Kërko

Nikaragua: shkollat katolike zihen nga policia Nikaragua: shkollat katolike zihen nga policia  (AFP or licensors)

Nikaragua, shkollat katolike ‘zaptohen’ nga policia

Autoritetet e vendit të Amerikës Qendrore sekuestruan qendrat arsimore të drejtuara nga murgeshat. Në departamentin e Jinotega-s, mbetet nën mbikqyrje Instituti Teknik i Shën Luizës de Marillac

R. SH. - Vatikan

Një shkollë katolike në bashkësinë e San Sebastián de Yalí, në Nikaragua,   drejtuar nga Bijat Misionare të Shën Luizës de Marillac, u shtetëzua nga forcat e policisë, sipas njoftimit të mediave. Murgeshat u thirrën në Managua për të lëshuar deklarata, në pritje të vlerësimit zyrtar të fakteve.

Disa burime bënë të ditur se tani për tani asnjë murgeshë e kësaj Shoqërie Apostolike nuk u dëbua nga vendi dhe se ato janë në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht nga shqetësimit për situatën aktuale dhe pasigurinë për të ardhmen e "Institutit Teknik të Shën Luizës de Marillac",  ku edukohen fëmijët e bashkësisë. Javën e kaluar, sipas shtypit lokal, edhe shkolla Susana López Carazo, e drejtuar nga Motrat Domenikane të Lajmërimit të Zojës, në departamentin e Rivas, kaloi në duar të autoriteteve.

Kryetari i Konferencës Spanjolle të Rregulltarëve (CONFER), Fra Jesús Díaz Sariego, në një deklaratë nënvizoi pasigurinë që po jetojnë shumë rregulltarë në Nikaragua. "Pështjellimi është edhe më i madh sepse, çuditërisht, këto kongregata i shërbejnë me shumë përkushtim popullit Nikaraguan. Japin ndihmesë në veprimtaritë shoqërore, në jetën e burrave, të grave, të moshuarve, të sëmurëve, të fëmijëve, domethënë  të njerëzve më të varfër” - theksoi ai.

Muajt e fundit disa kongregatave rregulltare iu desh të largohen nga vendi i Amerikës Qendrore. Kujtojmë Misionarët e Bamirësisë, Motrat Domenikane të Lajmërimit të Zojës, Motrat Trappiste, Rregulltaret e Kryqit dhe të Zemrës së Krishtit, ndërmjet të tjerave. Përveç këtyre, edhe disa priftërinj janë dëbuar nga vendi i tyre.

02 qershor 2023, 13:56