Kërko

 Vangelo della XVII Domenica 'A' Vangelo della XVII Domenica 'A'

Përpjekja për të fituar Mbretërinë e Qiellit

Secili duhet t’i besojë ndërgjegjes së drejtë e të jetë gjithnjë në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja. Mendësia e gabuar na këshillon t’i lutemi Zotit për sende a për favore; ndërsa cilësia e vërtetë e jetës sonë dhe e jetës shoqërore, varet nga ndërgjegjja e drejtë e secilit, nga aftësia e secilit dhe e të gjithëve për ta njohur të mirën, duke e veçuar nga e keqja, në përpjekjen plot durim për ta bërë më të mirë vetë jetën.

R.SH. / Vatican News

Në jetën e njeriut, gjëja më e rëndësishme është përpjekja për të fituar Mbretërinë e qiellit. Kjo, ftesa dhe, njëkohësisht, impenjimi ynë, që duhet ta kujtojmë mirë në të gjitha rrethanat e jetës: në lutje e në meditim, në çastet e punës e të prehjes, në udhë e në vatrën shtëpijake. E pohon këtë Fjala e Zotit e kёsaj sё diele të 17-të gjatë vitit kishtar A', (Libri Parë i Mbretërve 3, 5. 7-12;  Letra e shën Palit apostull drejtuar Romakëve  8, 28-30 dhe Ungjilli nga Mateut 13, 44-52) duke na kujtuar se njeriu duhet të orientohet nga një ndërgjegje, që kërkon me etje të vërtetën, që mbron me guxim drejtësinë, i vetëdijshëm se vetëm kështu mund t’i shërbejë vërtet Mbretërisë së Hyjit.

Leximi Parё i liturgjisё sё Fjalёs sё Zotit tё kёsaj sё diele, të 17-të gjatë vitit kishtar A', nga Libri Parё i Mbretёrve (1 Mbr 3, 5.7-12) përqendrohet tek figura e mbretit Salomon, i cili nuk i kërkon Zotit jetë të gjatë, as pasuri, e as shpartallimin e armiqve të tij, por një zemër të urtë, që ta sundojë me drejtësi popullin e vet, duke e dalluar të mirën nga e keqja. Zoti ia dëgjon lutjen Salomonit e ai bëhet i famshëm në botën mbarë për urtinë e tij dhe për gjykimet e tij të drejta.

Por, ç’do të thotë të kesh një zemër të urtë? E dimë se ‘zemra’ në Bibël nuk tregon vetëm një pjesë të trupit, por qendrën e njeriut, selinë e mendimeve, të ndjenjave, të gjykimeve. Mund të themi: ndërgjegjen. ‘Zemër e urtë’, atëhere, do të thotë ndërgjegje, që di të dëgjojë, që është e ndjeshme ndaj zërit të së vërtetës, e, prej këndej, edhe e aftë për ta dalluar të mirën nga e keqja.

Në këtë rast Salomoni iu lut Zotit t’i japë një zemër të urtë, sepse ai ishte i ngarkuar me një përgjegjësi të lartë: t’i printe kombit të vet, Izraelit, popullit, që Zoti e zgjodhi për t’i dëftuar mbarë botës planin e tij të shëlbimit. Mbreti i Izraelit, prandaj, duhet të kërkojë të jetë gjithnjë në përkim me Zotin, në dëgjim të fjalës së Tij, për t’i prirë popullit në udhët e Zotit, në udhët e drejtësisë e të paqes.

Por, mos tё harrojmë se, shembulli i Salomonit ka vlerë për çdo njeri prej nesh. Çdonjëri prej nesh e ka një ndërgjegje, për të qenë, në një farë mënyre ‘mbret’, domethënë, për t’u sjellë me dinjitet e për të vepruar me drejtësi, duke bërë mirë e duke u larguar nga e keqja. Ndërgjegjja morale hamendëson aftësinë për ta dëgjuar zërin e së vërtetës e për ta ndjekur me urti udhën, që na tregon.

Shembull, ky i Salomonit, që duhet të ndriçojë posaçërisht mendjet e njerëzve me përgjegjësi institucionale e politike kudo. Njerëzit e thirrur për të kryer detyra qeverisjeje kanë, natyrisht, edhe një përgjegjësi më shumë e, prej këndej, si na kujton Salomoni, kanë edhe më tepër nevojë për ndihmën e Zotit. Pa harruar se secili e ka një rol në situatën konkrete të jetës së tij e të botës.

E secili duhet t’i besojë ndërgjegjes së drejtë e të jetë gjithnjë në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja. Mendësia e gabuar na këshillon t’i lutemi Zotit për sende a për favore; ndërsa cilësia e vërtetë e jetës sonë dhe e jetës shoqërore, varet nga ndërgjegjja e drejtë e secilit, nga aftësia e secilit dhe e të gjithëve për ta njohur të mirën, duke e veçuar nga e keqja, në përpjekjen plot durim për ta bërë më të mirë vetë jetën. Fjala e Zotit e kёsaj sё diele na nxit të gjithëve të ecim në gjurmët e Jezusit, të ndjekim Jezusin, thesarin e vërtetë të jetës sonë të përditshme.

29 korrik 2023, 22:26