Kërko

Vangelo della XIX Domenica A - Gesù calma tempesta Vangelo della XIX Domenica A - Gesù calma tempesta

Fjala e Zotit e së dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fjala e Zotit e kësaj së diele na propozon tri figura biblike: Elinë, Palin e Pjetrin. Këta personazhe për shumë aspekte përngjajnë shumë me ne, sepse me momente entuziazmi, dëshpërimi, frike e euforie, e jetojmë udhën e fesë me luhatje.

R.SH. - Vatican News

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së fjalës së Zotit të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë 'A', sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës së 19-të gjatë vitit kishtar

Fjala e Zotit e Dielës së 19-të gjatë vitit kishtar

Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të përshkojmë udhën e fesë dhe të lëshojmë jetën tonë krejtësisht e plotë besim në duar të Zotit Atit Qiellor. Ungjilli i dielës së 19-të nga Mateu (14,22-33), na paraqet Jezusin, që ecën mbi ujë dhe i fton apostujt të bëjnë të njëjtën gjë, pa frikë. 

Më se një herë, Jezusi i nxit dishepujt e vet të mos kenë frikë, sepse fytyra e Zotit, që Ai erdhi ta bëjë të njohur mbi tokë, nuk karakterizohet as nga zemërimi e as nga inati, por nga dhembshuria e mëshira. Kështu dëshmon se njeriu, ashtu si Elia profet, mund t’i afrohet Zotit, të ngjitet në malin ku ndjen praninë e Tij e ta dëgjojë Atë, që flet në fshehtësinë e zemrës dhe perceptohet si të ishte një pëshpërimë e lehtë e erës, siç përshkruhet në Leximin e Parë të liturgjisë së fjalës së kësaj së diele.

Faqja e Ungjillit të kёsaj sё diele nga Mateu na rrёfen pёr Jezusin, i cili, pasi tërhiqet në një skaj të vetmuar në mal, lutet gjithë natën. Kështu Jezu Krishti Zot, larg njerëzve e edhe larg dishepujve, tregon lidhjen e ngushtë me Atin Qiellor e nevojën për t’u lutur në vetmi, larg zhurmave të botës. Por ky largim nuk duhet kuptuar si qëndrim indiferent ndaj njerëzve, e aq më pak, si braktisje e Apostujve.

Përkundrazi, rrëfen Shën Mateu, ai i porositi dishepujt të hyjnë në barkë e të kalojnë, para Tij, në anën tjetër (Mt 14,22), për t’u takuar rishtas. Ndërkaq barka, shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse lundronte kundër erës (v 24). E ja se në agim të ditës Jezusi erdhi kah ata, duke ecur mbi det (v25); dishepujt u tronditën thellë e, duke kujtuar se ishte fantazmë, bërtitën nga frika, nuk e njohën e nuk e kuptuan se ishte Zoti. Por Jezusi i qetësoi e u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”.

Jezusi dëshiron t’i edukojë dishepujt e vet t’i përballojnë me guxim dallgët e jetës, duke u mbështetur fort në Zotin, në Atë, që iu duk Elisë mbi Malin Horeb, në fëshfërimën e lehtë të flladit (1 Mbr 19,12). Fragmenti i Ungjillit vijon me gjestin e Pjetrit, që i kërkon Jezusit të shkojë kah Ai, duke ecur mbi ujë. Jezusi e fton të niset. Po Pjetri, i turbulluar nga era tepër e fortë e nga frika, se mund të mbytej, nisi të fundosej vërtet mes dallgëve e i kërkoi Krishtit ndihmë, duke bërtitur me sa zë që kishte.

Pjetri nuk ecën mbi ujë me forcën e tij, por me ndihmën e hirit tё Zotit, në të cilin beson, e, kur nis të dyshojë, kur nuk i mban më sytë të ngulur tek Jezusi, por fillon të ketë frikë nga era; kur nuk i beson më plotësisht fjalës së Mësuesit Hyjnor, gjë që do të thotë se është duke u larguar prej Tij, atëherë rrezikon të fundoset në detin e jetës. E kështu edhe ne: në se shikojmë vetëm vetveten, varemi nga erërat e nuk jemi në gjendje të shpëtojmë nga stuhitë, nuk mund të ecim mbi ujin e trazuar të jetës.

Zotin, siç na kujton mendimtari Romano Guardini, e kemi gjithnjë pranë, sepse është rrënja e jetës sonë. Megjithatë, duhet ta provojmë lidhjen tonë me Krishtin, kur jemi pranë, e larg Tij. Nga afërsia me Të, fitojmë forcë; nga largësia, vihemi në provë.

Përvoja e Elisë Profet, që dëgjoi kalimin e Zotit, e ankthi i dyshimit, që e vuri në rrezik Shën Pjetrin Apostull, na ndihmojnë të kuptojmë se Zoti vjen të na takojë, para se ta kërkojmë e para se ta thërrasim. E ul qiellin për të na shtrirë dorën e për të na ngritur në lartësinë e Tij, pret vetëm që t’i besojmë plotësisht, t’ia shtrëngojmë me të vërtetë dorën.

                                                           Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë   1 Mbr 19, 9. 11-13

Leximm prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, si arriti atje, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli”? Ai i tha: “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës. Fjala e Zotit.

Psalmi 85

Ref: Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate

————————————————-

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

————————————————-

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

————————————————-

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

————————————————-

 

Lexim i dytë Rom 9, 1-5

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombësve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen. Fjala e Zotit.

Aleluja

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.

Aleluja

 

Ungjilli  Mt 14, 22-33

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi e ngiu turmën, Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XIX GJATË VITIT: NJË PUHI FRYME TË HOLLË

(1 Mbr 19, 9. 11-13; Ps 85 (84); Rom 9, 1-5); Mt 14, 22-33)

«Pas zjarrit, një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës», thotë leximi i parë, duke na sjellë sot një ndër pjesët më të njohura të Besëlidhjes së Vjetër, në të cilën flitet për takimin e profetit Eli me Hyjin e Izraelit, në malin Horeb. Atë natë, Elia ishte fshehur në një shpellë, sepse i duhej të ruhej nga kërcënimi që i kishte bërë me përbetim mbretëresha e paskrupullt, Jezabela, armikja e përbetuar e profetit të vetëm në Izraelin e asaj kohe, e cila i kishte çuar fjalë: «Kështu e kështu e më zi ma bëfshin zotat, në qoftë se nesër, po në të njëjtën orë, nuk do të bëj me jetën tënde ashtu siç bëre ti me jetën e secilit prej tyre.» E pra, para kësaj nate, Elia kishte parë gjëra vërtet të mreku­llueshme nga dora e Zotit. Në malin Karmel i kishte ftuar në një “duel” mrekullie, nëse kështu mund të themi, profetët e perëndisë së Baalit. Hyji që do t’i përgjigjej lutjeve duke dërguar zjarrin mbi flinë që kishin përgatitur mbi altar, ai Hyji do të nderohej në vazhdim në Izrael. E, Elia, tallej keqas me profetët e rremë, kur këta lëshonin britma nga hyji i tyre, që nuk ekzistonte. Përkundrazi, lutjen e përvujtë e të thjeshtë të Elisë nuk e zhgënjeu përgjigjja e Hyjit të Izraelit, duke e kthyer kështu fuqishëm popullin edhe një herë kah Hyji i etërve të tyre. Pastaj Elia kishte parë se si, falë lutjeve të tija, Hyji dërgoi shiun përmbi tokë, pas një thatësie që kishte zgjatur me vite. Por, ndërmjet mrekullisë së flisë në Karmel dhe shiut, Elia kishte bërë diçka shumë të vështirë për t’u shpjeguar: e kishte nxitur popullin që t’i vriste të gjithë profetët e Baalit e këta ishin katëqind e pesëdhjetë vetë. Një kasaphanë e vërtetë kishte ndohur atë ditë mbi atë mal dhe, gjëja që na çudit, kishte ndodhur me urdhër të një profeti. Ua lëmë biblistëve të na e gjejnë përgjigjen e saktë të kësaj dileme tonë, nëse ishte vërtet Elia që e kishte dhënë atë urdhër, apo ishte populli që, i frymëzuar nga mrekullia e ndo­dhur, e preku me dorë kotësinë e hyjnive të rreme dhe u rebelua dhunshëm. Megjithatë, ndërkaq, mund të themi pa droje se edhe vetë Elisë do t’i duhej të rritej në kuptimin e saktë të Hyjit të vet. Prandaj Hyji e nxiti atë të nisej për në malin Horeb apo, siç njihet ndryshe, malin Sinai, aty ku Zoti i kishte dhuruar Izraelit Dhjetë Urdhërimet, nëpërmjet Mosiut, që të fillonte një jetë të re, në besnikëri e në dashuri ndaj Hyjit të vet. Zoti dëshironte kështu që, edhe me Elinë, t’ia niste edhe një herë nga fillimi, prandaj aty iu shfaq atij edhe një herë.

Më parë, pranë Elisë kishte kaluar «një stuhi», pastaj «një termet», pastaj «një zjarr», por në asnjë prej këtyre fenomene të natyrës Elia vuri re se nuk ishte Hyji. Atë e vuri re vetëm tek ajo «puhia e frymës së hollë». Hyji po e ftonte Elinë që të besonte se Ai ëshë jo vetëm Hyji që bën mrekulli, por edhe Hyji që di të flasë në heshtjen e thellë të ndërgjegjes njerëzore, në qetësinë e mahnitshme të natyrës, në bukurinë e sythit që sapo ka filluar të shpërthejë, në bukurinë që kanë deri në lot të ëmbël gëzimi e mahnitejeje disa lule që sapo kanë çelur, në organizimin e mrekullueshëm që ka jeta e shumë kafshëve, shpendëve dhe insekteve, në vajin e fëmijës së sapolindur, në buzëqeshjet e dëlira e të pafajshme të shumë njerëzve të thjeshtë, si edhe në «një puhi fryme të hollë». Elia këtu e kuptoi se aty ishte i pranishëm Hyji i tij, prandaj «e mbuloi fytyrën», gjesti që bëhej gjithnjë nga profetët hebrenj kur kuptonin se ishin në praninë e Hyjit, sepse askush nuk mund ta shikojë Hyjin e të qëndrojë në jetë. Është një mësim shumë i dobishëm për të gjithë ne, mësimi që iu bë profetit Eli nga Hyji atë natë në malin Horeb. Të gjithë jemi të ftuar ta vërejmë praninë e Hyjit jo vetëm në gjestet e Tij të bujshme, por edhe në ato të thjeshta e të përvujta. Të dyja këto kategori gjestesh, janë njësoj të mrekullueshme.

Pikërisht kjo ndërthurje e mrekullueshme mes veprave madhë­shtore të Hyjit dhe thjeshtësisë së Tij të përvujtë, shfaqet në rreshtat e Ungjillit të sotëm. Pjesa e sotme ungjillore vjen menjëherë pas mrekullisë tejet të bujshme të shumimit të pesë bukëve e dy peshqve që Jezusi e kishte bërë për të ngopur një turmë prej pesëmijë meshkujsh, pa llogaritur gratë e fëmijët. Prandaj Ungjilli sot thotë: «Pasi e ngiu turmën, Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër, derisa ai të shpërndajë popullin.» Pastaj Jezusi «u ngjit vetëm në mal për t’u lutur». Gjeste të thjeshta, por që tregojnë se Jezusi është i aftë të bëjë vepra të bujshme në lidhjen e Tij me Atin e vet, por edhe di të qëndrojë në heshtjen e natës, në dëgjim bijësor e të dashur të Atit.

E, prej aty, në atë lidhje dashurie të heshtur që po përjetonte me Atin e vet, Jezusi e vuri re se apostujt e Tij ishin në rrezik: «Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përlasej prej valësh, sepse frynte erë e kundërt.» Ëshë shumë ngushëlluese për ne ta dimë se Jezusi, i zhytur në intimitetin e Lum të jetës së të Shenjtërueshmes Trini, përsëri e ka syrin e Tij mbi ne, që përplasemi nga dallgët e ndry­shme në jetë.

Atëherë Jezusi afrohet tek ata për t’i ngushëlluar dhe e bën këtë duke ecur përmbi ujë: «Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det.» Një gjest që patjetër do të na frikësonte të gjithëve, po të kishim qenë në atë barkë me apostujt. E apostujt u trembën keqas: «Kur nxënësit e hetuan duke ecur mbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën.» Por Jezusi nuk kishte ardhur aty për t’i trembur, por për t’i mbështetur në betejën e tyre. Me përzemërsinë që kishte gjithnjë ndaj tyre, u thotë: «Zemër, jam unë, mos kini frikë!» Sa fjalë të dashura e të përzemërta! Nga ana tjetër, na bën të mendojmë se sa shpesh Jezusi u ka thënë nxënësve: «Mos kini frikë!» Ka dashur gjithnjë t’i ndihmojë që t’i ngulin sytë e tyre tek prania e Tij dashamire, edhe pse plot mister dhe përvujtëri.

Megjithatë, nga ana tjetër, na ngushëllon të gjithëve kjo frikë e apostujve, sepse të gjithë ne «trembemi» e «bërtasim» jo pak përballë të papriturave të jetës. Të gjithë ne kërkojmë, kur përballemi me frikën që na ngjallin dallgët që na godasin, ndonjë siguri se Zotin e kemi aty pranë nesh dhe se do të ndërhyjë për të na ndihmuar. Sikurse pati frikë edhe Pjetri. Megjithatë Pjetri, i vrullshëm si gjithnjë, hidhet me një kërkesë: «Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!» E Jezusi ia dëgjon kërkesën: «Eja», i tha. «Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi.» Megjithatë Pjetri, kur sheh se sa e fortë ishte era që frynte e ngrinte dallgë, u kaplua nga frika përsëri: «Filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!”»

E përsërisim: na ngushëllon shumë kjo frikë e natyrshme që kanë apostujt e, në këtë rast, i pari i tyre, Pjetri. Të krishterët që bëjnë gjoja se nuk kanë frikë nga asgjë, se gjoja janë në gjendje të ndërmarrin veprime heroike për Zotin pa iu dridhur qerpiku, nuk na ngushë­llojnë aspak, sepse shpesh, shumë shpesh, të gjithë ndihemi si Pjetri në këto çaste. Kështu besoj se ndihemi të gjithë, por nuk e themi. Kemi shumë më shumë frikë të shfaqemi të dobët e nevojtarë për dorën dashamire të Jezusit, i cili është gjithnjë i gatshëm të na vijë në ndihmë kur ia kërkojmë, sikurse i erdhi në ndihmë Pjetrit: «Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dysho­ve?!» Jezusi kishte ardhur aty për t’i ndihmuar e jo që të luante me ndje­njat e tyre, prandaj Ungjilli thotë se Jezusi e shtriu dorën «përnjë­herë».

Megjithatë, Jezusi, ndërsa po e ndihmonte të mos mbytej, e ndihmon Pjetrin edhe të mposhtë verbësinë e shpirtit që mund të ngjallë në njeriun frika. Frika e madhe bëri që Pjetri të ndikohej emocionalisht më fort nga «era e fortë», sesa nga fakti se Jezusi ishte «duke ecur përmbi ujë». Është e vërtetë se ne jemi shumë të brishtë, frikësohemi me pak dhe është e vërtetë se e kemi për detyrë që të kujdesemi për jetën tonë, me aq mundësi sa kemi, por e gjithë kjo nuk do të thotë se nuk mund ta vërejmë Jezusin e pranishëm në jetën tonë. Në kohën e dhimbjes, të vetmisë e të provës, jemi të thirrur t’i kujtojmë situatat kur e kemi vënë re se Jezusi ishe i pranishëm në jetën tonë. E, edhe pse bëjnë më shumë zhurmë dallgët e vështirësive, nuk duhet të harrojmë se misteri i vërtetë e mrekullia e vërtetë është fakti se Jezusi rri në këmbë përmbi këto dallgë, edhe pse nuk bën aspak zhurmë. E ky mund të themi se ishte edhe “gjenialiteti” i fesë që pati, me gjithë turbullimin e kuptue­shëm, edhe Pjetri në ato çaste. Ai, në vend që të bërtiste i rebeluar «nuk ka Zot», u lut përvujtërisht: «Më shpëto, o Zot!» Po, pikërisht lujta është ajo që duhet të shtohet në çastet e provës e të dhimbjes. E Jezusi nuk i thotë «I pafe», por «Fepakët». Vërtetë që ishte dashur të kishte më shumë fe, por ajo pak fe që kishte, e bëri atë që të kërkonte ndihmën e Jezusit dhe e shpëtoi.

«Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!» Apostujt e kuptojnë se Jezusi kishte pushtet mbi ligjet e natyrës dhe përkulen në nderim të thellë para Tij, duke bërë edhe dëshminë e fesë së tyre në Jezusin si Biri i Hyjit. Megjithatë, e kuptojnë se Jezusi, me tërë madhështinë që sapo kishte treguar për të disatën herë, ishte po Ai, miku i tyre dhe Mësuesi i tyre i përvujtë e i dashur. Ai kishte ardhur tek ata jo në zhurmën e dallgëve, por në mrekullinë e qetësisë së të ecurit përmbi ujë. E, sikurse Elia e njohu Hyjin e tij të dashur e të madhërueshëm në praninë e «një puhie fryme të hollë» edhe ata e njohën praninë e Birit të Hyjit në Jezusin, i cili është njëkohësisht i mrekullueshëm, por edhe tejet i dashur dhe i përvujtë. Jezusi vetë është ajo «puhia e frymës së hollë» që shëlbon njerëzimin.

 

12 gusht 2023, 09:42