Kërko

Imzot Pizzaballa Imzot Pizzaballa  (AFP or licensors)

Imzot Pizzaballa: purpuri, ftesë për pajtim në Tokën e Shenjtë

Lajm i papritur por edhe nxitje për dialog e takim. Me këto fjalë e priti Patriarku latin i Jeruzalemit njoftimin e Papës Françesku, në përfundim të lutjes mariane, për krijimin e tij si kardinal.

R. SH. - Vatikan

Sipas stilit të Papës Françesku, kardinajtë e ardhshëm u befasuan kur dëgjuan nga Papa emrat e tyre në listën e lexuar të dielën më 9 korrrik pas lutjes së Engjëllit Tënzot. Njëzet e një kardinaj të rinj të Kishës katolike, 18 zgjedhës dhe tre mbi tetëdhjetat, mësuan se ishin thirrur për një shërbim kërkues në Kishë. Koncistori i zakonshëm për krijimin e kardinajve të rinj, prejardhja e të cilëve - shpjegoi Papa - do të shprehë universalitetin e Kishës, do të mbahet më 30 shtator.

Kisha Nënë e Jeruzalemit

U mahnit edhe Fortlumturia e tij Pierbattista Pizzaballa, i cili që prej 24 tetorit 2020 është Patriark latin i Jeruzalemit. I intervistuar nga mediat e Vatikanit, ai flet për “një surprizë të madhe” e, gjestin e Papës, e shikon si “shenjë vëmendjeje të Kishës së Romës për Kishën mëmë, Kishën e Jeruzalemit”. Pizzaballa nënvizon se kjo kishë e veçantë ka "thirrjen e universalitetit, të dialogut, të takimit", por gjithashtu edhe "misionin t’u bëjë thirrje për pajtim gjithë të krishterëve dhe jo të krishterëve ". Ngjyra e purpurit, pra, për Pizzaballën është "ftesë për ta vazhduar në këtë rrugë".

Një lutje falënderimi

Pas shpalljes së Papës të dielën që kaloi, fretërit u mblodhën rreth Varrit të Krishtit për një Te Deum falënderimi.

Ndërsa fjalët e Patriarkut shqiptoheshin në ditë tensionesh serioze për shkak të dhunës që shpërtheu në Jenin, pas një operacioni ushtarak izraelit me viktima të shumta kundër tre mijë palestinezëve, që u larguan nga kampi i refugjatëve në veri të Bregut Perëndimor. Tension, të cilin e kujtoi edhe Papa, i cili shpresonte se do të rifillonte dialogu dhe më në fund, do të hapeshin shtigjet e pajtimit dhe të paqes.   

Françeskan në Tokën Shenjte

Fortlumturia e tij Pierbattista Pizzaballa, 58 vjeç, lindi në Cologno al Serio, në provincën e Bergamos, më 21 prill 1965. Ishte vetëm 24 vjeç kur, në Bolonjë, e pikërisht në Kishën e Shna Ndout, bëri kushtet e përhershme, për t’u shuguruar pas një viti meshtar. Përveç italishtes, ai njeh hebraishten dhe anglishten moderne. Në vitin 1995 mbikëqyri botimin e Mesharit Romak në hebraisht dhe përktheu tekste të ndryshme liturgjike në hebraisht për bashkësinë katolike në Izrael. Më 2 korrik 1999 hyri zyrtarisht në shërbim të Kujdestarisë së Tokës së Shenjte. Pas detyrave të ndryshme, më 24 tetor 2020, Papa Françesku e emëroi Patriark Latin të Jeruzalemit. Tani do të ketë një mision edhe më të vështirë, që lidh Romën me atë Tokë ku lindi Princi i Paqes.

10 korrik 2023, 14:38