Kërko

La parabola del seminatore - Vangelo della domenica XV 'A' La parabola del seminatore - Vangelo della domenica XV 'A'

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XV të vitit liturgjik ‘A’

Ti vijon të mbjellësh, o Jezus,/fjalën tënde të shëlbimit/në terrenet e botës,/në zemrat e tokës./ Mos e kurse farën,/ por hidhe ndër plisat e jetës sonë./Ti e njeh entuziazmin tonë të çastit/alergjinë ndaj sakrificave,/dobësinë tonë në sprovë.../E, megjithatë, Ti vazhdon të mbjellësh/Sepse e di mirë se kur gjejnë terren pjellor/frytet kalojnë çdo parashikim/ Prandaj, o Jezus, të lutem/mos lejo të kalojë më kot/hiri yt, që arrin deri tek unë,/vetëm kështu mund të provoj/pasurinë e fryteve..

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele, të XV e vitit liturgjik 'A', nga Mateu (Mt 13,1-23) duke na paraqitur shëmbëlltyrën e mbjellësit, na vë në dukje edhe frazën e Krishtit: “Kush ka veshë le të dëgjojë”. Si për të na kujtuar se sido që të ndodhë, Zoti e thotë fjalën e vet në histori, nga e cila marrin hov në jetë ata, që dinë ta dëgjojnë. Pjesa ungjillore e kësaj së diele është marrë nga kreu 13 i shën Mateut. Ja një fragment:

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. 3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: 4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

Të lutemi së bashku:

 

Ti vijon të mbjellësh, o Jezus,

fjalën tënde të shëlbimit

në të gjitha terrenet e botës,

në të gjitha zemrat e tokës.

Mos e kurse farën,

por hidhe me shumicë

ndër plisat e jetës sonë.

E njeh entuziazmin tonë të çastit

alergjinë tonë ndaj sakrificave,

dobësinë tonë në sprovë.

E di mirë se, nganjëherë, mjafton pak,

gati asgjë, për ta mbuluar zërin tënd,

për ta bërë të kotë flijimin tënd,

për ta penguar Ungjillin

të zërë e të rritet në jetën tonë.

E, megjithatë, Ti vazhdon të mbjellësh

Pse? Sepse e di mirë

Se farat e tua janë të mira

E mund të prodhojnë të korra të pashpresuara.

E di se kur gjejnë terren pjellor

frytet kalojnë çdo lloj parashikimi

Prandaj, o Jezus, të lutem

mos lejo të kalojë më kot

hiri, që arrin deri tek unë,

mos më lër ta tundoj durimin tënd prej mbjellësi:

vetëm kështu mund të provoj

pasurinë e fryteve, që shkon përtej çdo parashikimi

 

15 korrik 2023, 09:47