Kërko

Katedralja katolike në Moskë Katedralja katolike në Moskë 

Moskë, Don Caruso: vizita e kardinalit Zuppi, ngjarje historike

Pas takimit dyditor të të dërguarit të Papës Françesku në Rusi, kapelani i bashkësisë katolike italiane, misionar në këtë vend prej 25 vitesh, shpreh besimin se lufta "nuk e ka fjalën e fundit". Ai kujton kremtimin e liturgjisë solemne me kardinalin Zuppi, në katedralen e Moskës, duke theksuar se uniteti ndërmjet kishave është themeli i paqes.

R. SH. - Vatikan

Pas misionit dy-ditor në Moskë të kardinalit Matteo Zuppi, i dërguar i Papës, bashkësia katolike vendase shpreson gjithnjë më shumë. Ndërsa misionari italian Don Giampiero Caruso, kapelan i bashkësisë katolike italiane të Moskës, ku jeton prej njëmbëdhjetë vjetësh, pas katërmbëdhjetë vjetësh kaluar në Siberinë e akullt, flet për një “ngjarje historike”.

Misioni i të dërguarit të Papës do të japë fryte të papritura

“Përshtypja ime personale është se kjo duhet parë si ngjarje historike”, komenton ai për Vatican News. "Vetë fakti i pranisë së Hirësisë së tij, Kardinalit Zuppi këtu në Moskë, për mendimin tim, është fakt, rëndësia e të cilit do të kuptohet vetëm në të ardhmen. Ka faktorë politikë dhe historikë që sigurisht duhet të merren parasysh dhe të gjykohen, por ne nuk duhet të harrojmë se ka një faktor, që shkon përtej gjithë kësaj dhe që i shpëton çdo analize njerëzore: siguria se Krishti është ai që i prin historisë. Kështu që jam i sigurt se prania e Kardinalit në Moskë do të japë fryte, të paparashikueshme dhe të paparashikuara”.

Mesha me Zuppin: uniteti ndërmjet kishave, themeli i paqes

Don Caruso mori pjesë, së bashku me ipeshkvijtë e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Rusisë dhe një grup të madh priftërinjsh, në prani të ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Meshën Shenjte, kryesuar më 29 qershor, në Katedralen e Moskës. Një liturgji solemne, “imponuese” - kujton - duke saktësuar se “përkimi me solemnitetin e shenjtorëve Pjetër dhe Pal nuk ishte i rastit”. Kujton edhe  "korin e mrekullueshëm", aq sa "Kardinali e falënderoi në fund, duke pohuar se do ta kishte pasur zili edhe kori i Kapelës Sikstine”. Fjalët e predikimit ishin shumë domethënëse për rrethanat historike. Ai nënvizoi se duhet siguruar uniteti, parë si themel ndërmjet kishave, që botës t’i rithehet paqja”.

"Jetojmë me frikë, duke u dridhur"

Që të krishterët të jenë bashkë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, është pikërisht dëshira që Papa Françesku shprehu sërish dje, më 30 qershor, kur priti në Vatikan delegacionin ekumenik të Patriarkanës së Kostandinopojës.  Po këtu ngjarjet janë krejtësisht të paqarta, gjë që na bën të jetojmë me frikë e duke u dridhur"

Çdo besimtar pyet veten: çfarë mund të bëj për paqen?

Ne kemi nevojë për një paqe krijuese - tha Imzot Paolo Pezzi, kryeipeshkëv i Moskës, ditët e fundit. Të flasësh për paqen krijuese “do të thotë që çdo besimtar duhet të pyesë veten me ndërgjegje se çfarë mund të bëjë personalisht për të sjellë paqen, edhe nëse nuk jeton në rrethana si tonat”, shpjegon prifti italian – duke theksuar plot shpresë se “Fjala e fundit nuk është lufta, por fitorja e Krishtit të ngjallur”

Don Caruso kujton me hidhërim se shumë italianë janë kthyer në atdhe ose se kompanitë ndërkombëtare ku punojnë kanë kërkuar të shkojnë në vende të tjera. “Unë punoj si mësues besimi në shkollën Italo Calvino, janë larguar shumë familje italiane dhe, si të thuash, ky riciklim i vazhdueshëm është veçori e bashkësisë italiane në Moskë, por tani në këtë periudhë të fundit nuk ka më kthim. Njerëz që shkojnë... por që nuk vijnë. Gjithsesi meshtari nuk e humbet shpresën:  

"Ajo që vazhdoj t'u them njerëzve të cilët më janë besuar, është se shpresa është siguria që na bën ta parandjejmë se diçka tashmë ka ndodhur. Zoti i historisë është Krishti. E Krishti u ngjall. Fakti se u ringjall nuk do të thotë thjesht se u kthye në jetë, por se ai me të vërtetë e ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë: edhe nëse ndodhin përsëri këto ngjarje të dhimbshme, sigurisht nuk janë fjala e fundit. Fjala e fundit është padyshim fitorja e Krishtit, ringjallja e tij".

01 korrik 2023, 16:41