Kërko

Kishë melkite në Haleb Kishë melkite në Haleb

Kisha melkite përgatitet të kremtojë 300-vjetorin e bashkimit me Kishën e Romës

Kisha Melkite greko-katolike përgatitet të kremtojë 300-vjetorin e bashkimit të plotë me Kishën e Romës, duke filluar nga 11 nëntori. Melkitët ndjekin ritin bizantin të kodifikuar dhe të sistemizuar nga Shën Gjon Gojarti. Ata përdorin arabishten si gjuhë liturgjike, krahas greqishtes. Rreth një milion e 700 mijë të pagëzuar i përkasin Kishës greko-katolike melkite

R.SH. - Vatikan

         Do të nisin në Damask, më 11 nëntorin e këtij viti, kremtimet për 300-vjetorin e rivendosjes së bashkimit të plotë të Kishës Melkite me Kishën e Romës. Liturgjia solemne do të kryesohet nga Patriarku Youssef Absi në katedralen e Zojës së Fjetjes. Lajmi u publikua në fund të Sinodit të ipeshkvijve melkitë, mbajtur në Rabueh të Libanit, nga 19 deri më 24 qershor. Programi i kremtimeve - nënvizohet në komunikatën e publikuar në fund të punimeve sinodale - do të ketë titullin e përgjithshëm "Kisha Melkite Greko-Katolike: udhëtimi ekumenik 1724-2024" dhe do të përfshijë kremtime liturgjike, konferenca studimore, botime dhe njohuri mbi natyrën historike, teologjike dhe ekumenike, ekspozita mbi trashëgiminë shpirtërore dhe artistike, ruajtur në bashkësitë melkite të Lindjes së Mesme.

Pak histori

         Kisha greko-katolike melkite lindi në vitin 1724 me nismën e Serafim Tanasit, i zgjedhur atë vit si Patriark i Antiokisë me emrin Kirillos VI: zgjedhje e kundërshtuar nga Patriku i Kostandinopojës, i cili e shkishëroi Serafim Tanasin, duke imponuar një tjetër Patriark, Sivestron e Halebit, me seli në Antioki. Kirillosit iu desh të ikte në Liban për të shmangur arrestimin nga rojet e Sulltanit. Vetëm më 8 korrik 1729, Selia e Shenjtë, me një dekret të publikuar nga Propaganda Fide, miratoi zgjedhjen "e vlefshme dhe të lirë" të Kirillosit VI, i cili u bë kështu Patriarku i parë i Kishës Greko-Katolike Melkite.

Riti melkit

         Melkitët ndjekin ritin bizantin të kodifikuar dhe të sistemizuar nga Shën Gjon Gojarti. Ata përdorin arabishten si gjuhë liturgjike, krahas greqishtes. Patrikana Greko-Katolike Melkite e shtrin juridiksionin e saj mbi të gjithë katolikët e ritit bizantin, që banojnë në territorin e patrikanave të lashta të Antiokisë, Jerusalemit dhe Aleksandrisë së Egjiptit, si edhe mbi bashkësitë e diasporës. Rreth një milion e 700 mijë të pagëzuar i përkasin Kishës greko-katolike melkite.

26 qershor 2023, 16:20