Kërko

Paraqitja e librit historik "E vërteta do të na bëjë të lirë" Paraqitja e librit historik "E vërteta do të na bëjë të lirë" 

Libër, që ndriçon rolin e Kishës gjatë diktaturës argjentinase

Këto ditë në selinë e Radio Vatikanit u paraqit libri historik "E vërteta do t'ju bëjë të lirë", i cili për herë të parë përdor të gjithë dokumentacionin e Konferencës së Ipeshkvijve Argjentinas dhe arkivat e Selisë së Shenjtë të lidhura me periudhën e hidhur të diktaturës. Të pranishëm, Atë Carlos María Galli, dekan i Fakultetit të Teologjisë të Universitetit Katolik Argjentinas dhe Imzot Alberto Bochatey, sekretar i përgjithshëm.

R. SH. - Vatikan

Është vepra e parë e këtij lloji në një botë, ku nuk kanë munguar kurrë diktaturat, e cila bazohet mbi gjithë dokumentacionin e Konferencës Ipeshkvnore Argjentinase (CEA) si dhe mbi arkivat aktuale të Selisë së Shenjtë, megjithëse, normalisht, studimi i këtyre dokumenteve vihet në dispozicion të studiuesve shtatëdhjetë vjet pas ngjarjeve që pasqyrojnë. Titullohet "E vërteta do t'ju bëjë të lirë", një libër në tre vëllime mbi  qëndrimin e Kishës Katolike në gjyqet e dhunshme në Argjentinë, ndërmjet viteve 1966 dhe 1983.

Libri është rezultat i një procesi të gjerë dhe të mundimshëm sistemimi dhe kërkimi, i udhëhequr nga CEA në vitin 2012. Pasi u paraqit në Argjentinë, kjo vepër monumentale arkivore u diskutua dhe u shpërnda në selinë e Radio Vatikanit nga një grup, në të cilin bënin pjesë At Carlos María Galli, dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Katolik të Argjentinës (UCA); Federico Tavelli, historian dhe Gianni La Bella, profesor në Departamentin e Edukimit dhe Shkencave Humane të Universitetit të Modenës dhe Reggio Emilias. Veprimtaria u koordinua nga Dikasteri për Komunikim. Të pranishëm, gazetarë, autoritete kishtare, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve katolike.

Në kërkim të së vërtetës historike, duke shmangur justifikimet  

Gjatë paraqitjes, Galli shpjegoi se ky botim synon të japë informacion për të afërmit e viktimave të diktaturës së fundit ushtarake dhe të nxisë kërkimin e mëtejshëm historik. Në fund të vitit 2017, presidenti i CEA, imzot Óscar Ojea, i pati kërkuar Gallit kryerjen e këtij studimi, edhe pse Fakulteti i Teologjisë prej 50 vjetësh i kushtohet historisë së Kishës, duke u specializuar posaçërisht në historinë e Amerikës Latine dhe të Argjentinës.

Meshtari nënvizoi se kjo është punë unike, e realizuar falë pranimit të  Ipeshkvnisë, të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe të Nunciaturës Apostolike në Argjentinë për t’i hapur arkivat. Po kështu, Ati i Shenjtë Françesku kërkoi deklasifikimin e arkivave, vetëm për këtë hetim. Galli sqaroi se arkivat e CEA do të jenë së shpejti në dispozicion edhe për studiues të tjerë, sipas një protokolli.

“Objektivi i kësaj pune është të ruhen kujtimet e kohës kur Kisha martirizohej, duke u shtuar, me metodë rigoroze, edhe të dhënat historike - sqaroi specialisti i cili në vijim nënvizoi se u bënë të gjitha përpjekjet për t'iu afruar sa më shumë të vërtetës historike, duke shmangur raportet ideologjike, si dhe justifikimet a mbrojtjet. "Kërkuam të vërtetën"- shtoi ai - "siç e thotë titulli i veprës”.  Dhe e gjetëm në fjalët e Jezusit, në kapitullin VIII të Ungjillit sipas Gjonit: "E vërteta do t'ju bëjë të lirë".

Të ruhet e vërteta e Kishës në atë periudhë të vështirë

Sekretari i Përgjithshëm i CEA, imzot Alberto Bochatey, nënvizoi rëndësinë e këtij vëllimi, duke theksuar se falë Zotit dhe me bashkëpunimin e shumë studiuesve të mirë, u bë e mundur nxjerrja në dritë e kësaj vepre të pabotuar. “Kështu kuptojmë për çka luftuam dhe për çka punuam gjatë asaj periudhe të errët” - kujtoi - që nuk duhet të zhduket pa gjurmë nga analet e historisë. Këtë do të dëshironin martirizuesit: të mos mbetej në histori asnjë gjurmë gjaku, vepër e duarve të tyre!

Të njihet koha e gjakut, për të fuqizuar atë të fesë!

Bochatey beson se të gjithë të krishterët argjentinas ishin të interesuar të dinin vërtet se çfarë ndodhi, çfarë u bë, me kë folëm, çfarë dinim… "Mbasi nuk duhet të harrojmë çka mendojnë ndonjëherë njerëzit: mendojnë se dinim më shumë sesa dinim" - kujtoi ai. "Është vepër mbresëlënëse dhe unike në stilin e saj. Besojmë edhe se do të jetë në gjendje t'i lërë trashëgim historisë argjentinase të gjithë punën që ndriçoi  ngjarje aq të rëndësishme, si ato që jetoi kleri ynë në ato kohë. Pa hiperbolizime e as hamendësime. Duke u bazuar gjithnjë në Fjalët e të Kryqëzuarit.

I pyetur për hapat që do të bëhen pasë këtij botimi, prelati theksoi se me këto tre vëllime zbulohen dhe vlerësohen përpjekjet e bëra në të gjitha nivelet pa fshehur as gabimet që mund të jenë bërë. Për ipeshkvijtë argjentinas, ky libër është burim i "një gëzimi të madh", e edhe larja e "një lloj borxhi të madh" ndaj historisë dhe Kishës argjentinase. Borxh për të korrigjuar. E sidomos, për të mos harruar se historia përsëritet, ndonëse në forma më të rafinuara!

17 qershor 2023, 12:08