Kërko

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë e “Historia e një shpirti”

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, ndoqi deri në fund udhën e thjeshtë të shenjtërisë, si të vetme udhë që të çon drejtpërdrejtë në takimin me Zotin. Në “Historia e një shpirti” gjejmë të fshehtën e shenjtërisë e jo më pak rrugën e thjeshtë që mund ta përshkojmë të gjithë, duke u bërë zemra e Kishës, madje duke zënë vendin e zemrës në Korpin mistik të Krishtit. Shenjtorja karmelitane e mbushi me dritë mbarë Kishën me doktrinën e saj të thellë shpirtërore.

R.SH. / Vatikan

Tereza nga Lisieux tregon se dashuria bamirëse është forca lëvizëse e misionit. Duke vazhduar ciklin e tij të katekizmit mbi pasionin për ungjillëzimin, Papa Françesku ia kushtoi sot reflektimin e tij tërësisht figurës së Terezës së Lisieux, e cila sivjet ka 150-vjetorin e lindjes (2 janar 1873). Dhe Papa e bëri këtë duke pasur pranë vetes reliket e kësaj murgeshë të madhe karmelite, që këto ditë janë vendosur në Kishën e Shën Antonit Abat, në lagjen Esquilino në Romë. “Është mirë që kjo po ndodh ndërkohë që ne po reflektojmë për zellin apostolik”, komentoi Papa, duke bërë të ditur se në këtë përvjetor synon t’i kushtojë një Letër Apostolike.

Shenjtorja karmelitane e mbushi me dritë mbarë Kishën me doktrinën e saj të thellë shpirtërore. Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, shpirt i dashuruar pa masë me Krishtin e me të gjithë njerëzit, është, pra, një shpirt i madh që zgjodhi rrugën e të vegjëlve për ta dashur e për ta ndjekur Jezusin. Po e kujtojmë sot me disa fragmente të veprës së saj “Historia e një shpirti”, përshkrim i historisë së kësaj shenjtoreje, e me disa nga tiparet që jo vetëm e çuan në nderimet e elterit, por edhe në lartësinë e titullit “Doktore e Kishës”. Në Karmelin e Lisië-së, Tereza bëhet prijëse, bëhet “shkencëtare” në shkencën e jashtëzakonshme të dhurimit të plotë të vetvetes.

“Pas mërgimit të Tokës, shpresoj të gëzohem me Ty në Atdhe: por nuk dua të grumbulloj merita për qiellin; dua vetëm të shkrihem nga dashuria për Ty... Në muzg të kësaj jete, do të dal para Teje me duar bosh; sepse nuk dua, o Zot, të llogarisësh veprat e mia. Jo të gjitha drejtësitë tona janë pa njolla para syve të tu. Dua, prandaj, të vishem me drejtësinë Tënde e nga dashuria Jote të të zotëroj Ty vetë, në amshim”.

Me këto fjalë Shën Tereza e Krishtit Fëmijë ia falë gjithë vetveten dashurisë përdëllyese të Hyjit, duke shfaqur përvujtërinë e saj pa cak e edhe vetëdijen se gjithçka është realizuar në jetën e saj, s’është tjetër, veçse fryt i hirit. Pati vënë në qëndër të gjithë jetës së vet dashurinë, kjo Shenjte e vogël - e madhe, e cila në Jetëshkrimin e saj e ndër dorëshkrimet, na zbulon një urti të pashoqe, sa të meritojë të citohet gjashtë herë në Katekizmin e Kishës Katolike, aq sa Etërit e Kishës.

Duket si kuriozitet por, nëse e shqyrtojmë me vemendje Treguesin e Katekizmit të Kishës katolike, realizuar me kujdesin më të madh, në pjesën kushtuar Shkrimtarëve kishtarë, jo pa habi, vërejmë se ndërmjet 65 Etërve të ndritur e dijetarë të Kishës, mendimi i Shenjtes së Vogël lexohet gjashtë herë, një herë më tepër sesa mendimi i Shën Terezës së Avilës, gjithashtu dijetare e Kishës, për thellësinë e doktrinës, shprehur jo vetëm në “Rrugën e përsosurisë”, por edhe në shumë vepra të tjera asketike e mistike. Tereza e vogël e Lisi, që në moshë të njomë, depërton në misterin e dashurisë së Hyjit dhe e lë veten të mbështillet krejtësisht nga drita e Tij, duke mbetur e mahnitur e e rrëmbyer.

Kisha ka një zemër
 
Në sa ndriçohej nga Zoti, Shën Tereza e Krishtit Fëmijë kuptoi se Kisha është Korp Mistik, që ka gjymtyrë të ndryshme e, natyrisht, edhe zemër: “Kuptova – shkruan – se Kisha kishte një zemër, një zemër që digjej nga dashuria. Kuptova se vetëm dashuria i vinte në veprim të gjitha gjymtyrët e Kishës e se, po të ishte shuar kjo dashuri, Apostujt nuk do të kishin mundur ta kumtonin Ungjillin, martirët nuk do ta kishin derdhur më gjakun... Kuptova se dashuria i përfshin në vetevte të gjitha thirrjet; se dashuria është gjithçka, se shtrihet në të gjitha kohët, në të gjithë vendet... me një fjalë, se dashuria është e amshuar.

Këto pohime nuk janë fryt i një ekzaltimi të çastit, i një rrëmbimi mistik, por fryt i lutjes së saj të thellë, të vazhdueshme e i leximit të përhershëm të Ungjillit. “Gjatë lutjeve të mia – shkruan - ndalohem posaçërisht tek Ungjilli; në të gjej gjithçka është e nevojshme për shpirtin tim të shkretë. Në të zbuloj gjithmonë drita të reja, ndjenja të fshehta e misterioze. Në Ungjill shenjtja takohet me Krishtin e Gjallë; duke dëgjuar fjalët e Tij e duke i bluar, si Virgjëra Mari, në zemër të vet, merr një dritë shkëlqimtare që ia ndriçon gjithë rrugën e saj të shenjtërisë.

Nuk po vdes, po hyj në jetë

 
Kur ndjeu se po afrohej ora e takimit me Jezusin, shenjtja që provoi vuajtjet më të thekta të korpit, gjen fjalë ngushëllimi për simotrat që i rrijnë te kryet, duke i qetësuar me fjalët:”Nuk po vdes, por po hyj në jetë!”. Dëshira e saj e zjarrtë është gjithnjë e njëjtë. “Dua të shoh Zotin, por për ta parë, duhet të vdes!”. Siguria se do të jetojë përgjithnjë në Dashurinë e Krishtit e
shtyn të thotë: Kam për ta kaluar kohën në qiell duke bërë mirë në tokë!”.

Forca e Terezinës së Krishtit Fëmijë është lutja. Në sa lutet i duket sikur rrëmbehet drejt Të lartit; flet me Zotin, si ta kishte ballpërballë; ndjen ngushëllimin dhe gëzimin e bisedimit me Të e shpirti i mbushet përplot me shpresë e gazmend. Jeta ime – shkruan në jetëshkrimin e saj – është përplot mirëbesim e dashuri; nuk e kuptoj kush mund të ketë frikë nga një mik kaq i ëmbël, si Krishti!. Nganjëherë, kur lexoj disa shkrime shpirtërore në të cilat theksohet se përsosuria arrihet pasi të kesh kaluar mijëra vështirësi, si të jesh rrethuar nga mijëra iluzione, shpirti im i vogël, i varfër ndjen menjëherë kapitje. Mbylli librin e ditur që ma turbullon kokën e ma than zemrën, e marr në dorë Shkrimin Shenjt. Atëherë gjithçka më duket e larë me dritë...

Përballë ndërlilikimeve asketike, Shën Tereza e Krishtit Fëmijë zgjedh rrugën e thjeshtë e të varfër të shenjtërisë, që ka si tipare krysore: të pranosh se nuk vlen asgjë, ta lëshosh veten, si fëmija, në krahët e Zotit të mirë.

Rruga e thjeshtë

Kjo është rruga e thjeshtë e shenjtërisë që ndoqi ajo e që në fund të fundit, është e vetmja që të çon drejtpëdrejtë në takimin me Zotin. Në “Historia e një shpirti” gjejmë të fshehtën e shenjtërisë e jo më pak rrugën e thjeshtë që mund ta përshkojmë të gjithë, duke u bërë zemra e Kishës, madje duke zënë vendin e zemrës në Korpin mistik të Krishtit. Ndonëse e mbyllur në kuvendin e saj, e vetëm për pak vjet, ajo është një misionare aq e madhe, sa të shpallet bashkëpajtore e misioneve, gjë që tregon se apostullimi mund të bëhet edhe duke ndenjur e mbyllur në karmel.

Terezina shkruan: “Kam thirrjen e apostullit! Dëshriroj të përshkoj mbarë tokën, të predikoj emrin Tënd, ta mbjell mbi trojet e pabesa Kryqin tënd të lumnueshëm... dëshiroj ta kumtoj Ungjillin njëkohësisht në të pesë anët e botës e deri ndër ishujt më të largët; dëshiroj të jem misionare jo vetëm për pak kohë, por që nga krijimi i botës e deri në fund të shekujve...
Por ka edhe më: Ajo dëshiron të derdhë edhe gjakun për Ungjillin. Shkruan: “Do të desha, o Zoti im, Shëlbuesi im i dashur, të derdhja gjakun tim për ty, deri në pikën e fundit”. E e derdhi vërtetë, duke vaditur Kishën me zellin e saj misionar, që kishte zjarrin e Shën Palit e hovin mistik të Shën Gjonit.

Nga “Historia e një shpirti”


Ndonëse jeton në bashkim të ngushtë me Zotin-Dashuri, Shën Terezina, siç thirret zakonisht, për ta dalluar nga Shën Tereza e Madhe, vëren se vendi i saj është i fundmi. Po shkëpusim nga vepra “Historia e një shpirti” disa fjalë ari, që na i la trashëgim Murgesha, e cila do të shpallej “Doktore e Kishës”.

Fjalë ari, nga “Historia e një shpirti”

Zoti është më i butë se një nënë.

Gëzimi im më i madh është të jem pa gëzim, për të kënaqur Jezusin.

Të gjithë heronjtë vlejnë më pak se një martir.

Mirësia nuk duhet të shndërrohet në dobësi.

Më duket se dashuria mund të vlejë më shumë se një jetë e gjatë.

Nuk mund të rrish duke u ankuar gjithmonë, si njeri që nuk ka shpresë.

Frika më bën të tërhiqem; me dashuri jo vetem vazhdoj udhën,  por fluturoj.

Një shpirt që digjet zjarr nga dashuria, nuk mund të mbetet pa bërë diçka vërtetë të madhe.

Jeta nuk është veçse një ëndërr: së shpejti do të zgjohemi me një britmë gëzimi. Sa më të mëdha të jenë vuajtjet tona, aq më e pakufishme do të jetë lumnia jonë.

Përsosmëria arrihet kur bëjmë vullnetin e Zotit: kur jemi ashtu, si dëshiron Ai që të jemi.

Zoti ynë kujdeset për çdo shpirt me shumë dashuri, sikur të ishte i vetmi që ekziston.

Shpirtit që dashuron, nuk i duket asgjë e pamundur.

Nuk është vdekja ajo që po vjen: është Zoti i mirë.

Oh! Heshtje e bekuar, që i jep kaq shumë paqe shpirtit!

Mos humbisni asnjë nga gjembat që hasni çdo ditë: me njërin prej tyre mund të shpëtoni një shpirt.

 Bamirësia është rruga që të çon me siguri te Zoti.

Që kur i dhashë fund kujdesit për vetveten, nisa jetën më të lumtur që mund të ketë një njeri.

Nuk kam nevojë të rritem: madje më duhet të mbetem e vogël, të bëhem gjithnjë e më e vogël...

Është e pamundur që fjala njerëzore të përsërisë gjëra, të cilat zemra mezi i kupton.

Nuk do të mund të shijoj prehjen, për sa kohë që ka shpirtra për të shpëtuar.

Një fjalë, një buzëqeshje e këndshme janë shpesh të mjaftueshme për të zgjuar një shpirt të trishtuar.

Dashuria për vetveten është dobësia e të gjitha qenieve njerëzore.

Dashuria mund të paguhet vetëm me dashuri, edhe plagët e dashurisë mund të shërohen vetëm me dashuri.

Sa e pakënaqur do të jem në Parajsë nëse nuk mund t'u dhuroj kënaqësi të vogla mbi tokë atyre që dua.

Vetëm një gjë vlen dhe mbetet: dashuria.

07 qershor 2023, 13:38