Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Trinisë Shenjte
R.SH. - Vatikan
Në këtë të diel, kur Kisha kremton solemnitetin e Trinisë Shenjte, Ungjilli sipas Gjonit na zbulon se Hyji e deshi aq shumë botën sa të dërgojë Birin e Tij të vetëm për ta shpëtuar, “që të mos bjerrë” – na thotë ungjilltari. Pra, duhet besuar në Jezu Krishtin, na nxit Ungjilli i këtij solemniteti. Ja një fragment nga Ungjilli i kësaj së Diele sipas Gjonit (3, 16-18).
16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. 17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. 18 Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.
Të lutemi së bashku
Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë,
një Zot i vetëm në tri Vetje,
Ti je misteri i dashurisë, zbuluar çdo njeriu.
Ti nuk je portë e mbyllur,
sekret i padepërtueshëm,
zonë e errët dhe e mjegullt,
por dritë, që shkëlqen në histori,
ofertë për bashkim duarsh,
dhuratë mëshire e paqeje
peng i amshimit.
Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë,
një Zot i vetëm në tri Vetje,
gjithësia është plot
me shenjat e pranisë sate.
Ti nuk je realitet i paarritshëm,
që s’mund të kapet,
tepër i përsosur për t’u ndotur me brishtësinë tonë,
përkundrazi, ke hyrë në historinë tonë,
mbrujtur me lot e gjak,
me mëkat e dobësi.
E bëre, për të na shkëputur nga skllavëria e së keqes
Që edhe ne ta shijojmë dinjitetin e bijve,
të lindur për amshim, pjesëmarrës në bashkimin tënd.
Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë,
një Zot i vetëm në tri Vetje,
Ti je ëmbëlsi që gufon,
begati dhuruar pa masë e pa kufi,
mëshirë që shndërron.