Kërko

Il forum sulla libertà religiosa nel mondo a Palazzo Chigi a Roma  (Medol) Il forum sulla libertà religiosa nel mondo a Palazzo Chigi a Roma (Medol)

Forumi në Romë: liria fetare garanton pluralizmin dhe demokracinë në botë

Shteti nuk mund t’ia imponojë apo t’ia pengojë praktikimin publik të fesë një qytetari apo një bashkësie. E drejta për lirinë fetare aktualisht nuk njihet në veprimtaritë e zhvillimit ndërkombëtar dhe shpesh konsiderohet si e drejta më papërfillur

R.SH. / Vatikan

“Një shtet nuk mund të pretendojë të sundojë drejtpërdrejt ose tërthorazi mbi besimet fetare të qytetarëve të tij”. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, duke folur dje, më 13 korrik, në Forumin e parë për liritë fetare në botë, nënvizoi se “institucionet kombëtare nuk mund ta përvetësojnë të drejtën për ta detyruar a për ta penguar praktikimin publik dhe ushtrimin e fesë së një njeriu apo të një bashkësie”. Në Pallatin Chigi, në Romë, ishin të pranishëm, ndërmjet tjerësh, Ali Javed,  ambasador i Pakistanit në Republikën Italiane; Alessandro Monteduro, i Ndihmë për Kishën që Vuan; Valeria Martano e Bashkësisë së Shën Egjidit; Daniela Canclinës për dialogun ndërfetar dhe Sara Fumagalli e Umanitaria Padana Onlus. Për pakicën e krishterë në Pakistan foli Davide Dionisi, i dërguar i posaçëm pranë Ministrit të Punëve të Jashtme për promovimin e lirisë së fesë dhe mbrojtjen e pakicave fetare.

Të krishterët e Pakistanit

Një vëzhgim i kujdesshëm i jetës së bashkësive të krishtera në Pakistan tregon qartë  sa shumë duhen kërkuar  themelet e përjashtimit nga radhët e shoqërisë – pohon  Valeria Martano, jo vetëm lidhur me dallimet fetare të vendit mysliman "por edhe me kombinimin e disavantazhit social dhe ekonomik, nga i cili të krishterët nuk kanë arritur të dalin ende sot”. "Vetëm 25% e pakicës së krishterë në vend  ka arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër, 75%, nuk ​​është e shkolluar. Varfëria në fushën e arsimit krijon pamundësinë për të hyrë në punë të nivelit të mesëm dhe të lartë e, si rrjedhojë, shndërrohet në mënjanim ekonomik”. "Integrimi, me programet e edukimit për paqe dhe bashkëjetesë, siguron - vazhdon ajo - promovimin e arsimit, që nuk përfaqëson vetëm avantazh individual, por edhe  ndikim pozitiv mbi të gjithë strukturën shoqërore të Pakistanit".

Liria fetare

“E kuptuam - thekson Daniela Canclini - se realiteti dhe problemet e më të varfërve në botë dhe problemet e atyre që vuajnë nga mungesa e lirisë fetare përputhen, sepse ata që diskriminohen për shkak të fesë së tyre kanë edhe disavantazhe ekonomike dhe sociale, veçanërisht nëse janë gra”. Më pas Canclini kujtoi se liria fetare nuk është e drejtë e njohur në veprimtaritë e zhvillimit ndërkombëtar dhe nuk  përfshihet në Axhendën e vitit 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm. "Të gjitha këto - vëren - shikohen si të ishin të drejta të parëndësishme, pavarësisht se prekin qindra miliona njerëzish në botë. E duhet theksuar edhe se me të merren shumë pak njerëz dhe organizata”.

Kontributi i vullnetariatit

Projekti i Umanitaria Padana Onlus synon të çlirojë disa gra të reja pakistaneze nga fati tragjik i shumë vajzave të varfra të krishtera, "të detyruara nga varfëria dhe analfabetizmi të punojnë që të mitura, të shfrytëzohen dhe të detyrohen  të martohen para kohe e, ç’është më keq, të detyrohen edhe të ndërrojnë fenë, të përdhunohen, të torturohen e edhe të vdesin”. Nëpërmjet tyre, shpjegon Sara Fumagalli, ne përpiqemi të promovojmë shpengimin social të të njëjtave familje. Mjafton të mendojmë për burgosjen e gjatë të Asia Bibit, martirizimin e Shahbaz Bhattit ose sulmet kundër kishave. Falë programit arsimor shkollor, të realizuar në bashkëpunim me misionarët Oblatë të Zojës së Papërlyer, një nga vajzat tona mori doktoraturën në Fizikë e edhe propozimin për të bashkëpunuar me NASA (National Aeronautics and Space Administration). E varfër, e krishterë dhe grua, e cila u rrit pa baba në një vend si Pakistani, sot është shkencëtare e njohur  nga mbarë bota”.

14 korrik 2023, 11:15