ndodhnin Atij. Më mirë të mos e kishte bërë atë qortim i shkreti Pjetër, sepse mori nga Jezusi një qortim edhe më të rreptë: «Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!» Por, me gjithë qortimin që i bëri Pjetrit dhe të tjerëve, Jezusi e mirëkuptonte ligështimin e zemrave të apostujve të Tij të dashur, kur dëgjuan se Mësuesi i tyre, pas të cilit kishin zgjedhur të shkonin, pas pak kohe do të vritej. Prandaj Jezusi mori me vete tre prej tyre, njëri prej të cilëve ishte pikërisht edhe Pjetri, dhe shkoi në atë mal të lartë dhe «u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita». Ato përshkrime që dëgjuam në leximin e parë se Danjeli profet i bënte kur fliste për «Birin e njeriut», pra për Mesinë, i shohim se përafërsisht plotësohen në këtë episod të mrekullueshëm të jetës publike të Krishtit.

Por forca e vërtetë e kësaj mrekullie do të fillonte të shfaqej pas pak, atëherë kur apostujt vunë re se, pranë Jezusit të lavdishëm u shfaqën dhe po flisnin me Të edhe Moisiu dhe Elia. Duhet ta kenë kuptuar se cili ishte Moisiu dhe cili ishte Elia pikërisht nga përmbajtja e asaj që ata «po bisedonin me të». Ungjilli i Lukës na informon edhe se ata po flisnin pikërisht për Vdekjen dhe Ngjalljen e Jezusit që pas pak do të ndodhte: «Bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë, që do ta bënte se shpejti në Jerusalem.» (Lk 9, 31).

Moisiu përfaqësonte Ligjin, kurse Elia-Profetët. Fakti se ata kishin qendër të veten në ato çaste Jezusin, dëshmonte se Ligji dhe Profetët e gjejnë plotësinë e tyre në Jezusin, Birin e Hyjit të bërë njeri, që do të vdiste e do të ngjallej.

«Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë», ndërhyri Pjetri, përballë gjithë asaj madhështie, i bindur se tashmë u plotësua ardhja e fuqishme e lumturisë mesianike. Por Pjetri duhej ende të mësonte shumë nga Mësuesi i Tij Hyjnor. Patjetër që në lavdinë e Mesisë ata do të kishin pjesë një ditë, por duhej të përballeshin me Kryqin, për ta kuptuar më saktë mënyrën se si ky Mesi do ta shëlbonte botën. Prandaj, «ende pa e kyer ai fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!» Ati, nga brenda resë që simbolizonte gjithnjë Praninë Hyjnore, bën këtu dëshminë e Tij të drejtpërdrejtë mbi Birin e vet, duke ua zbuluar apostujve edhe më qartë identitetin e vërtetë të Jezusit. Jezusi nuk është njëri prej profetëve apo njerëzve të mëdhenj të kësaj bote, por është vetë Biri i amshuar i Atit të amshuar: «Hyj prej Hyji, Dritë prej Drite», themi tek Besojma. E, duke u thënë «Atë dëgjoni!», Ati u tregon apostujve se u duhej të vazhdonin të mësonin nga Biri i Tij, për të arritur shëlbimin. U duhej të vazhdonin ta ruanin besimin në Të edhe përballë “shkandullit të kryqit” që së shpejti do të ndodhte. E kështu na thotë edhe të gjithëve ne Hyji Atë: na duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë Birin e Tij, edhe përballë kryqeve të ndryshme në jetë. E, sidomos në rastet kur i kërkojmë Hyjit ndonjë shenjë dashurie, Ati nuk mund të na thotë tjetër gjë veçse të na tregojë Birin e Tij dhe të na përsërisë: «Atë dëgjoni!», sepse nuk mundet të na dhurojë tjetër shenjë më të fuqishme dashurie sesa Birin e Tij.

Plus këtyre, mrekullia e Shndërrimit të Krishtit, i ka ndihmuar apostujt dhe Kishën të kuptojë edhe se të gjithë ne jemi të thirrur që ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë në përngjasimin e Jezusit. Shpirti Shenjt na ndihmon që të jemi së bashku me Jezusin në çastet e kryqeve, derisa një ditë edhe ne të marrim pjesë në plotësinë e lavdisë së Krishtit. Atë ditë mbi atë mal Jezusi u tregoi apostujve vetëm një vezullim të lavdisë së Tij, edhe pse bëhej fjalë për një vezullim të cilin ata kurrë më nuk do ta harronin, kaq e madhe ishte lavdia që panë. Por shpresa e krishterë na mëson se, falë Mëshirës Hyjnore dhe falë meritave të Krishtit, ne do të bëhemi pjesëtarë të një lavdie të pashprehshme.

Kisha i drejtohet kështu Hyjit në lutjen e tretë eukaristike, kur lutet për dikë që ka ndërruar jetë: «Atje Ti do të fshish çdo lot prej syve tanë, atje do të të shohim ty, Hyjin tonë, ashtu siç je, atje do të bëhemi të ngjashëm me ty për amshim dhe do të të lëvdojmë ty pa mbarim, nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin i jep botës çdo të mirë.»

Dom Dritan Ndoci

06 gusht 2023, 14:56