Kërko

Meeting di Rimini 2022 Meeting di Rimini 2022

Takimi për Miqësinë ndërmjet Popujve: "Dialogu është rruga e vetme drejt paqes"

Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, do të mbyllë veprimtarinë tradicionale të verës Takimi për Miqësinë ndërmjet Popujve, në Rimini. Hapësira kushtuar dëshmive të përmbytjes, që goditi Romanjën, me komisionerin Figliuolo dhe kryebashkiakun e Ravenës. Ndër temat në qendër të takimeve, zhvillimi i qëndrueshëm dhe puna e diplomacisë italiane për paqen në Afrikë dhe në botë.

R.SH. / Vatican News

Programi i Takimit për Miqësinë ndërmjet Popujve, në Rimini të Italisë, tashmë në edicionin e 44-të, u paraqit dje paradite në Romë, në Selinë e Ambasadës Italiane pranë Selisë së Shenjtë. Do të mbahet nga data 20 deri më 25 gusht në pavionet e Panairit të Riminit, me titullin “Jeta njerëzore është miqësi e pashterrshme” dhe me një program plot me tryeza të rrumbullakta, ekspozita, shfaqje dhe nisma kulturore. Të pranishëm pardje, 11 korrik, në selinë diplomatike, ambasadori italian pranë Selisë së Shenjtë, Francesco Di Nitto; Bernhard Scholz, president i Fondacionit Meeting; Maria Tripodi, nënsekretare e Ministrisë së Punëve të Jashtme; Sabino Cassese, gjyqtar nderi i Gjykatës Kushtetuese dhe Micol Forti, kuratore e koleksionit të artit modern dhe bashkëkohor të Muzeut të Vatikanit.

Të ftuar të shumtë në këtë edicion të Takimit për Miqësinë ndërmjet Popujve, duke nisur nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, i cili do të jetë në Rimini më 25 gusht, ditën e fundit të veprimtarisë. Ndërmjet të ftuarve, edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Silvana Sciarra dhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore italiane, kardinali Matteo Maria Zuppi, që do të japë dëshmi lidhur me angazhimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë për miqësinë shoqërore, paqen dhe vëllazërinë ndërmjet popujve. Raporti mbi temën e Takimit do të mbahet të hënën, më 21 gusht, nga Imzot Giuseppe Baturi, kryeipeshkëv i Cagliarit dhe sekretar i përgjithshëm i CEI (Konferencës Ipeshkvnore Italiane)

Jeta njerëzore, miqësi e pashterrshme

Titulli i Takimit 2023 për Miqësinë ndërmjet Popujve është ftesë për të zbuluar ose rizbuluar miqësinë në kuptimin e saj më të thellë, në forcën e saj jetëdhënëse, në zanafillën e saj,  në perspektivat për jetën e çdo njeriu dhe në ndërtimin e një shoqërie të re. "Sa më e madhe të jetë vetëdija se nuk jemi në gjendje t'u përgjigjemi personalisht nevojave themelore të lumturisë, të së vërtetës, të drejtësisë dhe të dashurisë, aq ma e fuqishme bëhet dëshira për të gjetur miqësinë e vërtetë”, thuhet në një shënim. Don Luigi Giussani shkruante në librin e tij “Ndjesia fetare”: “Nëse shikon një burrë, një grua, një mik, një kalimtar pa të kumbuar në shpirt jehona e miqësisë, e kësaj etjeje që fati e nxit, marrëdhënia jonë nuk do të ishte njerëzore, e aq më pak, marrëdhënie dashurie, e çfarëdolloji. Pse atëherë thuhet se ekzistenca njerëzore "është  miqësi e pashtershme?”.  

Scholz: "Në zemër të marrëdhënieve të mira dhe krijuese"

Çdo ditë e Takimit do të pasurohet me kontributin e personaliteteve kryesore nga bota institucionale, kulturore, akademike dhe e biznesit, nga përfaqësues të Kishës dhe të besimeve e kulturave të ndryshme. “Ne duam të krijojmë miqësinë, marrëdhëniet e mira dhe krijuese, marrëdhëniet pozitive dhe konstruktive, që janë në qendër të reflektimit tonë”, shpjegoi presidenti i Fondacionit Meeting Bernhard Scholz në mikrofonin tonë "Jemi të bindur se kjo vëmendje është urgjente në një botë të karakterizuar nga individualizmi dhe vetmia ekzistenciale dhe nga një situatë gjeopolitike e karakterizuar nga konflikte të vjetra dhe të reja, nga luftëra mizore, edhe në qendër të kontinentit tonë. Tema kryesore e Takimit - vazhdon Scholz. - do të jetë puna, veçanërisht puna si faktor vendimtar në integrimin e emigrantëve”.

Programi

Ndër të ftuarit e tjerë do të jetë edhe Imzot Filippo Santoro, kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për problemet sociale, punën, drejtësinë dhe paqen, i cili do të marrë pjesë në takimin për "demokratizimin e energjisë". Joseph H.H. Weiler, profesor universitar në Shkollën Juridike të Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Qendrën për Studime Evropiane në Harvard, do t'i përgjigjet pyetjes nëse duhet "të fshihen kulturat apo të ndërtohet kultura" duke u thelluar, në një takim të dytë, në temën e "miqësisë në Bibël". Ndër debatet e planifikuara është edhe “Evropa e Shteteve, apo Evropa e Rajoneve”. Alberto Savorana, përgjegjës për veprimtaritë editoriale të Bashkim e Çlirim do të reflektojë mbi "gjeniun pedagogjik të Don Giussanit", themeluesit të lëvizjes”.

Andrea Tornielli, drejtor redaktues i Dikasterit për Komunikim të Selisë së Shenjtë, do të trajtojë trashëgiminë e Benediktit XVI në takimin "Inteligjenca e besimit bëhet inteligjencë e realitetit". Poezia, letërsia dhe shkrimi do të jenë në qendër të një dialogu ndërmjet prefektit të Dikasterit vatikanas të Kulturës dhe Arsimit, kardinalit José Tolentino de Mendonça dhe shkrimtarit Daniele Mencarelli. Në takim, në sajë të një hapësire të madhe ekspozite, Ministria e Punëve të Jashtme do të ilustrojë punën e Kooperacionit Italian, me partnerët e saj kombëtarë, evropianë dhe ndërkombëtarë, për të përballuar sfidat e mëdha globale të kohës sonë, duke parë në veçanti të rejat.  

Shifrat

Brenda Panairit të Riminit, në një sipërfaqe prej rreth 140,000 metra katrore do të mbahen rreth njëqind konferenca me rreth 400 folës italianë dhe ndërkombëtarë, do të organizohen 16 ekspozita, do të jepen një mori shfaqjesh, shumë prej të cilave, edhe në teatrin qytetar Galli. Ndër ekspozitat që mund të vizitohen në panairin e Riminit, kujtojmë "Shqetësimi i madh. Peguy dhe qyteti harmonik"; "Don Camillo dhe Peppone, gjithmonë rivalë, kurrë armiq"; “Shën Tereza e Lisieux, grua intelektuale, kërkuese e kuptimit". Janë zgjeruar në krahasim me vitin 2022, hapësirat për fëmijë dhe adoleshentë. Një sipërfaqe prej 5000 metra katrore është rezervuar për sport, në bashkëpunim me Qendrën Sportive Italiane dhe Derthona Basket, e cila do të jetë e pranishme me lojtarët e saj. Numri i vullnetarëve është gjithashtu duke u rritur. Ka arritur tashmë në mbi 3000 vetë, 58 për qind e të cilëve janë nën moshën 30 vjeç. Shumë vullnetarë, të ardhur nga Italia por edhe nga vende të ndryshme të botës, do të kalojnë një pjesë të periudhës së pushimeve të tyre në Takim, për të mbështetur gjithë makinën organizative, institucionet dhe shumë rajone italiane dhe për të promovuar turizmin. E ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar do të drejtojë një pavijon kushtuar temës "Rrugët e Miqësisë", Ministria e Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike do të krijojë një shesh me blerim brenda Panairit të Riminit.

13 korrik 2023, 13:27