Kërko

Parisi në flakë Parisi në flakë  (ANSA)

Franca, ipeshkvi i Nanterre: përballë dhunës, duhet hapur menjëherë dialogu!

Vazhdon vandalizmi pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel, i qëlluar me armë zjarri nga policia në Nanterre, ku u varros dje pasdite. Qeveria po përpiqet ta frenojë dhunën me 45,000 agjentë që kontrollojnë rrugët. 1300 të arrestuar vetëm natën e fundit. Prijësit fetarë francezë, në një thirrje të përbashkët, kërkojnë paqe. Për imzot Matthieu Rougé, dialogu është i domosdoshëm për rikthimin e atmosferës së paqes, ku zemërimi mund të shprehet dhe të dëgjohet.

R. SH. - Vatikan

Nata ndërmjet së premtes dhe të shtunës ishte nata e katërt e dhunës, në të gjithë Francën, e shkaktuar nga vdekja e Nahelit, djalit 17-vjeçar vrarë nga një oficer policie të martën, më 27 qershor në Nanterre, lagje periferike e Parisit. U varros dje pasdite, 01. 07. 2023, në xhaminë Ibn Badis të qytetit, në portat e Parisit. Që nga e marta ka pasur netë trazirash me plaçkitje, dëmtime dhe përplasje me policinë në qytetet e mëdha dhe të mesme franceze. Të premten, kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, u bëri thirrje prindërve të rebelëve, shpesh shumë të rinj, të heqin dorë nga dhuna. Dënoi edhe platformat e rrjeteve sociale, duke përmendur Snapchat dhe TikTok, aplikimet e të cilave, sipas tij, po përdoren për të organizuar mitingje të dhunshme.

Mesazhi i prijësve fetarë

Të enjten e kaluar, më 29 qershor, Imzot Matthieu Rougé, ipeshkëv i dioqezës së Nanterrës, bëri thirrje për qetësi, së bashku me krerët lokalë të besimeve të tjera fetare: "Si udhëheqës fetarë të qytetit të Nanterres, me një angazhim të gjatë për vëllazërim, duam të bëjmë së bashku, thirrje për dialog dhe paqe në këto orë të vështira për qytetin dhe vendin tonë”. Në orët në vijim, ky tekst i nxiti për thirrje edhe përfaqësuesit e tjerë fetarë, në nivel kombëtar.

Thirrja e autoriteteve fetare kombëtare

Të premten, më 30 qershor, Konferenca e Prijësve Fetarë të Francës (CRFC) bëri një thirrje të përbashkët për dialog dhe paqe. Teksti u nënshkrua nga Imzot Éric de Moulins-Beaufort, kryetar i ipeshkvijve katolikë të Francës, nga kryerabini Haïm Korsia, rektor i Xhamisë së Madhe të Parisit dhe kryetar i CFCM, nga kreu i peshkopëve ortodoksë dhe i Federatës Protestante si dhe nga Kryetari i Bashkimit Budist. Udhëheqësit kërkuan të ruhet dhe të fuqizohet "lidhja e nevojshme e besimit ndërmjet popullatës dhe forcave të rendit" që "kanë dhënë aq shumë gjatë provave të kaluara nga vendi". Duke shprehur keqardhjen “e thellë” për shkatërrimin e shkollave,  dyqaneve, bashkisë dhe mjeteve të transportit, ata theksuan se “të parët që i vuajnë pasojat janë banorët, familjet dhe fëmijët e këtyre lagjeve”. Duke inkurajuar udhëheqësit e kombit dhe përfaqësuesit e zgjedhur "të punojnë së bashku me përgjegjësi për të rivendosur drejtësinë dhe paqen", prijësit bashkësisë fetare u zotuan të kontribuojnë në këtë përpjekje.

Lutja e propozuar nga ipeshkvijtë francezë

Pas thirrjes së përbashkët, prelatët francezë u propozuan bashkësive katolike të të gjithë vendit të lexojnë këtë lutje në të gjitha kremtimet e kësaj fundjave:

“Po të lutemi, o Zot, për rikthimin e qetësisë dhe të paqes në vendin tonë. Po ta besojmë Nahelin, duke t’u lutur për të dashurit e tij. I mbrojtë Shpirti i dritës dhe i paqes!

Po t’i besojmë të plagosurit e netëve të dhunës dhe ata, që panë duke iu shkatërruar apo duke iu dëmtuar vendet e jetesës a të punës.

Të lutemi, o Zot, për ata që janë të angazhuar në zbatimin e ligjit dhe shërbimet shtetërore, nën presion të madh dhe shpesh të sulmuar.

Frymëzona, që me besimtarët e feve të krishtera dhe feve të tjera si dhe me të gjithë bashkëqytetarët tanë, të jemi arkitektë të dialogut dhe të paqes.

Të lutemi që, edhe përtej shpërthimeve aktuale, shoqëria jonë t’i njohë  shkaqet e dhunës dhe të gjejë mjetet për ta kapërcyer atë”.

Imzot Rougé: rihapja e rrugëve që të çojnë në paqe

Prekëse, dëshmia e Imzot Matthieu Rougé, ipeshkëv i Nanterres, epiqendër e dhunës. Prelati i ftoi të gjithë besimtarët të jenë shërbëtorë të paqes, duke ripohuar njëzëshëm, së bashku me krerët e tjerë fetarë, "se dhuna nuk është kurrë rrugë e drejtë, por gjithnjë e shtrembër!”.

02 korrik 2023, 12:02