Kërko

DBR-ja e Lisbonës. Kardinali Clemente, të rinjve: “Lisbona ju pret me gjithë zemër"

Kardinali Manuel Clemente, patriarku i Lisbonës, kremtoi dje, më 1 gusht, meshën që hapi Ditën Botërore të Rinisë, në Parkun Eduardi VII të kryeqytetit të Portugalisë. “Bota e re – u tha ai të rinjve - fillon me risinë e çdo takimi dhe me sinqeritetin e përshëndetjeve që shkëmbejmë”

R.SH. – Vatican News

 “Kur i thashë Papës Françesku se ishte pikërisht kjo motoja e ditës sonë – Maria shkoi me nxitim… – ai shtoi menjëherë se është mirë të shkosh me nxitim, por pa ankth. Në fakt, ndiejmë shqetësim për gjithçka nuk kemi, të cilën e dëshirojmë me zjarr. Nxitimi është ndryshe, na bën ta ndajmë me të tjerët çka na shtyn për veprim. Prandaj është urgjencë pa ankth, për të cilën nuk hezitojmë. Keni mbërritur këtu dhe, gjatë qëndrimit tuaj, u dhuroni të tjerëve çfarë keni e çfarë jeni”. Kështu u foli të rinjve kardinali Manuel Clemente, patriarku i Lisbonës, në homelinë e meshës, që dje, më 1 gusht, hapi Ditën Botërore të Rinisë në Parkun Eduardi VII të kryeqytetit të Portugalisë.

Dëshmoni para të gjithëve

 “Ungjilli na tregon për gëzimin e takimit ndërmjet Marisë dhe Elizabetës”, të cilat e dinin mirë se po përgatitej lindja e Birit të Zotit, shpjegoi kardinali. “Ka shumë rëndësi që edhe për ju të jetë kështu, që të dëshmoni para të gjithëve. Vërtet, çdo takim i yni duhet të hapet me një përshëndetje, gjatë së cilës shkëmbejmë fjalë të sinqerta mirëseardhjeje”.

Shtëpitë e portugezëve si ajo e Elizabetës

“Lisbona ju mirëpret me gjithë zemër, njëlloj si vendet e tjera që keni vizituar, ose do të vizitoni në këtë Portugali, e cila është edhe juaja. Ju mirëpresin familjet dhe institucionet – shtoi kardinali Clemente. – Ato kanë vënë në dispozicion hapësirat dhe shërbimet e tyre”. Patriarku i Lisbonës i falënderoi të gjithë portugezët, që kanë hapur dyert për të rinjtë e Ditës së 37-të Botërore të Rinisë, duke i konsideruar shtëpitë e tyre si atë të Elizabetës, e cila mirëpriti Marinë dhe Jezusin, që mbante në kraharor!

Risia e çdo takimi

Ka kaq shumë nevojë për këtë lloj mikpritjeje edhe në botën ku jetojmë, ku shpesh, njerëzit nuk pyesin për të tjerët dhe nuk u kushtojnë atyre vëmendjen e duhur. “Bota e re - përfundoi kardinali Clemente - fillon me risinë e çdo takimi dhe me sinqeritetin e përshëndetjeve që shkëmbejmë”.

02 gusht 2023, 10:06