Kërko

La moltiplicazione dei pani e dei pesci da Gesù La moltiplicazione dei pani e dei pesci da Gesù

Fjala e Zotit tё dielës sё 18-tё gjatë vitit kishtar "A"

Krishti është i vëmendshëm përballë nevojave materiale, por dëshiron të na dhurojë diçka më shumë, sepse njeriu ka gjithnjë uri për diçka më shumë, ka nevojë për diçka më tepër. Në bukën e Jezu Krishtit është e pranishme dashuria e Hyjit; në takimin me Të, mund të themi se ushqehemi me Hyjin e gjallë, hamë me të vërtetë ‘bukën që zbret nga qielli’.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës të së dielës: kësaj here të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës sё Zotit tё dielës sё 18-tё gjatë vitit kishtar "A"

Fjala e Zotit tё dielës sё 18-tё gjatë vitit kishtar A

Pas mësimeve mbi Mbretërinë e Hyjit, Mateu ungjilltar, kёtё tё diele, trajton një pyetje tjetër, pyetje e vjetër e pëherë aktuale: kush është Jezusi? Kësaj pyetjeje, përgjigjen e së cilës do ta gjejmë disa herë në Ungjill në mënyrë të qartë, por gati gjithmonë nga goja e Pjetrit, ungjilltari – e më të edhe liturgjia – i jep përgjigje graduale, në mënyrë që ai që sheh të mund të shoh edhe më tepër, e kush nuk do të shoh mbetët në verbësinë e vet. Kështu pra, fillon autodëftimi i Mesisë që do të ketë kulmin e vet kur centurioni romak do të klithë pranё Krishtit tё kreyqёzuar: më të vërtetë ky është Biri i Zotit.

Ungjilli ripohon se Jezusi dëftohet porsi Ai që e realizon profecinë e Izaisë (Leximi Parë). Eshtë fjala për Mesinë e premtuar, por edhe për Mojsiun e ri, i cili në shkretëtirë ka dhembëshuri për popullin e vet dhe i jep bukë, e buka sipas fjalorit që përdor Mateu – mori, bekoi, e ndau, ua dha – bëhët profeci e Eukaristisë që ne kremtojmë në Meshën e Shenjtë. 

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na tregon për shumëzimin e bukëve nga ana e Jezu Krishtit, gjest hyjnor që dëfton dhembëshurinë e Jezusit, thirrjen drejtuar dishepujve të vet për t'u bërë bashkëpunëtorë të tij, për të qenë veprimtarë të mёshirёs Hyjnor në mesin e njerëzve nevojtarë. Leximet e Meshës e trajtojnë Fjalën e Zotit dhe bukën si ushqim shpirtëror e trupor, buka gurrë për jetën shpirtërore e për mirëqenien trupore, dhuratë e dashurisë Hyjnore dhe thirrje solidariteti e bujarie mes njerëzve.

Krishti, pra, nё Ungjillin e kёsaj sё diele na kujton përgjegjësitë tona: të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i ndihmuar ata njerёz, të cilët vuajnë nga uria e nga etja. Në këtë kohë pushimesh nuk duhet t’i harrojmë të tjerët, që ravgojnë duarthatë në shtigje të njё jete mё tё denjё. T’i hapim duart e zemrat, për t’i ndihmuar, sepse kalojnë çaste të rënda prove.

Ungjilli, pёrmes mrekullisё sё shumëzimit të bukëve e të peshqve, pohon se Krishti e ushqen turmën e uritur, por me këtë gjest nuk na jep recetën e nevojshme për të shuar urinë e popujve të botës, nuk e zgjidh as dramën e urisë, që vijon në rrjedhë shekujsh. Por na kujton se është e ndaluar të rrimë duarlidhur, të shikojmë me sy indiferent, njeriun që vuan. Pёrmes Ungjillit tё kёsaj sё diele Jezusi na drejton ftesën për vepra bamirësie e pёr ndarje të përbashkët të të mirave materiale e shpirtërore. Fjala e Zotit na kujton se çdo njeri ka nevojë të përhershme për bukë e për ujë, pёr solidaritet. 

                                                                              Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Lexim prej Librit të Isaisë profet (55, 1-3)

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të rrojë! Me ju do të lidh besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.” Fjala e Zotit.

Psalmi 145
Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo krijesë

Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde,
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (8, 35.37-39)

Vëllezër, kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Fjala e Zotit. 

ALELUJA, aleluja.

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë,
e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Aleluja

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (14, 13-21)


Në atë kohë, kur Jezusi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar – në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij këmbë prej qyteteve. Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurit e tyre. Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: “Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëshoj njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.” Jezusi u përgjigj: “Nuk është nevoja të shkojnë: jepnu ju të hanë!” Ata iu përgjigjën: “S’kemi këtu por pesë bukë e dy peshq.” Jezusi vijoi: “M’i bini këtu!” Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës. Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj. Fjala e Zotit

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XVIII GJATË VITIT: NËSE MË DËGJONI MUA, DO TË HANI ÇKA ËSHTË E MIRË.

(Is 55, 1-3; Ps 145 (144); Rom 8, 35. 37-39; Mt 14, 13-21)

Duke lexuar pjesën e sotme ungjillore, vëmendja jonë ndalet gati vetvetiu tek mrekullia e bujshme e shumimit të bukëve dhe peshq­ve, duke rrezikuar që t’i ndajmë rreshtat që tregojnë mrekullinë, nga rreshtat që u paraprijnë atyre. Thotë Ungjilli i sotëm se Jezusi dëshironte të shmangej në vetmi drejt një vendi të pabanuar, por, kur doli nga barka, «pa një turmë të madhe njerëzish» që po e prisnin në bregun ku ishte nisur. E në fakt, kur turma e kishte kuptuar se për ku ishte nisur Jezusi, ajo u nis në këmbë për tek ai vend: «Kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve». E, përballë gjithë këtij mundi që kishin bërë me shumë nxitim gjithë ai popull, Jezusi ka reagimin më të bukur të një bariu: «Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.»

Ndjenja dhembshurie dhe mrekulli shërimi. Te dyja këto duhen parë së bashku në Jezusin, sepse rrezikojmë që ta keqkuptojmë Personin e Tij. Nëse i kemi parasysh te dy këto aspekte, atëherë do ta kup­tojmë se Jezusi, mrekullitë nuk i bënte për të tërhequr vëme­ndjen e publikut e as për të kënaqur shijet e atyre që kërkonin shenja spektakolare, por vetëm si shenja të dashurisë dhe të dhembshurisë që Ai ka ndaj njeriut në vuajtje.

Vetë Shën Mateu që i tregon ngjarjet e Ungjillit të sotëm, thotë pak kapituj më përpara se Jezusi nuk pranoi të bënte mrekulli kur disa farisenj e skribë ia kërkuan ato si shenja për të vërtetuar madhështinë e Tij, por i nisi duarbosh duke u thënë se e vetmja shenjë që atyre do t’u jepej, do të ishte vdekja e ngjallja e Birit të njeriut (12, 38-42), si e vetmja shenjë në gjendje të prekë sadopak zemrat e atyre që zhyten në mëkatet e krenarisë e të urrejtjes. Ndërsa të tjerëve, atyre të thjeshtëve që e kërkonin sinqerisht Personin e Tij, Jezusi nuk do t’ua kursente kurrë dorën e Tij bujare. Duket sikur në këtë formë Zoti i dallon njerëzit dhe mban krahun e dikujt më shumë se dikujt tjetër, por mendoj se pikërisht kjo aftësi e Jezusi që disave t’u bëjë mrekulli e disa të tjerëve t’u ofrohet si shenja e vërtetë e mundësisë për kthim me vdekjen e ngjalljen e Tij, tregojnë Zemrën e Tij të madhe.

Në jetën e të Lumit Dom Luigj Prendushi, tregohen disa dëshmi vërtet të bukura, që duket sikur e mishërojnë edhe njëherë gjithë atë që paraqiste Jezusi për njerëzit e kohës së Tij. Apo më saktë, duket sikur, në personin e këtij martiri, Jezusi po bëhej edhe një herë shenjë dhe Bari i dhembshur. Dom Luigji do të pushkatohej nga komu­nistët në vazhdën e urrejtjes sistematike që këta njerëz kishin kundër klerit katolik në atë kohë. Por është interesante të shohim se, në mes të gjithë martirëve të tjerë në Shqipërinë e atyre viteve, Dom Luigjit Zoti i kishte dhënë edhe dhuratën e mrekullive.

Ja disa dëshmi: «Shumë herë të sëmurët rëndë dhe pa shpresë për të mbijetuar, kanë rifituar shëndetin falë Dom Luigjit, i cili vinte stolën e tij mbi kokën e të sëmurëve dhe u lutej pareshtur Jezusit dhe Virgjërës Mari. Madje një herë një njeri e mori veten, edhe pse ishte në një komë të thellë dhe të pakthyeshme. Një herë tjetër e thirrën me ngut, sepse një grua ishte shumë rëndë, kishte konvulsione dhe nuk arrinte të fliste. Disa thonin se kishte djallin në trup. Kurr arriti aty, Dom Luigji vuri stolën tek koka e saj dhe u lut me shumë devocion. Si për mrekulli, gruaja e qetësua dhe pas pak u shërua plotësisht.»

Një besimtar nga Mali i Gjymtit, Shkodër, do dëshmonte se një herë, kur të mbjellat e tij ia kishin pushtuar karkalecat dhe po i shkatërronin gjithçka, shkoi dhe thirri Dom Luigjin për të bërë një bekim të asaj are. Pasi Dom Luigji e bëri bekimin, u drejtuan për tek shtëpia e fshatarit për të pirë nga një kafe. I shqetësuar, fshatari vazhdimisht e pyeste nëse bekimi do të kishte sukses. Dom Luigji i tha: «Ne e bëmë tonën, tani gjithçka e ka në dorë Zoti.» Kur dolën jashtë, panë se karkalecat ishin larguar të gjithë nga ara dhe kishin kaluar malin.

Edhe një farë Marije Mirashi do të dëshmonte në gjyqin kishtar se nëna e saj kishte qenë një herë në fill të vdekjes dhe menjëherë thirrën Dom Luigjin. Ky shkoi, bëri një lutje shumë të gjatë dhe e përsëriti disa herë me durim, deri sa e ëma u shërua krejtësisht e nuk i pati më ato probleme shëndetësore deri sa vdiq shumë vite më vonë, në moshën 82-vjeçare.

Atyre që rrudhin vetullat përballë dëshmive të tilla, nuk e di përse më vjen t’u them se nuk do të ngurronin të besonin nëse në këto rreshta do të përshkruanim ndonjë skandal apo ndonjë thashe­theme tjetër. Por shenjtërve u ka interesuar vetëm që të bëheshin prani e gjallë e Krishtit Bari e asgjë tjetër. Pikërisht për këtë arsye Dom Luigji thuhej se jetonte shumë i varfër dhe shpeshherë udhë­tonte nëpër malet e Komanit e të zonave përreth në dëborë, si edhe duke përshkuar edhe lumin e ftohtë mes shumë rreziqeve, për t’u çuar njerëzve sakramentet. Pikërisht për këto arsye edhe kur erdhi komunizmi, përballë mundësisë që pati për t’u larguar për në Itali, ai refuzonte të largohej dhe pranoi të bëhej edhe shenjë për atë kate­gori njerëzish të mbushur me urrejtje. Thoshte: «Dua të vdes me veladon! Këtu më ka thirrur Zoti që të shërbej dhe këtu dua të vdes!» Edhe kur në burg një ushtar e tallte se pse nuk e hiqte veladonin, ai ia ktheu: «Jam më mirë kështu!» Pas shumë torturash dhe pas një gjyqi me dëshmitarë të rremë, e pushkatuan në Shelqet, Vau i Dejës, në janarin e vitit 1947, në prani të popullit që ia dëgjoi fjalët e fundit: «Nuk kam asgjë për të thënë, jam i pafajshëm. Rrnoftë Krishti Mbret!»

Këta njerëz, pra, pranuan të bëhen shenjë e gjallë e Jezusit i cili, mrekullitë nuk i bënte për të shuar kureshtjen e turmave, por si shenja të dashurisë së Tij prej Bariu të vërtetë e, nga ana tjetër, ishte i gatshëm që ta dhuronte edhe vetveten për shëlbimin e të gjithëve.

Prandaj edhe mrekullia e shumëzimit të bukëve që Jezusi bën menjëherë pas, ka në vetvete dy tipare të rëndësishme: ajo është njëkohësisht shenjë se Zoti përsëri po kujdesej për popullin e vet, ashtu siç ishte kujdesur dikur për popullin e zgjedhur gjatë shteg­timit të tij në shkretëtirë dhe, nga ana tjetër, ajo paralajmëronte edhe themelimin e Eukaristisë, në të cilën vetë Jezusi do t’i dhurohej botës së Bukë e gjallë që sjell shëlbimin.

Megjithatë, Jezusi nuk e bën këtë mrekulli prej asgjëje, por përdorë pesë bukët dhe dy peshqit që kishin apostujt me vete. Apostujt, të shqetësuar për gjithë atë turmë, kur panë se po afrohej mbrëmja, i thanë Jezusit që t’i niste ata në fshatrat përbri që të blinin ndonjë gjë. Por u befasuan kur dëgjuan se Jezusi u tha: «Jepuni ju të hanë!» Bëhej fjalë për rreth pesëmijë meshkuj, pa numëruar gratë e fëmijët. Por Jezusi u thotë se ishte e mjaftueshme që atë pak që kishin, t’ia jepnin Atij: «M’i bini këtu!» Jezusi nuk vepron nga asgjëja. Dëshiron, ndërkaq, që apostujt e Tij ta kuptojnë se, në të ardhmen, kur do të nisen për të ungjillizuar mbarë botën, do të jetë e mjaftueshme që ato pak dhurata që kanë në vetvete, t’ia paraqesin Jezusit, sepse pastaj Ai do të dijë si t’i shumëzojë për dobinë e turmave të pafund. Këtë duhet të bëjë Kisha gjithnjë. Por i duhet të mos i lërë gjithçka Jezusit në dorë, sepse Ai e pret atë pak që Kisha mund të bëjë.

Pastaj, duke treguar se si ndodhi mrekullia, ungjilltari me dashje thekson gjestet që bën Jezusi: «I mori pesë bukët e dy peshqit, i drejtoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.» Janë fjalë të cilat ungjilltari do t’i përsërisë edhe kur do të për­shkruajë themelimin e Eukaristisë: «Jezusi, mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve.... Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha...». Jezusi, pra, nuk po bënte lojëra shpejtësie për të mahnitur turmat, por po e lidhte këtë mrekulli me mrekullinë e madhe të Eukaristisë, në të cilën Ai do t’i dhurohej botës për faljen e mëka­teve. Pastaj, gjestet që bën Jezusi, janë të gjitha të mbushura me lidhjen e ngushtë që Ai ka me Atin e Tij («i drejtoi sytë kah qielli, i bekoi») dhe me nxënësit e Tij («ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës»), të cilët pastaj do të ishin hallka lidhëse e Tij me botën. Siç ndodhi edhe me Eukaristinë.

Pikërisht në lidhje me Eukaristinë, pastaj, do të merrnin kuptim edhe fjalët që dëgjuam në leximin e parë, ku Zoti i drejtohet popullit të Izraelit duke i thënë: «Ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua, do të hani çka është e mirë e do të shijoni ushqime të shijshme!». «Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme.», shton Zoti. E Jezusi gjatë darkës së fundit me apostujt e Tij, do të bëjë të kuptohet se ato profeci të Besëlidhjes së Vjetër bënin fjalë pikërisht për këtë Mister të madh të Eukaristisë: «Ky është gjaku i Besëlidhje së Re.» Sa herë që marrim pjesë në Eukaristi, i dëgjojmë këto fjalë dhe zhytemi edhe ne në Shëlbimin që na sjell Flija plot mëshirë e Krishtit Zot, e cila na mban në ecjen tonë drejt shëlbimit të amshuar. Edhe ne, atëherë, mund të themi së bashku me Shën Palin: «Kush do të mund të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështi­rësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.»

Për të Lumin Dom Luigj Prendushin që e përmendëm më sipër, ekzsiton edhe kjo dëshmi domethënëse: «Për të gjithçka ishte lutje, pendesë e flijim dhe gjithçka shkonte kah Eukaristia, të cilën e kremtonte çdo ditë dhe nga e cila pambarimisht merrte energji gjithnjë të freskëta dhe frytdhënëse.»

Dom Dritan Ndoci

05 gusht 2023, 10:04