Kërko

 Vangelo della XVII Domenica 'A' Vangelo della XVII Domenica 'A'

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XVII të vitit liturgjik ‘A’

Mbretëria e Qiellit nuk është/ndonjë ide e mirë, që entuziazmon/vetëm për pak çaste,/e as ndonjë projekt, që tërheq vështrime/por, pastaj, lihet mënjanë,/sepse realiteti është tjetër gjë./Mbretërinë e Qiellit Ti, o Krisht, e krahason me një thesar kaq të çmuar/sa kur e gjen, njeriu është gati/të shesë gjithçka, vërtet gjithçka, që të arrijë ta blejë./Ti flet për një perlë,/më e bukura që është parë ndonjëherë,/për të cilën njeriu është gati të shesë/ gjithë të tjerat...

R.SH. - Vatikan

Edhe këtë të diel, e 17-a e vitit liturgjik 'A', Jezu Krishti vijon të na zbulojë, në Ungjill, si është Mbretëria e Zotit. Shembëlltyrat ungjillore na e tregojnë si thesar të çmuar, si perlë me vlerë të jashtëzakonshme. Kur i gjen, njeriu gëzohet tej mase e bën çmos t’i ketë.

Kështu shëmbëlltyrat e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu na kujtojnë se njeriu mund ta zbulojë Mbretërinë e Hyjit krejt papritur, ashtu si katundari që, duke lëruar, gjen thesarin e pashpresuar; ose pas një kërkimi të gjatë, si tregtari i margaritarëve që, pas shumë ravgimesh, gjen perlën e pritur. Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, thesari e perla vlejnë më shumë se të gjitha pasuritë e tjera. Por ja një pjesë, marrë nga kreu 13 i shën Mateut ungjilltar.

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. 45 Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

Të lutemi së bashku:

Mbretëria e Qiellit nuk është

ndonjë ide e mirë, që entuziazmon

vetëm për pak çaste,

e as ndonjë projekt, që tërheq vështrime

por, pastaj, lihet mënjanë,

sepse realiteti është tjetër gjë.

Mbretëria e Qiellit nuk është as

ndonjë ëndërr për t’u mbajtur në sirtar,

në pritje të kohëve më të mira,

ose ndonjë propozim për t’u kataloguar

ndër ata, që duken më interesantë.

 

Ti, o Krisht, sot e krahason atë me një thesar kaq të çmuar

sa kur e gjen, njeriu është gati

të shesë gjithçka, vërtet gjithçka, që të arrijë ta blejë.

 

Ti flet për një perlë,

më e bukura që është parë ndonjëherë,

për të cilën njeriu është gati të shesë

gjithë të tjerat, që ka grumbulluar deri në atë çast.

 

Në të dyja shëmbëlltyrat, që na pëlqejnë pa dyshim,

ka diçka, që na vë në vështirësi.

Po, o Krisht, nuk arrijmë ta gëlltisim

domosdoshmërinë për të rrezikuar gjithçka,

detyrimin për të humbur gjithçka,

që të arrijmë tek çka vlen më shumë.

Po të ishte e mundur, ne do të donim t’i mbanim të gjitha,

pa u ndarë dhimbshëm me pasurinë,

pa e vënë në kandar me atë që peshon më shumë,

me Ungjillin tënd.

 

O Jezu Krisht, më ndihmo të zgjedh

me vendosmëri e pa keqardhje.

29 korrik 2023, 09:14