Kërko

 Jenin Jenin

Imzot Pizzaballa viziton kampin Jenin: "Jo dhunës, duam paqe të drejtë për të gjithë"

Pas operacionit të ushtrisë izraelite kundër terrorizmit, patriarku latin i Jeruzalemit vizitoi vendet e goditura, e sidomos, famullinë që pësoi dëme të rënda: "Shoh njerëz që vuajnë, por nuk dorëzohen dhe nuk lejojnë askënd t’ua cënojë dinjitetin”.

R.SH. / Vatikan

“Ne, si Kishë, nuk kemi ushtri, nuk kemi armë, nuk besojmë në ndeshje. Jemi kundër të gjitha formave të dhunës, e për solidaritetin, dinjitetin dhe lirinë e palestinezëve”. Kështu deklaroi Patriarku Latin i Jeruzalemit Pierbattista Pizzaballa, gjatë vizitës së tij në kampin e refugjatëve në Jenin, objektiv, në fillim të korrikut, i një operacioni masiv kundër terrorizmit nga ushtria izraelite, me pasojë dymbëdhjetë të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe 500 familje të shpërngulura nga një zonë ku strehohen 14,000 njerëz në më pak se një kilometër katrore.

Njerëz që nuk ikin, as nuk dorëzohen

“Shoh faqen tjetër të rezistencës! Shoh njerëz që vuajnë, jetojnë pasojat e pushtimit, por që nuk duan të largohen, nuk dorëzohen, nuk e lejojnë askënd t'u shkatërrojë dinjitetin dhe vullnetin për të jetuar në atdheun e tyre” – pohoi në një deklaratë botuar nga Qendra Mediatike e Krishterë e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë patriarku i cili, më 30 shtator, do të krijohet kardinal nga Papa Françesku.

Paqe e drejtë dhe e plotë, që i përfshin të gjitha palët

Imzot Pizzaballa, duke u takuar me autoritetet civile të provincës së Jeninit, u shprehu gatishmërinë për të punuar së bashku në zbatimin e projekteve që mund të garantojnë një jetë dinjitoze për familjet. "Shpresa mbetet, ashtu si mbetet edhe nevoja për të kërkuar një paqe të drejtë, që i përfshin të gjitha palët", i kujtoi guvernatorit dhe kryebashkiakut të Jeninit.

Dëmtime të famullisë dhe të dyqaneve të Patriarkanës

Patriarku vizitoi edhe famullinë latine të kampit, që pësoi dëme të rënda, ndërsa dyqanet, pronë e Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, u dogjën. Shumë ndërtesa në të gjithë zonën u shkatërruan nga sulmet e dronëve izraelitë. “Sinqerisht, nuk e prisja gjithë këtë shkatërrim. Në fillim mendova se raketat do të dëmtonin një ose dy shtëpi. Tani shikoni gjendjen e shtëpisë sime. E shkatërruan tërësisht, e dogjën. Merrini me mend pasojat po të kishim qëndruar në në shtëpi e të mos dilnim. Çfarë do të ndodhte me të gjithë ne, trembëdhjetë veta? Gjithë ky shkatërrim, për çka?”, pyet një nga banorët e kampit.

Ndeshje edhe pranë spitalit

As spitali publik i qytetit nuk shpëtoi nga të shtënat me armë zjarri dhe bombat me gaz gjatë sulmit, me pasoja të pashmangshme për pacientët e shtruar. “Spitali i Jenin ka nevojë për shumë mbështetje: duhet të shtojë stafin mjekësor dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve”, pohoi Dr. Wissam Bakr, drejtor i spitalit. “Duke pasur parasysh realitetin në të cilin jetojmë prej njëzet vitesh, në qendër të ndeshjeve, shpresojmë që për qytetin të ndërtohet një spital tjetër, në një vend më të sigurt dhe të përshtatshëm, që të mund ta mirëpresë këtë numër të madh pacientësh. Përplot me të sëmurë dhe të plagosur, spitali i Jeninit, i mbipopulluar, ka nevojë për më shumë infrastrukturë”, theksoi mjeku.

15 korrik 2023, 09:53