Kërko

Sacro Cuore di Gesù Cristo Sacro Cuore di Gesù Cristo

Qershori – muaji i Zemrës së Krishtit

Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar. Dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, na kujton Kisha e cila i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit Atë. Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit

R.SH. - Vatikan

Çdo vit Kisha Katolike i kushton muajin qershor Zemrës së Shenjtë të Jezusit, gjatë të cilit kujtohet e përhapet dashuria besnike dhe e pakushtëzuar e Krishtit për njerëzimin. Përkushtimi ndaj Zemrës së Jezusit ka ekzistuar që kur të krishterët e parë medituan në kraharorin dhe zemrën e shporuar të Jezu Krishtit Zot mbi Kryq.

Në devotshmërinë popullore, çdo muaj i vitit ka temën e tij shpirtërore, bazuar në një aspekt të fesë së krishterë. Muaji qershor, për shembull, është ai i Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit, sepse festa e tij bie gjithmonë në qershor, 19 ditë pas Rrëshajëve. Sivjet vit, për shembull, solemniteti i Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit do të bjerë të premten më 16 qershor 2023.

Kështu tradita e Kishës ia kushton muajin qershor, që sapo filluam, Zemrës së Krishtit, simbol i fesë së krishterë. Secili nga ne, kur ndalohet në heshtje, ka nevojë të dëgjojë jo vetëm rrahjen e zemrës së vet por, më në thellësi, rrahjen e një zemre tjetër të besueshme, të perceptueshme me ndjenjat e fesë e gjithsesi shumë më reale: praninë e Jezu Krishtit, zemrës së botës. Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё "zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

Prandaj, pёrmes devocionit ndaj Zemrës sё Krishtit , gjatë muajit qershor, të gjithë jemi tё ftuar të përtërihemi shpirtërisht, duke vlerësuar lutjet tradicionale të kushtimit të ditës e duke pasur parasysh edhe ndjetet që na i propozon Kisha. Kështu, posa përfunduam muaji maj, gjatë të cilit si besimtarë kemi nderuar figurën e Virgjërës Mari, e tani kalendari kishtar na shpalos 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar: qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh.

Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar

Dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit.  Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, na kujton Kisha, e cila i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit Atё. Pra, Zemra e Krishtit nuk është ndonjë simbol i trilluar, është e vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin.

Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit. Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun.  Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Shën Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar.

Lindja e këtij devocion

Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me At Klaudin de La Colombierë, jezuit, kanonizuar më 1992. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse.

Përfitimi shpirtëror kemi nga ky devocion

Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. Eshtë fjala për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!

Shenjtja Nënё Tereza dhe devocioni ndaj Zemrës sё Krishtit

Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por  zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim e fe shkëmbore, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua  për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". 

Në një libër të vjetër uratësh në shqipe gjetëm këtë fjalë, që në këtë festë, e përherë, Jezusi na thotë: “ M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty”!  O i lumi Jezu Krisht, zemërbutë e i përvujtë, ban që zemra ime t'i përngjajë zemrës sate!

01 qershor 2023, 14:24