Kërko

Takimi ndërfetar në Qendrën Kaiciid të Lisbonës, gjatë DBR-së Takimi ndërfetar në Qendrën Kaiciid të Lisbonës, gjatë DBR-së

DBR, dialogu ndërmjet feve në Lisbonë

Prania e njerëzve të feve të tjera u bë shkas për takime të përbashkëta reflektimi gjatë Ditës Botërore të Rinisë, që përfundoi para pak ditësh në kryeqytetin portugez

R.SH. – Vatikan

Ndërmjet një milion e gjysmë të rinjve, të mbledhur në Lisbonë për Ditën Botërore të Rinisë, nuk kaloi pa u vënë re prania e njerëzve të feve të tjera. Si, për shembull, ajo e murgut budist, Ashin Mandarlankara, nga Mianmari, i cili u ndal nga të rinjtë në rrugët e Lisbonës, pasi donin të merrnin vesh cilës bashkësi i përkiste. Gjatë ditëve kur kryeqyteti portugez u mbush me rini, Qendra Ndërkombëtare e Dialogut Kaiciid, me seli në Lisbonë, mblodhi një grup nga bashkësi fetare dhe origjinë gjeografike të ndryshme, për ta bërë të dukshme praninë ndërfetare në DBR, përmes veprimtarive, ku mund të merrnin pjesë të gjithë.

Takimi për të rinjtë dhe dialogun ndërfetar

Një takim për të rinjtë dhe dialogun ndërfetar u mbajt të martën, më 1 gusht, në Qendrën Kulturore të Belemit, përballë Qytetit të Gëzimit. Ndër folësit, rabini Ioni Shalom i Kongresit Botëror Hebraik, dega e Amerikës Latine, i cili vuri në dukje përvojën e tij gjatë një vizite ndërfetare në Izrael, me një grup meshtarësh katolikë. “Shkuam për të vizituar një spital dhe ndërmjet pacientëve, ishte edhe një fëmijë i goditur nga një minë në Siri – shpjegoi ai. – Unë dhe një prift iu afruam, ia morëm dorën dhe u lutëm. Meshtari në spanjisht e unë në hebraisht. Fëmija nuk kuptonte asnjë fjalë, por e ndjente mirëdashjen tonë. Përtej fjalëve, ne përjetuam aty thelbin e dialogut ndërfetar”. Duke folur për arsyen e pranisë së tij në Lisbonë, rabini Shalom vazhdoi: “Ndodhem këtu, sepse këto ditë janë të rëndësishme për ju katolikët dhe dua t'ju them se mund të mbështeteni tek unë. Dialogu ndërfetar është shumë më i rëndësishëm kur e përjetojnë të rinjtë, sepse kur ke një pemë dhe nuk kujdesesh për të që nga rrënjët, më pas, mund të jetë tepër vonë”.

Të rinj në Lisbonë
Të rinj në Lisbonë

Dokumentari për historinë e Justine Auma

Ndër veprimtaritë e propozuara nga Kaiciid të nesërmen, shfaqja e një dokumentari në kinemanë São Jorge, në qendër të Lisbonës. Rreth 200 të rinj panë dokumentarin “Justine: a Kaiciid Fellow's Journey” mbi historinë e Justine Auma, inxhiniere biomjekësore dhe doktoreshë nga Uganda, ku punon në një zonë me shumicë myslimane. Kjo grua laike në shërbim të Kishës bashkoi krerët fetarë të bashkësive të ndryshme lokale për t’u përballur me sfidat e përbashkëta pas pandemisë së Covid-19. Justine ishte edhe anëtare e delegacionit të vogël ndërfetar, që takoi Papa Françeskun paraditen e së premtes, 4 gusht, në selinë e nunciaturës apostolike të Selisë së Shenjtë në Lisbonë. “Do të doja ta falënderoja për impenjimin në favor të dialogut dhe të pranimit të feve të tjera, së bashku me mirëpritjen e gjithë nevojtarëve”, reflektonte Justine para takimit, duke menduar se çfarë do t'i kishte pëlqyer t’i thoshte Papës. Përsa u përket të rinjve, Justine i nxiti të gjithë: “Nuk duhet të flasim shumë për ta, por të krijojmë hapësira ​​që ata të kenë mundësi për të vepruar”.

Grupi i Tanzanisë
Grupi i Tanzanisë

Një e re muslimane tuniziane në DBR

Yossr Baaziz, një e re muslimane tuniziane, përfaqësuese e Rinisë Botërore për Organizatën Botërore të Lëvizjes Scout (Wosm), foli në DBR për përvojën e saj, duke ndihmuar të enjten, më 3 gusht dhe të premten, 4 gusht, në seancat e lojërave të tryezës, titulluar "Dialog", që u dhanë mundësinë të rinjve të diskutojnë dhe të njihen më mirë me njëri-tjetrin, në një atmosferë gazmore. “Ditët e fundit – deklaroi ajo – e kam njohur më mirë krishterimin. Mendoja si dija mjaftueshëm për të si skaute, por nuk ishte kështu”. Baaziz ka një ëndërr: «Do të më pëlqente që këto Ditë Botërore të Rinisë të mos ishin vetëm për katolikët, por t’u jepej mundësia edhe të rinjve të tjerë të marrin pjesë në mënyrë të organizuar e zyrtarisht. Unë këtu kam mësuar shumë. E imagjinoj se çfarë ndikimi mund të ketë një përvojë si kjo në jetën e shumë të rinjve të tjerë!”

Grupi i Shqipërisë
Grupi i Shqipërisë

Të rinjtë budistë e të rinjtë katolikë

Duke parë të rinjtë e mbledhur në Lisbonë, murgu budist Ashin Mandarlankara komentoi: “Të rinjtë budistë në vendin tim nuk kanë udhëheqës dhe nuk kanë vizion. E të rinjtë tanë katolikë nuk mundën të merrnin pjesë, për shkak të vështirësive për të marrë vizë, ngaqë kemi krizë politike në Mianmar”. Për Mandarlankara, i cili e kaloi këtë vit në Romë, me bursë nga Qendra Gjon Pali II për Dialogun Ndërfetar, sfidat e politikës së vendit të tij kanë ndikim të madh në jetën e të rinjve. Atyre, që vendosin të hyjnë në një manastir budist, deklaroi murgu, u ndalohen studimet laike dhe, që në moshë të re, mund të studiojnë vetëm lëndë fetare. Këto ditë ishin të veçanta për të: përveç takimit privat me Atin e Shenjtë të premten, “ecja në rrugë i veshur si murg, por me distinktivin e DBR-së, i bënte të rinjtë ta ndjenin se isha njëri prej tyre, pavarësisht se ndryshe. E, kjo ishte mundësi njohjeje, si për mua, ashtu edhe për ta”.

09 gusht 2023, 15:49