Kërko

Fëmijë në Mongoli Fëmijë në Mongoli

Duke pritur Papën në Mongoli, histori e shpresa në “Shtëpinë e Mëshirës”

Më 4 shtator, në ditën e fundit të udhëtimit apostolik, Françesku do të përurojë strukturën e lindur nga intuita e drejtuesve të Kishës lokale, mbështetur nga drejtoria kombëtare e Veprave Misionare Papnore australiane. Projekti i filluar në vitin 2019, synon të garantojë një vend, që mirëpret njerëzit e me probleme dhe plagë, të cilat kanë nevojë për kujdes e ngushëllim

R.SH. – Vatikan

 Takimi është caktuar për të hënën më 4 shtator: në orën 9.30 paradite, impenjimi i fundit publik i udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Mongoli, para ceremonisë së lamtumirës. Ati i Shenjtë do të takohet me vullnetarët e bamirësisë dhe do të përurojë “Shtëpinë e Mëshirës” në kryeqytetin Ulan Bator. Është strukturë në shërbim dhe për të mirën e të gjithëve, duke filluar nga më të brishtët e po punohet me të gjitha forcat për ta përfunduar në kohë.

Intuita e Kishës lokale

Siç njofton Agjencia katolike e lajmeve Fides, “Shtëpia e Mëshirës” mori formë falë intuitës së drejtuesve të Kishës lokale, mbështetur edhe nga ndihma konkrete e drejtorisë australiane të Veprave Misionare Papnore, njohur si Misioni Katolik. Projekti filloi në vitin 2019. Atëherë, prefekti apostolik i Ulan Batorit, tashmë kardinali Giorgio Marengo, pati intuitën për të hapur një qendër sociale, që të ndihmonte gratë dhe të miturit, viktima të dhunës në familje. Tani, "Shtëpia e Mëshirës" është kthyer në një vend mikpritës për njerëzit me probleme e plagë, që kanë nevojë për kujdes e ngushëllim.

Struktura

Selia e “Shtëpisë së Mëshirës” ndodhet në një kompleks të braktisur shkollor, i cili në të kaluarën u përkiste murgeshave të Shën Palit të Chartres, në lagjen urbane të Bayangol. Struktura ka tre kate e një bodrum dhe do të jetë jo vetëm strehë e përkohshme për gratë dhe të miturit, që pësojnë abuzime në shtëpi, por edhe vend i ndihmës së parë për të pastrehët, të cilët nuk janë të regjistruar në sistemin kombëtar shëndetësor, prandaj nuk mund të trajtohen nga spitalet publike. Gjithashtu, “Shtëpia e Mëshirës” do të funksionojë si strehë e përkohshme për migrantët, që mbërrijnë në qytet pa pika referimi. Veprimtarët e “Shtëpisë së Mëshirës” do të punojnë në koordinim me policinë lokale, me punonjësit socialë dhe me strukturat shëndetësore të pranishme në vend.

Raporti i Veprave Misionare Papnore

Ditët e fundit, një delegacion nga dega australiane e Veprave Misionare Papnore vizitoi Ulan Batorin dhe hartoi një raport, që e ndihmon “Shtëpinë e Mëshirës” për të kuptuar si t’u përgjigjet konkretisht urgjencave dhe problemeve të popullsisë vendase. Lagjja Bayangol - lexohet në raportin e përpiluar nga Misioni Katolik - një nga nëntë distriktet e Ulan Batorit, ndodhet në pjesën qendrore të qytetit dhe ka një popullsi prej mbi 150.000 banorë. Karakterizohet nga një kontekst i larmishëm social dhe ekonomik, pikë tradicionale për emigrantët nga Mongolia rurale, të cilët tërhiqen nga mundësitë dhe shërbimet e qytetit.

Vitet e fundit, edhe këtu, si në të gjithë Mongolinë, polarizimi ndërmjet të varfërve dhe të pasurve është shtuar, me pabarazi të mëdha në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera bazë. Sipas të dhënave të publikuara nga organizmat ndërkombëtare, në vitin 2021, shkalla e varfërisë në Ulan Bator arriti në 27,4%, ndërsa shkalla e papunësisë në 9,6%. Ndotja e ajrit është tri herë më e lartë se kufiri i dëmshëm për shëndetin, përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

13 korrik 2023, 12:53