Kërko

The Mystery Man The Mystery Man

“The Mystery Man”, Sindona 3D në ekspozitë nëpër botë

Pas suksesit në Spanjë, ekspozita mbërrin në Chioggia të Italisë më 31 korrik. Deri janarin e ardhshëm, pikërisht këtu mund të shihet skulptura tripërmasore hiper-realiste, përftuar nga imazhi i ruajtur në pëlhurën e Sindonës, me të cilën mendohet se është mbështjellë Jezu Krishti

R.SH. – Vatikan

Që kur u gjet shekuj më parë, dalë nga errësirat e historisë, gjatë së cilës u shpëtoi rreziqeve dhe kalimit nga një dorë në tjetrën, Sindona (çarçafi me të cilin mendohet se është mbështjellë Jezu Krishti) ka qenë dhe është një enigmë, së cilës shkenca nuk i ka dhënë ende zgjidhje, pavarësisht nga teknologjia gjithnjë e më e sofistikuar, që përdoret ciklikisht për ta shqyrtuar atë. Por, që prej një viti, ajo gjurmë e padeshifrueshme e Njeriut të vdekur pas torturave çnjerëzore, tepër të ngjashme me ato të vuajtura nga Jezusi, “doli”, si të thuash, nga kufijtë dypërmasore të pëlhurës prej liri, që e ruan, për t'u bërë një fytyrë dhe një trup tripërmasor. Ky është rezultati i arritur nga ArtiSplendore, kompania italo-spanjolle, autore e “The Mystery Man” (Njeriu i misterit), ekspozitës që kulmon me skulpturën hiper-realiste, riprodhim në tri përmasa e Njeriut të paraqitur në Sindonë. Hollësitë e tërësisë së plagëve, me të cilat është mbushur trupi i trajtuar mizorisht, janë vërtet mbresëlënëse.

Detaj i fytyrës së "The Mistery Man"
Detaj i fytyrës së "The Mistery Man"

Pëlhurë, që shtron pyetje për çdo ndërgjegje

Që nga tetori i kaluar, kjo skulpturë mund të shihej në katedralen e Salamankës, në Spanjë, ku u vizitua nga 120.000 vetë, por nga 31 korriku deri më 7 janarin e ardhshëm, “The Mystery Man” transferohet në Chioggia të Italisë. Radio Vatikani / Vatican News dhe gazeta “L’Osservatore Romano” janë partnerë mediatikë të ekspozitës, që u paraqit këtyre ditëve në qytetin lagunor nga kryebashkiaku Mauro Armelao, me pjesëmarrjen e ipeshkvit Giampaolo Dianin dhe të drejtorit të kompanisë “ArtiSplendore”, Francisco Moya. Në konferencën për shtyp, imzot Dianin nënvizoi se Sindona është “provokim” për besimtarët, por edhe për ata, që nuk besojnë në Zot, pikërisht për dëshminë historike të mizorive, ku mund të arrijë njeriu edhe mbi një trup të vetëm. Gjithashtu, u vu theksi mbi kishën historike të Shën Domenikut në Chioggia, ku do të hapet ekspozita. Në të, shpjegoi prelati, ka "një mister tjetër", atë të kryqit të lashtë e monumental, të famshëm për të ashtuquajturin “këndvështrim i dyfishtë”. Nëse e shikon kryqin nga ana e djathtë, ai shpreh agoninë e Jezusit, ndërsa nga ana e majtë, qetësinë e vdekjes së tij në pritje të Ringjalljes.

Videoja e ekspozitës "The Mistery Man"

Ekspozitë itinerante

Ekspozita do të përbëhet nga gjashtë etapa, të cilat do t’i ndihmojnë vizitorët të inkuadrojnë figurën e Jezusit, dënimin dhe vdekjen e tij, Sindonën, studimet mjeko-ligjore mbi të, deri në krijimin e skulpturës 3D, realizuar në silikon dhe latex. Gjithçka - nga shenjat e torturave, tek qëndrimi, ngjyra e flokëve dhe e lëkurës, çehrja ngjyrë ulliri e kufomës me origjinë nga Judea - është rezultat i 15 viteve të studimit dhe të punës së 6 artistëve. Drejtori i “ArtiSplendore”, Francisco Moya, pohoi në konferencën për shtyp se “The Mystery Man” (Njeriu i misterit) është konceptuar si ekspozitë itinerante, për t’u parë nga besimtarë e jo besimtarë.

Të kthehemi tek tregimet për Jezu Krishtin

Konferenca për shtyp u mbyll me videomesazhin e drejtorit editorial të Radio Vatikanit / Vatican News, Andrea Tornielli, i cili nënvizoi se ai çarçaf, ku shihen qartë gjurmët, që kujtojnë mundimet e Krishtit, ka ende "shumë për të na treguar mbi vuajtjet e Tij, prandaj, në një farë mënyre, është pasqyrë e vuajtjeve të shumta të njerëzimit të sotëm”. Shpresa e organizatorëve është që ekspozita të shërbejë si nxitje për t’u kthyer tek tregimet mbi figurën e Jezusit, të cilin shumë njerëz e kërkojnë edhe pa vetëdije, duke pritur fjalë mëshire.

12 korrik 2023, 12:35