Kërko

Familje me fëmijë të adoptuar Familje me fëmijë të adoptuar

Çelësi i fjalëve të Kishës: elementet, që e përforcojnë familjen

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet familjeve të mbledhura në Milano për Takimin VII Botëror të tyre, më 3 qershor 2012, gjatë meshës së kremtuar me to

R.SH. - Vatikan

         Dashuria është realitet i mrekullueshëm, është forca e vetme që, vërtet, mund ta shndërrojë universin, botën – kështu thoshte Benedikti XVI gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Milano. Dëshmia e shumë familjeve tregon rrugët për t’u rritur në dashuri, si: marrëdhëniet e vazhdueshme me Zotin e pjesëmarrja në jetën kishtare, kultivimi i dialogut, respektimi i pikëpamjeve të të tjerëve, gatishmëria për të shërbyer, durimi para difekteve të të tjerëve, gatishmëria për të kërkuar e për ta dhënë faljen, kapërcimi i konflikteve me inteligjencë e përvujtëri, marrëveshja për edukimin e fëmijëve, hapja ndaj familjeve të tjera, kujdesi për të varfërit, përgjegjësia për shoqërinë civile.

         Të gjitha këto janë elemente, që e përforcojnë familjen. Jetojini me guxim – i këshillonte Jozeph Ratzinger familjet e pranishme në Milano – të sigurt se, në masën me të cilën, me mbështetjen e Hirit Hyjnor, do të jetoni dashurinë ndërmjet jush e me të tjerët, në atë masë do të bëheni Ungjill i gjallë, Kishë e vërtetë shtëpiake (shih “Familiaris consortio”, 49).

         Shohim se, në teoritë moderne ekonomike, mbizotëron shpesh një konceptim utilitarist i punës, i prodhimit dhe i tregut. Por, plani i Zotit dhe vetë përvoja jetësore – reflektonte Papa Benedikti XVI në Takimin VII Botëror të Familjeve – dëshmojnë se logjika e njëanshme e asaj, që mund të jetë e dobishme për mua dhe logjika e fitimit maksimal nuk sjellin zhvillimin e harmonishëm, të mirën e familjes dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, sepse bartin në vetvete konkurrencën e pamëshirshme, pabarazi të fuqishme, shkatërrimin e ambientit, vrapin drejt konsumit, vështirësi për familjet. Madje, mendësia utilitariste priret të shtrihet edhe në marrëdhëniet ndërpersonale e familjare, duke i reduktuar në konvergjenca të dobëta interesash individuale e duke minuar qëndrueshmërinë e indit shoqëror – nënvizonte së fundi Joseph Ratzinger, duke denoncuar të këqijat bashkëkohore, të cilave duhet t’u largohet familja.

10 gusht 2023, 11:37