Kërko

Kryqi i DBR-ve Kryqi i DBR-ve

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti ua bën cilësore jetën të rinjve

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger mediton mbi mënyrën si ndikon Zoti në jetën e të rinjve, përmes Mesazhit për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, që mban datën e 22 shkurtit 2010, si edhe përmes fjalimit për pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, më 27 maj 2010

R.SH. – Vatikan

Kur e pyesim veten mbi fundin e ardhshëm, që e pret secilin prej nesh, i japim kuptim të plotë krejt ekzistencës, sepse pikërisht kjo e orienton planin e jetës drejt horizonteve pa kufij, jo kalimtare, por të gjera e të thella: kështu reflekton Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë. Pikërisht këto horizonte na bëjnë ta duam botën, të cilën Zoti e deshi aq shumë, t’i kushtohemi zhvillimit të saj, por gjithnjë me lirinë e gëzimin, që lindin nga feja e shpresa.

Janë horizonte, që ndihmojnë të mos i absolutizojmë realitetet tokësore, duke e ndierë se Zoti na përgatit për një perspektivë më të madhe. Prandaj, përsërisim me shën Augustinin: “Dëshirojmë së bashku atmen qiellore, psherëtijmë për atmen qiellore, ndihemi shtegtarë këtu poshtë” (Koment i Ungjillit sipas Gjonit, Homelia 35,9). Duke e mbajtur vështrimin të drejtuar kah jeta e pasosur, i Lumi Pier Giorgio Frassati, i cili vdiq në vitin 1925 në moshën 24 vjeçare, thoshte: “Dua të jetoj e jo të bëj sikur jetoj!”. Në fotografinë e një ngjitjeje në mal, dërguar një miku, shkruante: “Drejt lartësive”, duke e përdorur si simbol të udhës së krishterë drejt përsosjes, por edhe të jetës së pasosur.

Të dashur të rinj – vijon Papa në Mesazh – ju nxis të mos e harroni këtë perspektivë të planit tuaj të jetës: jemi të thirrur për amshim. Zoti na ka krijuar për të ndenjur me Të, përgjithmonë. Kjo perspektivë do t’u japë kuptimin e plotë vendimeve tuaja dhe do t’ua bëjë cilësore jetën.

Të rinjtë - u thoshte më pas pjesëmarrësve në Asamblenë e përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, më 27 maj 2010 – bartin në zemër etjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes mbi kuptimin e jetës, etjen për marrëdhënie të vërteta njerëzore, që i ndihmojnë të mos ndihen të vetmuar para sfidave. Është dëshira për një ardhmëri, që bëhet më pak e pasigurt, për hir të shoqërisë së qëndrueshme e të besueshme; që i afrohet secilit me delikatesë e respekt, duke propozuar vlera të patundshme, bazë për t’u ngjitur drejt majave të larta, por të arritshme. Përgjigjia jonë është kumtimi i Zotit mik me njeriun, që në Jezu Krishtin u bë i afërm me gjithkënd.

Transmetimi i fesë është pjesë e domosdoshme e formimit të gjithanshëm të njeriut, sepse në Jezu Krishtin realizohet plani i një jete, që ia vlen të jetohet: siç na mëson Koncili II i Vatikanit, “kush ndjek Krishtin, njeriun e përsosur, bëhet edhe ai më shumë njeri” (Gaudium et spes, 41). Takimi personal me Jezusin është çelësi për të kuptuar rëndësinë e Hyjit në jetën e përditshme, sekretin për ta kaluar atë në dashuri vëllazërore, kusht që na bën të ngrihemi gjithnjë edhe kur biem e të ecim drejt kthesës së vazhdueshme.

13 korrik 2023, 09:35