Kërko

Corpus domini Corpus domini

Të meditojmë me Ungjillin e solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit

Ti, o Jezus, deshe të bëhesh Buka jonë, / Bukë e thyer për jetën e botës, / Bukë e thërmuar nga keqdashja e saj, / Bukë e dhuruar pa hezitim, / Bukë, që bëhet ushqim / për t’ua ndryshuar ekzistencën / dishepujve të ulur në tryezë. / Ti, o Jezus, deshe të ofrohesh si verë, / vile rrushi e shtypur me dhunë nga njerëzit, / gjak i derdhur për t’i vënë vulën / besëlidhjes për dashuri të përjetshme.

R.SH. – Vatikan

Këtë të diel kremtojmë festën e Korpit e Gjakut të Shentjueshëm të Jezu Krishtit, Sakramentin e Eukaristisë, që Zoti  Jezus na e ka lënë si shenjë e pranisë së Tij, e realitetit të tij si korp, e flijimit të tij në kryq dhe e jetës së amshuar, në të cilën na ka bërë pjesëmarrës. Në këtë të diel, kur Kisha Katolike kremton solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit, vetë Jezusi, në Ungjillin sipas Gjonit (6,51-58), na flet për vetveten si ushqim për jetën e pasosur. Le të ndjekim pjesën ungjillore nga Gjoni…

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?” Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” 

Të lutemi së bashku

 

Të pushtetshmit e kësaj bote

imponohen me forcë

e duan t’i nënshtrojnë të tjerët

për t’i përkulur para vullnetit të tyre.

 

Ti, o Jezus, përkundrazi, u bëre Shërbëtor

dhe pranove vuajtje e vdekje

për të na shkëputur nga mëkati.

Të goditën padrejtësisht,

të gozhduan në kryq,

të hodhën thellë në errësirën e varrit,

por Ati Qiellor të dhuroi ringjalljen e lavdinë.

 

Të mëdhenjtë e botës i duan fort dritat e skenës,

vendet e para nëpër asamble

detyrat e titujt e rëndësishëm,

duan të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes

për t’u nderuar nga njerëzit.

 

Ti, o Jezus, përkundrazi,

deshe të bëhesh Buka jonë,

Bukë e thyer për jetën e botës,

Bukë e thërmuar nga keqdashja e saj,

Bukë e dhuruar pa hezitim,

Bukë, që bëhet ushqim

për t’ua ndryshuar ekzistencën

dishepujve të ulur në tryezë.

 

Ti, o Jezus, përkundrazi,

deshe të ofrohesh si verë,

vile rrushi e shtypur me dhunë nga njerëzit,

gjak i derdhur për t’i vënë vulën

besëlidhjes për dashuri të përjetshme.

10 qershor 2023, 09:38