Kërko

Mitropoliti Job Getcha me Papën Françesku Mitropoliti Job Getcha me Papën Françesku

Mitropoliti Getcha: ekzaltimi nacionalist nuk është busull e të krishterëve

Kryepeshkopi ukrainas i Pisidisë, i cili kryesoi delegacionin e Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës në Vatikan, me rastin e solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit, inkurajon çdo nismë dialogu për paqen ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. "Një popull, që e quan veten të krishterë, nuk mund të mburret me dëshirën për të neutralizuar krejtësisht një popull tjetër, veçanërisht kur edhe ky është i krishterë"

R.SH. – Vatikan

Shqetësimi për "Ukrainën e martirizuar" u shpreh sërish nga Papa Françesku si pas lutjes së Engjëllit të Tënzot në solemnitetin e shenjtorëve Pjetër dhe Pal, ashtu edhe në fjalimin e mbajtur para delegacionit të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, që sipas traditës, erdhi për të kremtuar Pajtorët e Romës më 29 qershor, ashtu si më 30 nëntor, një delegacion i Vatikanit shkon për të kremtuar Shën Andreun. "Lufta kërkon një përpjekje të përbashkët krijuese për të përfytyruar dhe për të realizuar shtigje paqeje, drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", nënvizon Ati i Shenjtë në fjalimin, që i dorëzoi delegacionit, pritur prej tij më 30 qershor. I kërkuam një mendim mitropolitit ukrainas të Pisidisë, Job Getcha, i cili kryesonte delegacionin e ardhur nga Patrikana Ortodokse, për misionin e paqes të kardinalit Zuppi, i dërguar i Papës në Moskë. Ja çfarë na tha…

         E njëjta temë preket edhe në letrën e Patrikut Bartolomeu dërguar Papës për festën, ku citohet Enciklika e njohur Sinodale kundër luftërave e Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, drejtuar të gjitha Kishave të krishtera të botës në vitin 1920. Aty nënvizoheshin rreziqet, që mund të rrjedhin nga përdorimi i dhunës, si "sulmi kundër themeleve të fesë së krishterë dhe kundër thelbit të jetës e të shoqërisë së krishterë". Lufta nxjerr në pah "shumë simptoma jo të shëndetshme në jetën e popujve të krishterë" dhe shpesh, zbulon "mungesën e madhe të respektit edhe për parimet elementare të drejtësisë e bamirësisë". Sipas Patrikut Bartolomeu, "duhet të tregohemi solidarë me popullin e shumëvuajtur ukrainas dhe të lutemi për paqe në mbarë botën". Në këtë frymë, mirëpritet çdo nismë dialogu për paqen në botë. Fatkeqësisht, sipas informacioneve tona, misioni i kardinalit Zuppi nuk ka mundur të bëjë hapa të mëdha përpara për këtë.

Të mishërojnë stilin e Zotit për të kapërcyer mbylljet dhe egoizmin, që sjellin përçarje dhe mosmarrëveshje: këtë shpreson Papa për të krishterët. Ç’thirrje tjetër mendoni se mund të bëni si përfaqësues i delegacionit të Patrikanës, në këtë situatë?

Kjo është absolutisht e drejtë. Duhet të kujtojmë edhe fjalët e Krishtit: “Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”. (Gjoni 13,35). Një popull, që e quan veten të krishterë, nuk mund të mburret me dëshirën për të neutralizuar krejtësisht një popull tjetër, veçanërisht kur edhe ky popull është i krishterë! Në traditën lindore termi "ekonomia hyjnore", që s’ka të bëjë aspak me ekonominë e parave, përdoret për të ekzaltuar rëndësinë e bamirësisë, të mëshirës dhe të pajtimit. Të gjitha këto së bashku duhet të jenë busull për ne të krishterët dhe jo ekzaltim nacionalist. Teologu i madh Ioannis Zizioulas kujton se të vetmet koncepte e fjalë, që Zoti ynë nuk i kupton janë ato të racës dhe të kombit. Gjithashtu, nënvizon se nuk duhet të mbetemi pengje të historisë.

Në fjalën e tij, Papa saktëson se “bashkimi ndërmjet besimtarëve nuk është çështje dorëzimi dhe kompromisi, por bamirësi vëllazërore”. Sa i rëndësishëm është ky nënvizim për ju?

Është mjaft i drejtë. Dialogu i bamirësisë është rruga e unitetit ndërmjet të krishterëve. Megjithatë, dialogu i bamirësisë duhet të shoqërohet me dialogun e së vërtetës. Siç shkruan Patriku Bartolomeu në letrën drejtuar Papës Françesku: “Ky dialog i së vërtetës nënkupton një punë kërkimore dhe një impenjim serioz e të përgjegjshëm nga peshkopët, klerikët dhe teologët e emëruar zyrtarisht nga Kishat e tyre lokale, si edhe mbështetjen me lutje nga i gjithë Populli i Zotit, nga klerikët dhe laikët, pasi asnjë vendim për rivendosjen e bashkimit ndërmjet Kishave tona simotra nuk mund të merret, përveçse përmes udhës sinodale”.

Çfarë prisni nga Asambleja e Përgjithshme e Sinodit për sinodalitetin, e cila do të fillojë me një lutje ekumenike në Sheshin e Shën Pjetrit?

Që Kisha Katolike Romake të bëhet edhe një herë Kishë sinodale. Në fund të fundit, kjo është dëshira e Papës Françesku, shprehur tashmë që në vitin 2015: "Rruga e sinodalitetit është ajo, që Zoti pret nga Kisha në mijëvjeçarin e tretë". Shën Gjon Gojarti kujton se Kisha është asambleja e Popullit të Zotit dhe mjeti i tij është sinodaliteti.

04 korrik 2023, 13:29