Kërko

Takimi BE-CELAC, fushatë e COMECE-s: të punojmë për një botë më vëllazërore

COMECE, së bashku me Karitasin e Evropës dhe me atë të Amerikës Latine e Karaibeve, bën të njohura një sërë videomesazhesh, me të cilat u kërkon krerëve politikë, që do të takohen më 17 dhe 18 korrik në Bruksel, të formulojnë këshilla konkrete për zhvillimin njerëzor, drejtësinë shoqërore, ekologjinë e gjithanshme, migrimin dhe tranzicionin energjitik. Kryetari i Comece-së, imzot Crociata: "Të promovojmë kulturën e takimit”

R.SH. – Vatikan

Në prag të Takimit ndërmjet krerëve politikë të Bashkimit Evropian dhe Bashkësisë së Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), planifikuar më 17 e 18 korrik në Bruksel, COMECE (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian) së bashku me Karitasin e Evropës dhe me atë të Amerikës Latine e Karaibeve nis një fushatë drejtuar përgjegjësve politikë. Objektivi është sensibilizimi dhe inkurajimi i atyre, që kanë role me përgjegjësi, që të punohet për një bashkëpunim, i cili sjell përfitime konkrete për gjithë njerëzit dhe bashkësitë e dy rajoneve dhe promovon një botë më paqësore dhe vëllazërore.

Partneritet shprese

Më konkretisht, përmes një sërë videomesazhesh të shkurtra, formulohen rekomandime konkrete për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, drejtësinë sociale, ekologjinë integrale, tranzicionin e drejtë energjitik, lëvizshmërinë njerëzore dhe paqen. Fushata vjen pas një kontributi të përbashkët të titulluar "Një partneritet shprese për të mirën e popujve tanë dhe për një botë më vëllazërore", hartuar në prill 2023 nga COMECE, CELAM, Karitasi i Evropës dhe ai i Amerikës Latine e Karaibeve.

Imzot Crociata (COMECE): të përtërihet bashkëpunimi shumëpalësh

Në videon e parë të fushatës, kryetari i COMECE-së, imzot Mariano Crociata, nënvizon: “Kisha e shikon samitin e ardhshëm BE-CELAC (Bashkimi Evropian dhe Bashkësia e Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve) edhe si mundësi për të promovuar një partneritet për paqen në nivel global, rajonal dhe lokal. Shpresojmë – pohon ai në video - që vendimmarrësit jo vetëm të bien dakord për hapa të rëndësishëm drejt rinovimit të bashkëpunimit shumëpalësh, por edhe të mbështesin nismat lokale, që u bëjnë ballë shkaqeve rrënjësore të dhunës dhe krimit të organizuar".

Gjithashtu, shpresohet që "partneriteti i ardhshëm ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Amerikës Latine e Karaibeve do t'u japë përparësi takimeve njerëzore, do të promovojë shkëmbimet personale dhe do të ofrojë mundësi të reja për dialog e bashkëpunim ndërkulturor dhe ndërfetar. Ne jemi gati të kontribuojmë në partneritetin për paqen dhe në kulturën e takimit ndërmjet popujve të rajoneve tona”.

Spengler (CELAM): të mbështesim të drejtën për liri fetare

Nga ana e tij, imzot Jaime Spengler, kryetar i CELAM-it (Këshilli Ipeshkvnor i Amerikës Latine dhe i Karaibeve), thekson: “Trashëgimia fetare e popujve tanë është një nga shtyllat e kulturës dhe identitetit tonë. Prandaj, shpresojmë që bashkëpunimi i rinovuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Amerikës Latine e Karaibeve do të na japë mundësinë të forcojmë politikat, që synojnë promovimin dhe mbrojtjen e tij". Dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar mund të jetë mjet i privilegjuar për promovimin e kohezionit shoqëror dhe për ndërtimin e urave ndërmjet dy rajoneve, mendon imzot Spengler. Në këtë drejtim, vazhdon ai, “inkurajojmë përgjegjësit e politikës së BE-së dhe të Amerikës Latine të promovojnë veprime, që kontribuojnë në krijimin e një ambienti të favorshëm për takime gjithëpërfshirëse ndërfetare dhe për të mbështetur të drejtën themelore për lirinë fetare”. Imzot Spengler kërkon, së fundi, edhe mundësinë për të përdorur, pa diskriminime, financimet e BE-së për projektet e organizatave fetare.

Një sërë videosh

Çdo ditë, deri në datën e Samitit, COMECE do të publikojë një videomesazh të ri në kanalin e saj zyrtar në YouTube dhe në platformat e tjera shoqërore, duke i ftuar të gjithë t’i përhapin, për të “marrë pjesë kështu, në promovimin e partneritetit të ardhshëm ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Amerikës Latine e Karaibeve, frymëzuar nga përvoja bazë e Kishës në mbështetjen e njerëzve në gjendje të vështirë, në të dyja anët e Atlantikut”.

11 korrik 2023, 17:02