Kërko

Të meditojmë me Ungjillin: luteni Zotin të dërgojë punëtorë në vreshtin e vet

Ti o Jezus, thërret të bashkëpunojnë me ty / njerëz të brishtë, je më se i vetëdijshëm. / E bën që prej 2000 vitesh e, pavarësisht nga kjo, / Ungjilli yt zë rrënjë dhe sjell fryte / duke kaluar pikërisht përmes tyre

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i së Dielës XI të vitit kishtar (A), marrë nga shën Mateu (9,36-10,8) na flet për dërgimin e dishepujve me mision për të përhapur mësimet e Jezu Krishtit në gjithë botën. Para kësaj detyre tejet të vështirë dhe numrit të vogël të atyre, që duhet ta kryejnë, Jezusi ndjen mëshirë për turmat – “grigjë pa bari” – prandaj, u jep pushtet apostujve, që të jenë në gjendje të shkojnë udhëve të botës për “të predikuar se Mbretëria e Qiellit është afër”. Si atëherë, edhe sot, i mëson ndjekësit e tij, t’i luten të zotit të vreshtit, që të dërgojë punëtorë në të. Ja pjesa ungjillore…

 

Të lutemi së bashku

Bën mirë që ndjen dhembshuri, o Zot,

për këta njerëz të çorientuar,

që nuk dinë nga të shkojnë e ku të sillen.

 

Bën mirë që ndjen mëshirë

për këtë popull të sfilitur

nga mërzitë e iluzionet,

nga abuzimet e fjalët e kota.

 

Por si ia bën t’u besosh të dymbëdhjetëve,

e ta lësh mesazhin tënd në duart e tyre,

ta ndash me ta pushtetin

për të shëruar të sëmurët,

për të dëbuar shpirtrat e së keqes,

për të ringjallur të vdekurit?

 

Nuk do t’ia dalin, o Zot,

Ti e di se janë njerëz të brishtë.

Jetojnë me ty prej shumë kohe,

por vazhdojnë të mendojnë për poste,

që u dashka t’u rezervohen vetëm atyre.

E di mirë se frika do t’u bëhet zot

kur do t’u duhet të qëndrojnë në sprovë…

 

E pastaj, cilat janë aftësitë e tyre?

Mos vallë kanë frekuentuar shkollën

e ndonjë rabini të famshëm?

A pati vallë ndonjë rast, në të cilin dëshmuan

guxim dhe besnikëri?

A s’është tepër e rrezikshme

gjithçka u kërkon atyre?

 

Por ti, o Jezus, nuk pyet për këto:

ti thërret të bashkëpunojnë me ty

njerëz të brishtë, je më se i vetëdijshëm.

E bën që prej 2000 vitesh e, pavarësisht nga kjo,

Ungjilli yt zë rrënjë dhe sjell fryte

duke kaluar pikërisht përmes tyre.

17 qershor 2023, 09:14