Kërko

Të meditojmë me Ungjillin: kush nuk bart kryqin, s'është i denjë

Asgjë dhe askush nuk mund të na ndalojë / që ta pranojmë deri në fund planin tënd të dashurisë. / Asgjë e askush nuk mund të jetë / preteksti për ta injoruar / bartjen e dhimbshme të kryqit

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e sotëm, marrë nga kreu 10 i Shën Mateut, nuk vendosim dot se cila frazë na acaron më shumë: fakti se duhet të braktisim krejtësisht lidhjet familjare apo shkalla e dashurisë, që na kërkon Zoti. Fjalët e Jezusit na provokojnë deri në nerva. Papritmas, Zoti duket në një dritë tjetër në sytë e shpirtit tonë. Ne e dimë se ai është i kuptueshëm, i ndjeshëm dhe i ëmbël. E, sidomos, shpresojmë të na i lehtësojë barrët e jetës. Por Jezu Krishti na kundërshton kur duam t’i përziejmë interesat tona personale me marrëdhëniet e miqësisë me të. Kur i përdorim dhuratat e Tij për të ndërtuar një botë të vogël dhe egoiste. Kështu, bëhemi viktima të një iluzioni, pasi shpëtimi dhe begatia e jetës gjenden vetëm tek Ai. Prandaj, Jezusi ngre zërin kundër egoizmit të ngjyrosur me fe dhe dëshiron të na mbrojë nga mashtrimet e gabimet. Të ndjekim pjesën ungjillore të kësaj së diele XIII të vitit kishtar A (Mt 10,37-42)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kush e do atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”

Të lutemi së bashku

Është e vështirë të pranohet

kjo fjala jote, o Jezus:

rri aty, vendosur paksa shtrembër,

aq sa për të na penguar që ta trajtojmë

si një propozim të zakonshëm mes të tjerëve,

si të ishte ndonjë letër me vlerë

për t’u mbajtur në sirtar e për t’u nxjerrë,

në raste fatkeqësish, kur na duhet.

 

Jo, Ti nuk pranon

të pimë nga dy nëna,

si ai qengji, në dukje i mirë,

që të kënaqemi nga entuziazmi kalimtar,

e nga parime, që na ngjajnë

më të sigurta e më të bazuara.

Ti na kërkon të vëmë në diskutim gjithçka,

ta vendosim jetën

plotësisht në duart e Tua,

pa kërkuar dalje emergjence,

shtigje për të ikur nga çdo vështirësi

e sidomos, nga dështimet, që përcëllojnë fort.

Ti nuk pranon që ne të vazhdojmë

të ruhemi nga lodhja,

të mbrohemi nga rreziqet, t’u fshihemi konflikteve.

 

Asgjë dhe askush nuk mund të na ndalojë

që ta pranojmë deri në fund planin tënd të dashurisë.

Asgjë e askush nuk mund të jetë

preteksti për ta injoruar

bartjen e dhimbshme të kryqit.

01 korrik 2023, 10:03